Kujdes nga lojërat e mbivendosura të Rusisë

27 Qershor 2022, 12:29Bota TEMA

Kujdes nga lojërat e mbivendosura të Rusisë

“Kujdes nga loja e mbivendosur!” Është një nga shprehjet më pak të njohura, por më të dobishme për t’u mbajtur parasysh kur ndjek çështjet ndërkombëtare. Dhe ajo është veçanërisht e rëndësishme tani që Lituania ka shpallur një bllokadë të mallrave ruse që janë pjesë e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.

Një lojë e mbivendosur është në fakt një lojë brenda një loje. Ajo bazohet në parimin se në shumicën e mjediseve të botës reale, aktorët nuk janë të unifikuar dhe kanë motive kontradiktore. Shembulli klasik është dështimi i një marrëveshjeje të propozuar të paqes në Lindjen e Mesme, sepse disa fraksione të vijës së ashpër sponsorizuan një sulm terrorist apo një vrasje.

Marrëveshja nuk ishte vetëm që të dyja palët të merreshin me njëra-tjetrën. Në fakt, secila palë po merrej edhe me konfliktet e veta të brendshme. Teoria e lojës së mbivendosur, mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e të kuptuarit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dhe po tregon mjerisht se po rritet rreziku i përshkallëzimit.

Shumica e vlerësimeve në një luftë bazohen te matja e fuqive relative ushtarake të secilës palë. Kjo është pa dyshim e rëndësishme. Por të tilla janë edhe lojërat e mbivendosura. Rusia dhe Ukraina nuk janë monolite. Çdo vend ka shumë interesa dhe opinione të ndryshme, sidomos nëse “Ukraina plus aleatët e saj”, përkufizohen si njëra palë e konfliktit.

Lituania ka njoftuar pak ditë më parë se do të bllokojë dërgesat hekurudhore të mallrave të sanksionuara në enklavën ruse të Kaliningradit, një territori rus i rrethuar nga Lituania, Polonia dhe Deti Baltik, pa një lidhje të drejtpërdrejtë tokësore me kontinentin rus.

Lituania pretendon me të drejtë se një bllokadë e tillë buron natyrshëm nga sanksionet që ka vendosur BE-ja kundër Rusisë. Por nga këndvështrimi i Rusisë, kjo lëvizje perceptohet si një akt lufte, për shkak se një vend anëtar i NATO-s ndërpret një pjesë të lidhjes midis Kaliningradit dhe Rusisë kontinentale.

Zyrtarë të ndryshëm rusë, kanë kërcënuar Vilniusin me përshkallëzim të tensioneve dhe hakmarrje, ndërsa detajet në lidhje me këtë kundërpërgjigje i kanë lënë qëllimisht të paqarta. Ndërkohë, Rusia pretendon se kjo bllokadë shkel marrëveshjet e mëparshme të transportit me Lituaninë.

Nëse Lituania nuk do ta kishte vendosur vetë këtë bllokadë, nuk është e qartë nëse Bashkimi Europian do ta kishte detyruar që ta bënte diçka të tillë (vonesa apo rinegociimi i premtimeve të BE-së nuk është i paprecedentë, sidomos kur mund të citohen marrëveshje paraekzistuese me vende të tjera).

Në këtë kuptim, bllokada ishte një vendim strategjik nga ana e Lituanisë. Një pikëpamje e strategjisë së Vilniusit, është se ajo po i detyron ose i shtyn aleatët e saj të rikonfirmojnë  mbështetjen e tyre, në një moment më shumë dhe jo më pak të favorshëm të armiqësive.

Është shumë herët për të thënë nëse kjo është një strategji e mençur për Lituaninë. Por thelbi është se interesat e Lituanisë nuk janë identike me ato të NATO-s, BE-së apo SHBA-së. Duke pasur parasysh një rrezik të përshkallëzimit të veprimeve nga Rusia, dhe në dritën e pikëpamjes sime se ndëshkimi i Kaliningradit është një prioritet jo shumë madhor, unë personalisht do të kisha preferuar që Lituania mos ta kishte marrë këtë vendim.

Në vend të kësaj, duke luajtur një lojë të mbivendosur, Lituania i ka bërë gjërat më të rrezikshme për palët e tjera të përfshira. Po ashtu, ajo e ka bërë më të vështirë të parashikohet rrjedha e konfliktit, sepse tashmë lufta mund të përhapet edhe në Baltik.

Tani disa nga lojtarët më të vegjël në rajon, veçanërisht ata që i frikësohen më shumë Rusisë, mund të shohin avantazhe në përshkallëzimin e konfliktit. Është mençuria konvencionale që koha tani është në anën e Rusisë, ndaj vendet më të vogla mund të përjetojnë një ndjenjë emergjence që nuk ndihet nga vende si Gjermania.

Lojërat e ndërlidhura priren t'i komplikojnë edhe më shumë situatat, në vend se t’i thjeshtojnë ato. A është Lituania apo SHBA-ja agjenti ndërhyrës, siç sugjerojnë disa? Si janë ndarë qëndrimet brenda qeverisë lituaneze? Çfarë mendon Polonia për kohën e këtij përshkallëzimi të mundshëm? Duke folur për këtë, Polonia ka luajtur lojëra të mbivendosura gjatë gjithë kohës, pasi ajo përballet me vendime të vazhdueshme, se si të përfshihet drejtpërdrejt në furnizimin me armë të Ukrainës, gjë që mund të rrisë rrezikun e sulmeve ruse ndaj territorit polak.

Vetëm përshkrimi i të gjitha pyetjeve të ndryshme mund të jetë marramendës. Në këtë mënyrë, teoria e lojërave të mbivendosura, funksionon si një lloj alternative ndaj teorisë së lojës dhe e aftësisë së saj të vlerësuar me të drejtë për të parashikuar të ardhmen. Por pikërisht këtu qëndron edhe rreziku.

Sigurisht, teoria e lojës nuk është gjithmonë e saktë për atë që mund të ndodhë në të ardhmen. Por mbetet gjithsesi një disiplinë e dobishme, pasi i detyron njerëzit të marrin në konsideratë rezultatet më të këqija të mundshme.

Rreziku i teorisë së lojërave të ndërlidhura është se mund të çojnë në një pranim të logjikës së brendshme të një fraksioni, dhe sapo fillojnë luftërat, ato priren të zhvillojnë logjikat e tyre. Gjatë gjithë historisë, shumë luftëra kanë dalë jashtë kontrollit për arsye që duken arbitrare, të pakuptimta apo thjesht të panevojshme, por që në fakt kanë kuptim sipas teorisë së lojërave të mbivendosura.

E gjithë kjo është një mënyrë për të thënë se vlera e teorisë së lojës së mbivendosur është fuqia e saj shpjeguese, dhe jo vlera e saj parashikuese. Dhe sapo zënë vend lojërat e mbivendosura, rriten edhe rreziqet e përshkallëzimit./ Tyler Cowen - Përkthyer nga CNA.al

Lini një Përgjigje