
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në cilësinë e institucionit drejtues të Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, organizoi një takim të Grupit Ndërinstitucional për Përgatitjen e Integrimit Evropian (GNPIE), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Bankës së Shqipërisë, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Zyrës së Kryenegociatores.
Takimi u zhvillua për koordinimin e aktiviteteve lidhur me detyrimet e integrimit evropian, me fokus progresin në zbatimin e masave të Planit të Punës për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare” dhe hapat e mëtejshëm të konsultimit, finalizimit dhe miratimit të akteve prioritare.
Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe negociatorja e Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, znj. Adela Xhemali, theksoi se faza aktuale e procesit të integrimit kërkon koordinim të ngushtë ndërinstitucional, planifikim të detajuar dhe adresim në kohë të çështjeve që lidhen me përmbushjen e detyrimeve të përafrimit me acquis të Bashkimit Evropian.
Znj. Xhemali vlerësoi progresin thelbësor të arritur nga takimi i mëparshëm, duke theksuar se avancimi i qëndrueshëm në Kapitullin 9, nuk varet vetëm nga miratimi formal i legjislacionit, por edhe nga cilësia e transpozimit, koherenca e kuadrit rregullator dhe gatishmëria institucionale për zbatimin efektiv të acquis të Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesit e institucioneve diskutuan mbi fillimin e konsultimeve me palët e interesit, si një hap i rëndësishëm paraprak përpara fillimit të procedurave të konsultimit të gjerë publik.
Lini një Përgjigje