Kriza në sigurinë ushqimore dhe populisti Erion Braçe

18 Qershor 2022, 18:09Ekonomia TEMA

Kriza në sigurinë ushqimore dhe populisti Erion Braçe

Në një vend ku nuk mungon nostalgjia për komunizmin, nuk është çudi që koncepte të tilla si “të prodhojmë grurin me forcat tona” apo “borgjezët gjakpirës” të kthehen sa herë që nuk ka ndonjë alternativë politike serioze dhe në këtë kontekst mund të interpretohen edhe protestat e opozitarit socialist, Erion Braçe.

Mendjet më të mëdha të botës janë duke menduar se si të zgjidhet vështirësia në sigurimin e ushqimeve të lira për vendet më të varfra të planetit, kryesisht vendet në Afrikën nënSahariane. Problemet kanë lindur që para luftës në Ukrainë me rritje të shpejtë të çmimeve në rang global të shkaktuara pjesërisht nga telashet e shkaktuara nga COVID-19 në zinxhirin e furnizimit dhe pjesërisht nga emetimi bujar monetar në shumicën e vendeve të botës përgjatë periudhës së pandemisë, gjë që ka krijuar kursime të tepërta dhe rrjedhimisht, para të lira për t’u shpenzuar, gjë që detyrimisht sjell rritje çmimesh.

Zgjidhjet variojnë nga përpjekja për të krijuar një korridor detar për eksportimin e grurit ukrainas, te këshillat e Bankës Botërore për të rritur ndihmën për të varfrit, pra që shtetet individuale të ndihmojnë më shumë popullsinë e vet më të prekur nga rritja e çmimeve, si dhe shtetet e pasura të ndihmojnë më shumë shtetet e varfra përmes faljes së borxheve, pra që shtetet e varfra të kenë më shumë para në dispozicion për të ndihmuar popullsinë e vet të varfër. Zgjidhjet që bankat qendrore kanë filluar të ndërmarrin është rritja e interesit bazë, me qëllim që më pak para të shpenzohen në terma afatshkurtër për të ftohur kërkesën për mallra dhe rrjedhimisht, për të ftohur çmimet.

Përkundër këtyre ideve konkrete me politika konkrete dhe të komplikuara, shqiptarët dëgjuan një shpërthim protestues nga anëtari i shumicës qeverisëse, Erion Braçe, i cili ka zgjedhur të pozicionohet si populist. Sipas Braçes, Shqipëria duhet të ulë varësinë nga importet e grurit, ndërsa u ankua duke thënë si fakt se “grosistët e blejnë lirë grurin” dhe përmendi “grurin nga Serbia” (nënkupto: armiku serb) si dhe problemet e qepëve dhe domateve dhe lodhjen e fshatarit “për të rrëmuar me duar” pataten. [Link]

Harroje agregatin monetar, grurin e bllokuar në Ukrainë, minat në Detin e Zi, problemet e shkaktuara nga barrierat kufitare të vendosura në formën e ndalimit të eksporteve apo të tarifave për eksport nga vendet prodhuese të ushqimeve! Harroje edhe këshillën e Bankës Botërore për të ndihmuar të varfrit, të cilët janë ata që po vuajnë më shumë rritjen e çmimit të ushqimeve. Erjon Braçe këshillon që bujqësia shqiptare të ketë bursë, sepse sipas tij në këtë mënyrë “bujku do të marrë djersën e tij”. Ai ka gjetur edhe fajtorin se pse një pjesë e tokave bujqësore në Shqipëri nuk punohen dhe sipas Braçes, fajtorë janë: “grosistët e grurit”. Të nesërmen e kësaj deklarate të bujshme, Braçe bëri një sherr tjetër duke korrigjuar ministren e bujqësisë mbi vendndodhjen e fshatit Bubullimë. Sipas ministres, Bubullima është në Divjakë, ndërsa ish-zv/kryeministri e di më saktë, ky fshat është në Lushnjë. Jepi edhe dy tre ditë kohë dhe ka shumë gjasa që “grosistët e grurit” do të bëhen “borgjezë gjakpirës”, ai që nuk mbjell grur do të shpallet tradhtar, ndërsa importuesi i grurit serb, armik!

Kjo do të ishte e gjitha e tmerrshme, por në fakt nuk është. Historia në fakt nuk e përsërit vetveten, por ne mund të mësojmë prej saj, këshillon Timothy Snyder, një historian i totalitarizmit. Por nëse nuk mësojmë prej saj, ka gjasa që historia nuk përsërit vetveten, por ne përsërisim të njëjtat gabime, një herë si tragjedi dhe herën pasuese, si komedi, apo bufoneri. Shprehja e famshme e Marksit, thënë edhe në atë kohë kur u tha me një dozë të dallueshme ironie, mund të na shërbejë edhe sot.

