FOTOT: Biznesi në Tiranë i bëri ca gola që pa nisur ndeshja

25 Maj 2022, 20:05Ekonomia TEMA

FOTOT: Biznesi në Tiranë i bëri ca gola që pa nisur ndeshja

Finalja e Ligës së Konferencës që do të mikpritet sonte në Tiranë, ka emocionuar edhe bizneset. Ardhja e mijëra tifozëve rrallë ngjet.

Pasi pandemia i ngërtheu për ca kohë në një spirale krize, ky eveniment është një rast i mirë për të rikuperuar humbjet dhe ata janë vënë tërësisht në dispozicion të tij.

Kërkesat e larta për frekuentim në bar-et dhe restorantet e Tiranës të cilat filluan që dje(24 maj)janë shpresëdhënëse për pronarët e bizneseve.

Në qendër, stendat e birrave janë ngritur.

Zhurmnaja që gjallonte në Pedonalen e Tiranës nuk mund të shkonte pa ta. Pronarët e “Nostalgia Bar” dhe “Noel” thonë se e kanë humbur numërimin e birrave që kanë servirur për tifozët.

“Kërkesa ka qenë jashtëzakonisht e lartë. Që dje në drekë tifozët holandezë nuk u shkëputën fare nga Pedonalja. Kanë qëndruar gjithë kohës këtu duke pirë saqë dhe vetë ne jemi detyruar të porosisnim herë pas here birra pasi na mbaronin.

E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Në darkë presim që kërkesa të arrijë kulmin duke qenë se edhe një nga ‘Fun Zone-s’ do të jetë këtu pranë tek Reja”, thotë njëri prej tyre.

Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bar-eve dhe Restoranteve thekson se ky është momenti që të gjithë bizneset të kompesojnë një pjesë të konsiderueshme të humbjeve që kanë patur.

Përgjatë gjithë perimetrit të rrugëve të Tiranës, kafenetë janë plot. Një pjesë e madhe e tyre kanë dedikuar hapësira të veçanta vetëm për konsumin e birrave, duke e kthyer atë në kryefjalën e ndeshjeve. E në fakt, jo pa të drejtë.

Ata e njohin tipologjinë e tifozëve holandezë të cilët pa birrën nuk bëjnë dot dhe sfidojnë edhe ‘besnikërinë’ e shqiptarëve ndaj saj.

Stefan Pinguli, drejtuesi i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës vendase thotë se kompanitë importuese dhe prodhuesve të birrës do të përfitojnë jo pak.

Birra shqiptare që prej vitesh e ka pritur komardaren e shpëtimit nga të huajt është pëlqyer nga tifozët holandezë të cilët janë shprehur se kanë çmim shumë të lirë krahasuar me birrat në vendin e tyre.

Nga e njëjta eufori janë përfshirë edhe tur-operatorët turistikë.

Ata presin një rikthim të këtyrë tifozëve si turistë dhe shpresojnë se e gjithë kjo reklamë të mos shërbejë si anti e tillë.

Klensen Gjoni, pronari i “Centrum Hotel” i cili ndodhet në zonën e Galerisë, tek ish-Kinema 17 Nëntori, thotë se kjo është një ngjarje që u nevojitej bizneseve shqiptare. Ai është marrë prej vitesh me turizmin.

 “Dhomat u rezervuan prej kohësh me çmimet standarde nga 20 deri në 38 euro varësisht hapësirës së tyre. Të të luhet një finale në kryeqytet është promovim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë sepse një pjesë e konsiderueshme e turistëve të huaj, nuk e dinë as ku ndodhet shteti ynë. Duhet të përfitojmë në afatgjatë nga kjo. Nëse do të dimë ta shfrytëzojmë, turizmi do të përfitojë jo pak.”, shton Gjoni.

Mandej ai thotë se jo vetëm hotelet por edhe shtëpitë me qira dhe hostele-t kanë qenë të rezervuar prej ditësh nga tifozë të ndryshëm.

Pronarët e stendave tek “Sheshi Skënderbej” presin të korrin fitime të larta.

Aty do të ketë një organizim të veçantë, të quajtur “Fan Fest” ku të gjithë njerëzit mund të hyjnë dhe ku do të ketë lojëra futbolli për të gjithë. Prania e njerëzve që do të jenë aty për të parë ndeshjen pritet të jetë e madhe.

Njëjtë do të ndodhë edhe me dy “Fun Zones” të tjera që do të jenë tek Reja dhe tek Diga e Liqenit.

Çmimet janë rritur me rreth 15%. Jahaj thotë se nuk do të ketë abuzime në masë.

Sipas tij njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe janë të vetëdijshëm që duhet të mendojnë në afatgjatë.

Tirana më shumë se thjesht një destinacion, sot ngjan me një shtëpi të madhe e cila ka hapur dyert me shpresën, se do të ketë një tjetër kthim… si turistë.

Lini një Përgjigje