Media shtetërore saudite: Presidenti kinez vizitë tre ditore në Arabinë Saudite

6 Dhjetor 2022, 21:50Bota TEMA

Media shtetërore saudite: Presidenti kinez vizitë tre ditore në

Presidenti kinez Xi Jinping do të zhvillojë një vizitë tre ditore në Arabinë Saudite duke nisur nga e mërkura. Kjo është vizita e parë e tij në vendin më të madh eksportues të naftës së papërpunuar në botë, që nga viti 2016. Lajmi u njoftua të martën nga media shtetërore saudite.

Vizita do të përfshijë një takim dypalësh të nivelit të lartë të kryesuar nga mbreti saudit Salman. Agjencia shtetërore e Lajmeve bëri të ditur gjithashtu se në takim do të marrë pjesë edhe princi i kurorës Mohammed bin Salman, sundimtari de-facto i mbretërisë.

Presidenti Xi, udhëheqësi i vendit me ekonominë e dytë më të fuqishme në botë, do të marrë pjesë gjithashtu në një takim me udhëheqësit e 6 vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Pjesë e bisedimeve do jenë edhe udhëheqës nga vende të tjera në Lindjen e Mesme.

Vizita e udhëheqësit kinez vjen gjatë një periudhe tensionesh të rritura mes Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara, mbi çështjet që variojnë nga politikat mbi energjinë tek siguria rajonale dhe të drejtat e njeriut.

Goditja më e fundit ndaj këtij partneriteti që daton prej dekadash erdhi në tetor, kur organizata e vendeve eksportuese të naftës OPEC+, mori vendim të ulë prodhimin e naftës me dy milionë fuçi në ditë, një vendim që Shtëpia e Bardhë e krahasoi me radhitjen në krah të Rusisë dhe agresionit të saj ndaj Ukrainës.

Të dielën organizata OPEC+ vendosi t'i përmbahet vendimit të marrë në tetor.

Kina është klienti më i madh i Arabisë Saudite për naftën papërpunuar. Ajo blen rreth një të katërtën e eksporteve të naftës saudite.

Përtej energjisë, analistët thonë se udhëheqësit e dy vendeve pritet të diskutojnë mbi marrëveshje të mundshme që mund të sigurojnë një përfshirje më të madhe të kompanive kineze në projekte madhore. Këto projekte janë tejet të rendësishme për vizionin e Princit Mohammed i cili synon shkëputjen e ekonomisë saudite nga varësia që ka nga nafta.

Mes këtyre projekteve është dhe ai i ndërtimit të një megaqyteti futurist, në vlerën e 500 miliardë dollarë që do të njihet si NEOM. Qyteti i së ardhmes do të varet shumë nga teknologjia e identifikimit të fytyrës dhe survejimi.

Presidenti kinez Xi vizitoi për herë të fundit Arabinë Saudite në vitin 2016, në një udhëtim gjatë të cilit ai ndaloi në Egjipt dhe në vendin rival të Arabisë Saudite, Iran.

Princi Mohammed vizitoi Kinën dhe u takua me zotin Xi gjatë një turneu në Azi në vitin 2019.

Lini një Përgjigje