Dielli si shpëtim për bizneset, mungojnë incentivat për panelet fotovoltatike

10 Shtator 2022, 18:06Ekonomia TEMA

Dielli si shpëtim për bizneset, mungojnë incentivat për

Shqipëria ka miratuar që në 2017-n ligjin për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, si ajo nga dielli dhe era. Ligji u mundëson bizneseve dhe familjarëve që të instalojnë panele për përmbushjen e nevojave të brendshme të konsumit, me kusht që kapaciteti i tyre të mos kalojë 500 kilovat.

Në nenin 15-të të tij, ligji ngarkon Ministrinë e Energjetikës dhe Qeverinë që të miratojnë metodologjinë e blerjes së tepricave të energjisë, edhe për prodhuesit nën këtë kapacitet. Por, aktualisht kjo nuk ndodh dhe në takimin e mbajtur me përfaqësues të biznesit të premten, Kryeministri Edi Rama mbylli çdo mundësi që kjo të ndodhë.

“Është koha për t’i rënë lapsit të gjithë dhe për të mos kërkuar që investimet për të prodhuar energji në fabrikë të pranohen nga shteti si investime të cilat duhet të përkthehen në një shkëmbim energjie ne rrjet”, tha Rama

Nën 500 kilovat, investimet kryhen kryesisht nga bizneset e mesme, të vogla dhe familjarët. Bizneset janë më shumë të interesuar për instalimin e paneleve me kapacitete 20 deri në 150 kilovat. Kostot e investimit varen nga dy faktorë, kapaciteti i instaluar dhe zgjedhja nëse tepricën duan ta depozitojnë nëpër bateri të posaçme, apo të hedhin në rrjet.

Nëse zgjidhet rruga e parë, investimi për çdo kilovat të instaluar përllogaritet në rreth 700 euro dhe 500 euro nëse zgjidhet rruga e dytë. Pra, nëse një biznes instalon panele diellore me kapacitet 100 kilovat dhe vendos ta ruajë tepricën e prodhuar nëpër bateri për të shfrytëzuar gjatë ditëve pa diell, apo gjatë natës, kostoja totale shkon të paktën 70 mijë euro. Nëse zgjedh që tepricën ta hedhë në rrjet pa e marrë mbrapsht, kostoja shkon të paktën 50 mijë euro.

Kompanitë e ofrimit të sistemeve të paneleve diellore përllogarisin një periudhë nga 5 deri në 10 vite që biznesi të marrë mbrapsht investimin e kryer dhe një periudhë nga 10 deri në 25 vite për familjarët.

Ky është një faktor shkurajues në zhvillimin e këtij tregu dhe në tryezat e organizuara që në 2019 me Ministrinë e Energjisë, përfaqësues të biznesit kërkojnë ndryshimin e skemës së matjes, nga mujore në vjetore, duke qenë se prodhimin më të madh e kanë gjatë muajve të verës kur dita është më e gjatë dhe rritjen e kufirit të kapacitetit të instalimit, pasi shumë prej tyre nuk plotësojnë nevojat e veta për konsum.

Ky pretendim i sipërmarrjes konfirmohet edhe nga të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2021. Enti thotë se vetëprodhuesit e energjisë elektrike plotësuan vetëm 25 për qind të nevojave të tyre për energji në 2021 dhe pjesën tjetër e morën nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Në total, panelet diellore nën 500 kilovat, sipas ERE, prodhuan 2.6 mln kilovat dhe konsumuan rreth 7.7 mln kilovat nga rrjeti i OSHEE.

Në 2021 prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri nga dielli dhe era ishte rreth 1 për qind e prodhimit neto vendas. Në BE energjia diellore përbënte 5.5 për qind të prodhimit të përgjithshëm në vitin 2021. Por, Shqipërinë e lënë pas edhe vendet e rajonit, me më pak ditë me diell, siç është Maqedonia e Veriut, që prodhoi 2 për qind të energjisë nga panelet diellore në 2021.(Euronews)

2 Komente

  1. 6
    64 vjeçari

    Ne nje kohe kur kilovatin e energjise po e tenderon per blerje nga jashte me cmimin sa frengu pulen,kur nuk ploteson nevojat vjetore me energji per popullaten dhe biznesin,atehere ne mos cmenduri eshte keqdashesi te mos paguash bizneset per tepricen e energjise qe kane futur ne rrjet.Me shume te drejte bizneset kerkojne qe bilanci i pagesave te behet vjetor.Kam nje biznes ku kam investuar 5 milion leke per panele fotovoltaike.Konsumoj rreth 85000 kw ne vit.Per gjashte muajt tetor- mars , i paguaj shtetit rreth 450.000 lek te reja, kurse per gjashte mujorin tjeter te vitit,shteti merr gratis prej meje rreth 25000 kw.Perse te mos e paguash biznesin me nje cmim te arsyeshem per kete produkt te paster qe ti o shtet ja merr gratis dhe ja shet ne rrjet duke nxjerr perfitime prej tij?Perse ende i shikoni bizneset si kulaket ne diktature?Perse nuk e zgjidh kete problem qeveria me qellim qe shume biznese qe kane mundesite praktike te hapsirave instaluse dhe mjeteve financiare,te investojne duke mbuluar jo vetem shpenzimet e tyre me energji,por edhe te prodhojne me teper nga nevojat,sepse shume mire i bene ekonomise dhe popullates se vendit.Merruni me zgjidhjet optimale te problemeve me te vertete shqetsuese per vendin dhe jo me lobime per bastesh apo favorizime monopolizuese tregu.

    1. E
      Eni

      Tregu Shqiptar eshte Monopol dhe I mbyllur...ktu ku jetoj une energjine e ofrojne te pakten 6 kompani.

      Lini një Përgjigje