Koncepti i vetëmjaftueshmërisë, ose ekonomisë pa borxhe të jashtme, sado që janë krejtësisht të pavërteta nga pikëpamja historike (Shqipëria nuk ka qenë kurrë as pa borxhe të jashtme dhe as me vetëmjaftueshmëri ushqimore, as në vitet ’80) duket se janë gënjeshtra të fuqishme. Pablo Neruda i ngriti një poemë Shqipërisë që “prodhon grurin në vend” ndërsa edhe sot, njerëz jo dosido, vijojnë të magjepsen nga ideja. Pak ditë më parë, në London Review of Books Thomas Meaney botoi një shkrim mbi librin e Lea Ypit Të lirë, një shkrim shumë i studiuar dhe me kritika shumë të arsyeshme. Meaney, një amerikan që jeton në Berlin, pati gjetur për këtë shkrim informacion edhe për korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës me koncesionet, dhe nuk i ka kaluar pa vënë re se Lea Ypi “nuk ka kritika për Ramën”; e megjithatë, pavarësisht se sa seriozisht pati gërmuar për këtë shkrim, edhe ai duket se e ka ngrënë karremin. Ai e përshkruan Shqipërinë e kohës së komunizmit si një vend me “modernizim të shpejtë”, me “autonomi bujqësore të plotë”, dhe pa kredi e pa koncesione! Këto të fundit ai i cilëson si “thembra e Akilit” të shteteve të tjera komuniste. (Sa për rekord, Shqipëria nuk ka qenë kurrë pa borxhe. Njëherë mori borxhe nga Jugosllavia, pastaj nga Bashkimi Sovjetik dhe pastaj nga Kina. Në thelb, thyerjet e famshme politike me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën ishin praktikisht faliment dhe refuzim për të paguar këto borxhe. Kina vijoi të financonte fabrika në Shqipëri edhe pas thyerjes politike.) Duke parë se sa shumë joshëse janë këto koncepte, pra që të mos të ta ndjejë për të huajin sepse “ke grurin tënd” apo të ndjehesh i lirë nga borxhet, nuk është çudi që thirrjet e Braçes “për të ulur varësinë nga importet” rezonuan.

Që të kthehemi te komedia shqiptare, z. Braçe nuk ka pse të shqetësohet për “varësinë nga importet” dhe as për importet e grurit nga armiku serb. Sipas të gjitha gjasave, Shqipëria nuk ka për t’u bërë ndonjëherë prodhues neto ushqimor si Ukraina dhe as nuk ka nevojë të bëhet. Në botën moderne, siguria ushqimore garantohet duke pasur lidhje tregtare dhe para për të paguar ushqimet e importuara. Shqipëria ka dalje në det dhe është anëtare e NATO-s, gjë që të garanton importe të sigurta dhe kanale detare të hapura, të mbrojtura nga aleanca më e fuqishme që ka njohur ndonjëherë planeti tokë. Fshatari shqiptar do të prodhojë atë që ka leverdi të prodhojë, për aq kohë sa ka leverdi ta prodhojë. Toka do të mbetet e papunuar, kur nuk ka leverdi për ta punuar. Nuk ka rëndësi nëse fshatari mbjell grurë apo mbjell zarzavate, të cilat i shet në treg për të blerë bukë. Edhe e kundërta, pra që të prodhosh grurë për treg dhe të blesh zarzavate, nuk ka asgjë të gabuar për sa kohë del me leverdi. Gruri, ai malli magjepsës me të cilin bëjmë bukë dhe që për shumicën tonë është mallkim, sepse na shëndosh dhe na bën mbipeshë, aq sa rekomandohet të mos e konsumojmë, përbën një pjesë fare të vockël të konsumit të përgjithshëm apo të ekonomisë kombëtare. Sado që të shtrenjtohet gruri, vendi nuk ka rrezik të mbetet pa bukë. Po, një pjesë e popullsisë, ajo që është më e varfër, ka nevojë për t’u ndihmuar në mënyrë që të mos vuajë nga rritja e çmimeve, ndërsa pjesa më e madhe e shoqërisë botërore, përfshirë edhe atë shqiptare, vuajnë jo nga mungesa e grurit, por nga mbipesha.

