Rusia nuk pranon çmimin tavan për naftën

3 Dhjetor 2022, 19:41Bota TEMA

Rusia nuk pranon çmimin tavan për naftën

Moska ka bërë me dije se nuk do të pranojë vendosjen e çmimit tavan për lëndën e parë naftë bruto nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat kanë parashikuar se vlera e një fuçie me naftë bruto nuk duhet të tejkalojë shumën e 60 dollarëve.

Masa e parashikuar për të hyrë në fuqi të hënën e 5 dhjetorit, nuk është pritur aspak mirë nga Rusia dhe parashikon shtimin e presionit të Bashkimit Evropian kundrejt Rusisë.

Mirëpo, sipas zëdhënësit për shtyp të Kremlinit, Dmitry Peskov, Moska është përgatitur prej kohësh për një lëvizje të tillë dhe nuk do ta lejojë të ndodhë.

Madje, opsione të tjera rreth kësaj ngjarjeje, po kërkohen nga ekspertët e tregut në Rusi.

“Ne nuk e pranojmë çmimin tavan”, pohoi Peskov, duke risjellë në kujtesë se bazat e këtij vendimi janë hedhur që në shtator, nga vendet e grupimit G7.

Sipas vendeve më të industrializuara të botës, një presion i tillë, do të ndalonte Vladimir Putinin të përdorte arin e zi si financues të luftës që ka ndërmarrë në Ukrainë.

Mirëpo, situata nuk vjen aq e lehtë.

Fjala bie, disa vende të BE-së, ende kanë nevojë të ndjeshme për naftën ruse, për të mbuluar nevojat e tregut të tyre.

Gjermania, është një ndër ato vende, duke krijuar varësi të madhe nga nafta ruse dhe gazi gjithashtu.

Zgjidhje po kërkohen në mënyrë të përshpejtuar, ku një akord është arritur edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, lidhur me gazin, por që përfshin edhe naftën.

Nga ana tjetër, boshllëqet e tregut evropian, ka premtuar t’i ngushtojë edhe Amerika. Mirëpo, kjo e fundit, me veten në rrezik për rritjen e mëtejshme të çmimit, e ka të pamundur të “lëshojë dorën” përtej masës.

E gjithë kjo, në një çast kur në Ukrainë, po përflitet që të ushtrohet presion i mëtejshëm nga vendeve të BE-së, që tavanin prej 60 dollarësh, ta çojnë në 30, si formë më e ashpër goditjeje ndaj Moskës.

Lini një Përgjigje