Prej disa javësh zyrtarë të Korporatës Elektroenergjitike dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë janë në diskutime për të vendosur çmimin me të cilin KESH do t’i shesë energji OSHEE për vitin e ardhshëm.
Aktualisht KESH e shet energjinë që prodhon nga kaskada e Drinit 2.4 lekë për kilovat orë, dhe më pas OSHEE ia shet konsumatorit me çmimin 9.5 lekë, duke llogaritur brenda kësaj tarife edhe kostot e transmetimit, shpërndarjes në rrjet, faturimin dhe investimet.
Pas dakordësimit të çmimit mes dy kompanive, qeveria do të miratojë me vendim vlerën që KESH do të tregtojë energjinë për OSHEE.
Kjo pikë po mban “peng” edhe aplikimin që OSHEE duhet të bëjë pranë Entit Rregullator të Energjisë për ndarjen me fasha të çmimit të energjisë elektrike.
Synimi është që ERE të pranojë të lerë të pandryshuar tarifën 9.5 lekë për konsumatorin familjar për një konsum mujor deri në 800 kilovat orë, dhe mbi këtë sasi çmimi të jetë sipas tregut dhe kostove reale të blerjes të energjisë.
Në vitin 2014 Enti Rregullator hoqi fashat e faturimit të energjisë me kërkesë të kompanisë OSHEE për shkak të problemeve që kishte me keqfaturimin, por situata e vështirë hidrike dhe çmimet e larta të energjisë kanë detyruar qeverinë të kërkojë rikthimin e tyre.
Të premten çmimet e energjisë kapën një rekord duke u shitur me 705 euro për megavat orë në periudhë normale dhe deri në 760 megavat në orët e pikut.
Lini një Përgjigje