Lufta në Lindjen e Mesme/ Izraeli dhe Irani ndërpresin sulmet, Trump: U thashë të përdorin logjikën

9 Qershor 2026, 08:50Bota TEMA
Lufta në Lindjen e Mesme/ Izraeli dhe Irani ndërpresin sulmet, Trump:

Lufta në Lindjen e Mesme/ Izraeli dhe Irani ndërpresin sulmet ndaj njëri-tjetrit, reagon Trump: I thashë të përdornin logjikën

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të hënën se Izraeli “për momentin” po ndal operacionet ushtarake kundër Iranit, por theksoi se përballja me Iranin dhe grupin Hezbollah nuk ka përfunduar.

Nga ana tjetër, forcat e armatosura iraniane njoftuan se kanë ndërprerë operacionet pasi, sipas tyre, i dhanë Izraelit një “përgjigje të dhimbshme”. Teherani paralajmëroi se çdo sulm i ri izraelit do të përballet me masa edhe më të ashpra, shkruan BBC.

Përplasja e fundit nisi pasi Irani lëshoi raketa drejt Izraelit të dielën, duke e cilësuar veprimin si hakmarrje për një sulm izraelit në Bejrut. Izraeli u kundërpërgjigj në orët e para të së hënës me sulme ndaj objektivave që i përshkroi si pozicione ushtarake në territorin iranian.

Presidenti amerikan Donald Trump luajti një rol aktiv në përpjekjet për të frenuar përshkallëzimin. Në një bisedë me mediat amerikane, ai mohoi pretendimet se Netanyahu kishte shpërfillur kërkesat e tij.

“Gjithçka që bëra ishte t’u thosha se duhet të përdorim logjikën. Jemi shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje të fuqishme. Nuk duam armë bërthamore dhe nuk duam një luftë më të madhe”, deklaroi Trump.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti amerikan zhvilloi një bisedë telefonike me Netanyahun për të diskutuar krizën, ndërsa një zyrtar izraelit tha se Izraeli pezulloi sulmet me kërkesë të Uashingtonit.

Megjithatë, tensionet vazhduan edhe gjatë mëngjesit të së hënës. Autoritetet izraelite raportuan për raketa të tjera iraniane drejt Jerusalemit dhe zonave qendrore e jugore të vendit.

Ushtria izraelite njoftoi se kreu një valë të dytë sulmesh ajrore kundër një kompleksi petrokimik në qytetin Mahshahr në jugperëndim të Iranit. Sipas ushtrisë, aty prodhoheshin materiale të përdorura për raketat balistike.

Autoritetet iraniane thanë se nga sulmet u plagosën të paktën 15 persona, përfshirë 14 në Mahshahr dhe një në Teheran.

Përplasjet u shtrinë edhe në Liban. Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se pesë persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në një sulm izraelit pranë qytetit të Tiros. Mes të plagosurve ishin edhe katër punonjës të Kryqit të Kuq.

Ndërkohë, Hezbollahu deklaroi se kishte lëshuar një breshëri raketash kundër automjeteve dhe ushtarëve izraelitë në jug të Libanit.

Trump u bëri thirrje publikisht të dyja palëve që të ndalin menjëherë sulmet, duke paralajmëruar se vazhdimi i luftimeve mund të rrezikojë negociatat që po zhvillohen mes Uashingtonit dhe Teheranit për një marrëveshje më të gjerë rajonale.

“Izraeli dhe Irani po kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm. Negociatat për paqen po ecin përpara dhe nuk duhet të pengohen nga padituria apo marrëzia”, shkroi ai në rrjetin Truth Social.

Lufta aktuale nisi më 28 shkurt, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm të përbashkët ndaj Iranit, ku u vra udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si dhe disa zyrtarë të lartë iranianë.

Konflikti u përhap shpejt në të gjithë Lindjen e Mesme. Irani reagoi me sulme raketore dhe me dronë ndaj Izraelit dhe vendeve arabe që strehojnë baza ushtarake amerikane. Po ashtu, Teherani bllokoi përkohësisht ngushticën strategjike të Hormuzit, duke shkaktuar luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të naftës.

Libani u përfshi në luftë më 2 mars, kur Hezbollahu nisi sulme raketore kundër Izraelit. Si kundërpërgjigje, Izraeli kreu sulme ajrore në territorin libanez dhe ndërmori një ofensivë tokësore në jug të vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet iraniane dhe organizatat për të drejtat e njeriut, numri i viktimave në Iran ka kaluar 3.500 persona, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur. Në Liban raportohen mbi 3.600 të vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Nga ana tjetër, autoritetet izraelite thonë se të paktën 20 civilë janë vrarë nga sulmet iraniane në Izrael, ndërsa dhjetëra ushtarë dhe civilë të tjerë kanë humbur jetën në përleshjet përgjatë kufirit me Libanin.

Megjithëse të dyja palët kanë njoftuar ndërprerjen e sulmeve, situata mbetet e brishtë dhe çdo incident i ri mund të rrezikojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund një prej konflikteve më të rrezikshme në Lindjen e Mesme në vitet e fundit.

1 Komente

  1. S
    Sass

    Kur i sulmuat nuk kishit logjik!!!! tani u ke ndez zjarrin qe ishte i fikur per shume dekada dhe te erdhi logjika bull shit

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje