Zvicra hap debatin për modifikimin e rrezatimit diellor

24 Shkurt 2024, 22:00Bota TEMA
Zvicra hap debatin për modifikimin e rrezatimit diellor

Zvicra ka hapur një debat global lidhur me mundësinë e studimit të zbehjes së diellit. Propozimi lidhet me ngritjen e një grupi ekspertësh të Kombeve të Bashkuara, të cilët duhet të mbledhin informacion për kërkimet e vazhdueshme në gjeoinxhinierinë diellore dhe të krijojnë një panel këshillues që mund të sugjerojë opsionet e patestuara ende të reduktimit të ngrohjes globale.

Propozimi zviceran, i paraqitur në asamblenë mjedisore të Kombeve të Bashkuara që fillon javën e ardhshme në Nairobi, fokusohet në modifikimin e rrezatimit diellor (SRM). Kjo teknikë synon të imitojë efektin e një shpërthimi të madh vullkanik duke mbushur atmosferën me grimca të dioksidit të squfurit, që e reflektojnë një pjesë të nxehtësisë dhe dritës së diellit përsëri në hapësirë.

Qëllimi i këtij propozimi është të sigurohet monitorimi shumëpalësh i teknologjive në zhvillim për ndryshimin e planetit, të cilat përndryshe mund të zhvillohen dhe testohen të izoluara nga qeveritë e vendeve të mëdha ose individët miliarderë.

Felix Wertli, ambasadori zviceran për mjedisin, thotë se qëllimi i vendit të tij është të sigurohet që të gjitha qeveritë dhe palët e interesuara "të jenë të informuar për teknologjitë SRM, veçanërisht për rreziqet e mundshme dhe efektet ndërkufitare".

Por, pavarësisht se sa me qëllim të mirë mund të jetë propozimi, disa grupe mjedisore janë të alarmuar. “Ekziston një rrezik real që mandatimi i UNEP-it për të shkruar një raport dhe për të krijuar një grup ekspertësh për SRM-në mund të minojë moratoriumin ekzistues de facto mbi gjeoinxhinierinë dhe pa dashje të sigurojë legjitimitet për vonimin e veprimeve për të nxjerrë nga loja gradualisht karburantet fosile”, thotë Maria Church e Qendrës për Të Drejtën Ndërkombëtare të Mjedisit (CIEL).

"Ka disa fusha ku komuniteti ndërkombëtar ka vendosur me të drejtë se janë thjesht jashtë kufijve, si eugjenika, klonimi njerëzor dhe armët kimike. Gjeoinxhinieria diellore i përket asaj liste dhe duhet t'i bashkohet asaj shpejt, përpara se bisedat në dukje të padëmshme mbi qeverisjen të na çojnë në një terren të paqëndrueshëm".

Një propozim i ngjashëm u bë po nga Zvricra në asamblenë mjedisore të OKB-së në vitin 2019, por u bllokua nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite. Në atë kohë u tha se bllokimi erdhi për shkak se dy vendet donin të kryenin kërkime në këto teknologji të papenguara nga monitorimi ose rregulloret ndërkombëtare.

Që atëherë, debati mbi kërkimin e zbehjes së diellit është intensifikuar dhe zgjeruar. Në të kaluarën, kjo ka qenë financuar pjesërisht nga industria e karburanteve fosile, por vitet e fundit, janë përfshirë më shumë aktorë, mes të cilëve filantropë, financues dhe sipërmarrës të teknologjisë së lartë, të motivuar nga shpërblimet e mundshme fitimprurëse dhe alarmi në rritje për rreziqet klimatike.

Lini një Përgjigje