"1 miliard dollarë" - Çfarë produktesh bujqësore po eksporton Shqipëria?

27 Gusht 2022, 09:45Ekonomia TEMA

"1 miliard dollarë" - Çfarë produktesh bujqësore

Nga Brixhilda Xhuraj

Një deklaratë e dhënë një vit më parë, por e përsëritur shpesh nga ana e zyrtarëve qeveritarë të Shqipërisë është arritja e eksporteve bujqësorë në shifrën e 1 miliard dollarëve.

Deklarata erdhi fillimisht si një premtim i socialistëve gjatë fushatës së vitit 2021 për zgjedhjet e përgjithshme qendrore.

Por më vonë u theksua se kalimi i tavanit të 1 miliard dollarëve kishte dhe një afat: përmbyllja e mandatit të tretë.

Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë në Republikën e Shqipërisë në një prononcim për Albanian Post ka sqaruar se objektivi është vendosur për vitin 2030 dhe se vendi aktualisht ka një numër produktesh që po eksportohen në mënyrë të qëndrueshme në treg.

A po i afrohemi ndopak synimit?

Ministria për AP-në ka bërë me dije se grupet e produkteve me potencial më të lartë eksporti janë perimet dhe frutat, bimët mjekësore dhe aromatike dhe produktet e peshkut e akuakulturës.

Në përgjigje listohet se eksporti i fruta-perimeve në total për vitin 2021 arriti në vlerën 12.3 miliardë lekëve dhe përbën 26.5% të totalit të vlerës së eksporteve të produkteve bujqësore dhe blegtorale (nga të cilat 72% e përbëjnë perimet dhe 28% frutat).

Top shtetet e destinacionit të eksporteve të perimeve janë Italia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Kosova.

Ndërsa për atë të frutave është Italia, Çekia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kosova.

Edhe në shifrat e publikuara nga INSTAT në 6-mujorin e parë eksportet e zarzavateve në sasi u rritën me rreth 10 %. Kjo ishte rritja më e lartë në krahasim me grupet e tjera të eksporteve.

Një rritje ka pasur edhe në eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Gjatë vitit që lamë pas shifra arriti në vlerën 5.4 miliard  lekë dhe përbën 11.6% të totalit të vlerës së eksporteve të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Në këtë mënyrë, bujqësia mbetet sektori më i madh i ekonomisë shqiptare.

Ekonomia e vendit në vitin 2021 u rrit me mbi 8,5 %, ku bujqësia shënoi rritje me 0.28 %.

Premisat janë për zhvillim të mëtejshëm, në një kohë ku bujqësia po futet në stadin e konsolidimit.

2 Komente

  1. B
    Bumbum

    Po me ça toke do u zhvilloka kjo bujqësi kur fshatari i ka dynym copa copa. Maskarenj shkatrruat pronën private dhe tani talleni me 0.28%

    1. S
      Shkodrani

      Do t'i mbjellim mbi pallatet dhe betonin e PD dhe PS.

    Lini një Përgjigje