Afro 1/3 e punonjësve në të gjithë vendin nuk deklarojnë të ardhura të plota nga punësimi dhe rreth gjysma e përfaqësuesve të biznesit të intervistuar kanë pohuar se punësimi i punëtorëve me kontrata që nuk pasqyrojnë pagën e plotë është një praktikë e zakonshme.
Në këtë konkluzion del strategjia për Aftësi dhe Punësim 2023-2030 e hedhur për konsultim së fundmi, ku duke marrë në analizë numrin total të të punësuarve me pagë, rezulton se rreth 200 mijë punonjës janë të nëndeklaruar, çka u sjell atuyre kufizime në të ardhurat për pensionin e pleqerisë, në kreditim apo forma të tjera financimi.
Gjithashtu, sipas dokumentit, infomaliteti në punë ka përmasa edhe më të mëdha, pasi në vitin 2021 rezulton se vetëm 47.9% e të punësuarve në shkallë vendi, janë të punësuar me pagë , ndërsa pjesa tjetër janë punëtorë pa pagë që punojnë si të vetëpunësuar apo me familjet e tyre, apo informalë. Referuar strategjisë, punësimi informal edhe pse në trend rënës, mbetet relativisht më i lartë tek të rinjtë, punëtorët me kualifikim të ulët dhe në sektorë të caktuar të ekonomisë, si: bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet e ushqimit dhe të akomodimit.
Punësimi informal dhe pa pagë të caktuar, deri në një fare mase, pasqyrohet në përqindjen e lartë të punësimit në bujqësi: 34 për qind e të gjitha vendeve të punës Tranzicioni i ekonomisë nga bujqësia drejt industrisë dhe shërbimeve si dhe drejt ekonomisë së gjelbër dhe digjitale parashikohet të sjellë përmirësime në këtë fenomen.
Për të përmirësuar ndërgjegjësimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë, kërkesave ligjore të kushteve të punës, strategjia parashikon që institucionet të forcojnë sistemin informues e këshillues, përfshirë shërbimet për bizneset, si dhe të përdorin masa administrative për të parandaluar dhe minimizuar shkeljet e legjislacionit të punës, sidomos ato që lidhen me marrëdhëniet e punës, e sigurisë dhe shëndetit në punë.(Scan)
Lini një Përgjigje