Miku i Putinit blen aeroportin gjerman

5 Shkurt 2023, 18:14Bota TEMA

 

Miku i Putinit blen aeroportin gjerman

Oligarku rus, Viktor Kharitonin, i njohur edhe si mik i ngushtë i presidentit Vladimir Putin, raportohet se ka arritur një akord për blerjen e aeroportit të falimentuar të Frankfurtit, Hahn.

Sipas agjencive gjermane të lajmeve, shuma për të cilën është rënë dakord është prej 20 milionë eurosh, për t’i kaluar numrin më të madh të aksioneve kompanisë NR Holding, pjesë e kompanive të zotëruara nga Kharitonin.

Ky aeroport në Frankfurt, i cili falimentimin e shpalli vjeshtën e shkuar, ka qenë një bazë e shkuar për Ushtrinë amerikane, e cila e përdorte atë për uljen e avionëve të saj.

Godina nuk është e lidhur përmes transportit hekurudhor me qytetin dhe kryesisht, ka shërbyer vitet e fundit për udhëtime “low cost” me vendet e tjera të Evropës.

Veçantia e gjithë situatës po ashtu, ka të bëjë edhe me faktin se Kharitonin, pavarësisht se njihet si mik i Putinit, nuk është sanksionuar nga Bashkimi Evropian, që prej fillimit të luftës në Ukrainë.

Ai madje, zotëron edhe prona të tjera në Gjermani, përfshi një pjesë të pistës së Nurburgring, e cila njihet si më e shpejta në botë dhe ku bëhen testime për supermakina si Bugatti apo Lamborghini.

Ai gjithashtu ka një pjesë të aksioneve në kompaninë Pharmastandard, e cila në vitin 2021 ishte përgjegjëse për prodhimin e vaksinës ruse “Sputnik V”, në luftën kundër COVID-19.

Kjo blerje e aeroportit Hahn, vjen edhe pas polemikave të tetorit, ku kompania kineze për dërgesat ndëroqeanike, Cosco, bleu 24.9% të portit të Hamburgut, i cili është edhe më i madhi në Gjermani.

Fillimisht, kinezët kishin në plan të merrnin 35% të aksioneve për kompaninë, e cila menaxhon portin.

Por, përfundimisht, vetëm çereku i kompanisë iu dha Cosco-s.

Kjo gjë nxiti edhe debatin e madh në Gjermani, sa i përket investimeve të huaja.

 

Lini një Përgjigje