Ministri i Jashtëm ukrainas, Dymtro Kuleba ka thënë se 17 ambasada apo misione diplomatike të Ukrainës në mbarë botën kanë marrë “letra bomba” ose pako që përmbajnë pjesë kafshësh.
“Nisi me një shpërthim në ambasadën e Ukrainës në Spanjë. Por ajo që pasoi këtë shpërthim ishte më e çuditshme, madje do të thosha e sëmurë,” tha Kuleba në një intervistë për CNN.
Një letër-bombë në ambasadën e Ukrainës në Madrid la të plagosur një pjesëtar të stafit. Një prej pakove i është dërguar kryeministrit spanjoll, zëvendëskryeministrit dhe ambasadës amerikane.
Zëdhënësi i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko tha se ambasadat në Hungari, Holandë, Poloni, Kroaci, Itali dhe Austri janë ndër ato që kanë marrë pakot e dyshimta.
Kur u pyet se kush mendonte se qëndronte pas letrave, Kuleba tha: “Ndihem i tunduar të them, të akuzoj Rusinë menjëherë, sepse para së gjithash duhet t’i përgjigjeni pyetjes, kush përfiton?
“Ndoshta kjo përgjigje është përgjigja ruse ndaj tmerrit diplomatik që ne i krijuam Rusisë në arenën ndërkombëtare, dhe kjo është mënyra se si ata po përpiqen të luftojnë ndërsa po humbasin betejat e vërteta diplomatike njëra pas tjetrës”.
Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi për paketat në Madrid. Të mërkurën, ambasada e saj spanjolle tha: “Çdo kërcënim apo akt terrorist, aq më tepër i drejtuar kundër një misioni diplomatik, duhet të dënohet menjëherë”.
Lini një Përgjigje