Teksa burokracia perëndimore pengon çdo gjë që lëviz, Kina po fillon të gëlltisë edhe industrinë e energjisë së rinovueshme.
Evropa po rrëshqet me shpejtësi nga varësia ruse për energjinë fosile në varësinë nga Kina për energjinë e rinovueshme.
Alarmi është dhënë në një raport të grupit gjerman Siemens Energy, i cili përmes filialit spanjoll Gamesa është një nga prodhuesit më të mëdhenj në këtë sektor.
“Ekziston një mundësi konkrete që tranzicioni energjetik i Bashkimit Evropian të menaxhohet në Kinë”, thuhet në raport.
Çfarë pret Brukseli për të shpëtuar produktin kombëtar para se të jetë tepër vonë?
Gjendja e kompanive që prodhojnë turbina me erë është vërtet e keqe.
Siemens, me seli në Madrid, është një nga liderët evropianë në këtë fushë, por sapo ka shpallur buxhetin e fundit vjetor me 940 milionë euro humbje.
Në këto kushte, kompania ka njoftuar se do të detyrohet të pushojë nga puna 2 mijë e 900 punonjës, më shumë se një të dhjetën e fuqisë punëtore.
Gjigandi amerikan në sektorin e turbinave me erë, General Electric, është edhe më keq, me dy miliardë dollarë humbje vjetore për filialin e tij të specializuar.
Lideri botëror në turbinat e erës, Vestas Wind System, është vetëm pak më keq, me humbje prej 147 milionë eurosh në një tremujor.
Gazetarët e “New York Times” kanë folur me dy drejtorë ekzekutivë të kompanive në fjalë dhe ankesat e tyre janë unanime.
“Sa herë që shesim një turbinë me erë humbasim 8% të kostos së prodhimit”, ka thënë kreu i Vestas, Henrik Andersen.
Kurse shefi ekzekutiv i Siemens Gamesa, Jochen Eickholt, ka treguar se kompanitë duhet të nxjerrin fitime për të financuar investimet, “por në këtë periudhë po punohet me humbje”.
Si në Evropë ashtu edhe në SHBA flitet për luftimin e ndryshimeve klimatike, por shumë projekte për turbinat e reja me erë vonohen nga një mori pengesash burokratike, veto administrative, rezistenca lokale dhe mbrojtja e mjedisit.
Një tjetër handikap japin edhe shtesat e reja mbi fitimet shtesë, të cilat prekin edhe ata që prodhojnë energji elektrike nga burimet e rinovueshme.
Këto taksa shkojnë për të marrë fitimet (nëse ka) që kompanitë duhet të përdorin për të financuar investime të reja.
Pas një skenari të njohur për energjinë diellore dhe makinën elektrike, Kina ka filluar të ketë një rol dominues në komponentët e nevojshëm për prodhimin e turbinave me erë.
70% e pjesëve të montuara nga një prodhues evropian i turbinave janë “prodhuar në Kinë”.
Po ashtu prodhuesit kinezë që hyjnë në tregjet evropiane, ofrojnë furnizime me çmime ultra konkurruese.
Nëse skenari ndjek atë që ka ndodhur tashmë me energjinë diellore, dorëzimi ndaj Kinës do të jetë i plotë.
Çka do të nënkuptonte humbjen e kontrollit mbi të ardhmen energjetike, sërish .
Si reagon Bashkimi Evropian ndaj këtij rreziku? Duke debatuar me SHBA-të.
Komisioni i Brukselit ka vënë në shënjestër Aktin e Reduktimit të Inflacionit, një ligj i ri i kërkuar nga presidenti amerikan Joe Biden dhe i miratuar nga Kongresi.
Në vend që të luftojë inflacionin, ai ligj shërben për financimin e tranzicionit të gjelbër.
Me 370 miliardë dollarë financim, është bujar në ndihmë për energjinë e rinovueshme. Me një kusht që prodhuesit të jenë amerikanë ose të vendosur në SHBA me fabrikat e tyre.
Pra Biden përdor metoda kineze kundër Kinës, bazuar në subvencione dhe proteksionizëm.
Brukseli duket i indinjuar sepse stimujt amerikanë rrezikojnë të tërheqin kompanitë evropiane në tokën amerikane.
Ndoshta do të ishte më urgjente të merreshim me përparimin kinez dhe të reagonim ndaj tij para se të jetë tepër vonë.
“Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje