"Lufta do të zgjasë, asnjëra palë nuk ka interes për negociata"

10 Qershor 2023, 12:06Bota TEMA

"Lufta do të zgjasë, asnjëra palë nuk ka interes

Paqja në Ukrainë do të vendoset në terren. Kundërofensiva e paralajmëruar nuk do të thotë se po shkojmë drejt negociatave. Në të vërtetë, aktualisht shumë faktorë sugjerojnë se lufta do të zgjasë shumë.

Kjo është deklarata e gjeneralit, Claudio Graziano, ish-Shef i Shtabit (2015-18) dhe ish-President i Komitetit Ushtarak të BE-së, në një intervistë me italianen “La Stampa”.

Ai është një nga ushtarët italianë më të njohur në botë.

Në vijim të bisedës Graziano shprehet se, qëllimi i Kievit, i mbështetur nga bota e lirë, është të rivendosë sovranitetin mbi tokat që të gjithë i njohin si ukrainase.

Por, ai mendon se madhësia dhe shtrirja e kundërofensivës varen gjithashtu nga mënyra se si do të reagojnë rusët, nëse do të ketë një krizë të brendshme apo morale në forcat e Kremlinit, nëse ata do të përdorin disa armë të pa përdorura ende, siç janë armët ajrore.

Gjenerali mbetet i bindur se tani për tani, nuk është e përshtatshme për Putin të ulet në një tavolinë humbjeje.

“Pasi la 200 mijë të vdekur dhe deklaroi se do të denazifikonte Ukrainën, ai nuk do të kishte një karrierë politike veçanërisht të shkëlqyer më pas”.

Por edhe Zelensky për gjeneralin nuk dëshiron të ulet dhe të negociojë tani.

Sipas tij, Rusia duhet të heqë dorë nga Donbass dhe territoret e pushtuara, të diskutojë Krimenë dhe regjimi rus nuk mund ta përballojë këtë.

Zelensky, nga ana tjetër, do të duhet të heqë dorë nga një pjesë e sovranitetit të vendit të tij, dhe as ai nuk mundet.

“Nuk do të bëhet luftë botërore, por sigurisht është një konflikt që do të vazhdojë për një kohë të gjatë, sepse ajo që ne e quajmë atmosferë vuajtjeje, në dëm të popullatës, me inat dhe viktima, nuk është diçka që harrohet shpejt”.

Graziano pyetet edhe për shqetësimin në lidhjen me ndihmën e Teheranit për Rusinë.

Në përgjithësi ai thotë se për ndikimin e jashtëm, Moska ka një problem të dobësisë strukturore. Dhe Ukraina, nga ana tjetër, nuk mund të bëjë as pa Perëndimin.

 

Lini një Përgjigje