Rënia e numrit të lindjeve në Japoni, kryeministri i vendit: Shoqëria drejt falimentimit

23 Janar 2023, 22:43Bota TEMA

Rënia e numrit të lindjeve në Japoni, kryeministri i vendit:

Kryeministri i Japonisë ka deklaruar se shoqëria e vendit të tij është në prag të dështimit për shkak të rënies së kuotës së lindjeve.

Në një fjalim përpara ligjvënësve, Fumio Kishida ka nënvizuar se popullsia e vendit është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje “o sot, o kurrë”.

Japonia, me një popullsi prej 125 milionë banorë, vlerësohet të ketë pasur më pak se 800 mijë lindje vitin e kaluar. Në vitin e largët 1970, shifra ishte më shumë se 2 milionë.

Përveçse në Japoni, popullsia po tkurret edhe në shumë vende të botës, përfshirë ato aziatike, por atje problemi është më akut.

Kjo, pasi jetëgjatësia është rritur në dekadat e fundit, që do të thotë se ka një numër të lartë të moshuarish dhe një rënie të numrit të punëtorëve që i mbështesin ata.

Aktualisht Japonia ka përqindjen e dytë më të lartë në botë të njerëzve të moshës 65 vjeç e sipër, rreth 28%, pas shtetit të vogël të Monakos.

“Shoqëria japoneze është në buzë të greminës. Fokusimi i vëmendjes në politikat për fëmijët dhe rritjen e tyre është një çështje që nuk mund të presë dhe nuk mund të shtyhet”, ka deklaruar kryeministri Kishida.

Ai ka shtuar se qeveria do të dyfishojë shpenzimet për programet e lidhura me lindjet dhe se një agjenci e re qeveritare që do të marrë përsipër zgjidhjen e problemit do të ngrihet në muajin prill.

Programe të ngjashme kanë ndërmarrë edhe qeveritë e mëparshme të vendit aziatik, por fatkeqësisht kanë rezultuar pa sukses.

Lini një Përgjigje