Po, Shqipëria ka njëmijë e një probleme, të cilat partia ku z. Braçe militon dhe ndaj së cilës bën opozitë populiste false, i ka krijuar dhe as nuk ia ndjen që t’i zgjidhë. Po, prodhimi bujqësor ka potencial që të rritet në Shqipëri për shkak se vendi ka diell dhe ujë dhe gjendet ngjitur me tregje të mëdha konsumatore të pasura. Por problemet e bujqësisë vështirë se janë “grosistët spekulantë” edhe as importuesit e grurit nga armiku serb.

Ligji 7501 i ndau ato 450 mijë hektarë tokë të vetme që vendi i ka të punueshme dhe të përshtatshme për prodhim në masë, në mbi 1.8 milionë parcela me madhësi mesatare 0.2 hektarë, të cilat janë nën pronësinë teorike të mbi 2 milionë shqiptarëve që në vitin 1991 e gjetën veten banorë në fshat. Këta janë pronarë teorikë, për shkak se shumica dërrmuese e këtyre tokave janë pa dokumente pronësie për shkak të kostos së tmerrshme të korrupsionit që kërkohet për të regjistruar prona nga e para. Që të prodhosh ndonjë lloj gjëje në ekonomi shkalle, doemos të duhet që këto parcela të bashkohen në ferma të mëdha që punojnë me mjete mekanike, ferma aq të mëdha sa të jenë në gjendje të punësojnë specialistë me paga të konsiderueshme. Por për sa kohë parcelave të tokës nuk u është lëshuar titulli i pronësisë, ka pak gjasa që pronësia do të mund të konsolidohet, së paku jo tani shpejt.

Bujqësia ka gjithashtu problemin që numëron 400 mijë “të vetëpunësuar”, afërsisht 1 të punësuar për hektar, në një kohë kur në vende normale, mjaftojnë 5 apo 10 apo 20 të punësuar për 1 mijë hektarë. Logjikisht, nëse do të rrisësh prodhimin, kjo do të thotë që pjesën dërrmuese të këtyre 400 mijë “të vetëpunësuarve” t’i sjellësh të punojnë në punë jobujqësore, por me çmimet e apartamenteve të ngjitura në stratosferë nga korrupsioni dhe krimi, ky transferim normal i fuqisë punëtore nga sektorë me rendiment të ulët si bujqësia te sektorë më fitimprurës, nuk pritet të ndodhë as shumë lehtë dhe as shumë shpejt. Një alternativë do të ishte që njerëzit të jetojnë në fshat, por të punojnë në qytet duke udhëtuar me mjete të transportit publik. Por me copëzimin e transportit publik nëpër kompani private, për të cilën, partia e z. Braçe ka një kontribut të veçantë, është e pamundur që të mendosh se vendi ka me të vërtetë shërbim të transportit publik, i tillë që të jetë në gjendje të ofrojë shërbim të rregullt, të përballueshëm dhe efikas në të gjithë territorin e vendit.

Mirë është që në parlament të diskutohen dhe të propozohen zgjidhje për pafundësinë e problemeve që ka fshati, por edhe qyteti. Por kjo nuk ka se si të ndodhë për shkak se suksesi politik varet nga korrupsioni sistemik dhe për rrjedhojë, çfarëdolloj politike ekonomike që nuk prodhon korrupsion, nuk vlen. E në këto kushte, populizmat me armiq dhe fjalë mallëngjyese me fshat dhe pavarësi dhe mungesë borxhesh dhe grurë të prodhuar vetë janë të vetmet gjëra të disponueshme për të tërhequr vëmendjen, sado qesharake që të jenë.(BIRN)

13 Komente

  1. S
    Sqepari

    Ju qe peshtyni mbi but qe sine e asaj kohe qe quhej socializem, lini dokrrat dhe mesoni se prodhimi intensiv kerkon keto kushte: hapesiren, mekanizimin, ujitjen, plehun dhe farat, qe i kishte, por si ka me! Beni gam-gam kot,... O ju marrte parashikimi i Maltusit!

    1. A
      Anri

      Beni mire qe helmin qe keni ta hidhni ne menyre me moderne. Nuk ka rendesi ndaj Braces apo te tjereve. Politika e pasviteve 90' solli fuqizimin e faktoreve varferues te brendshem qe e kombinuar me ate 7501 e famshem dhe me faktore te tjere globale na beri hallken me te dobet ne rajon. Perralla me importet e me parate qe tregon vertetojne qe per ekonomine merr vesh aq sa mund te marresh vesh nga Elion Musk. Nuk mbroj Bracen por dihet qe politikat proteksioniste te prodhimit te brendshem, subvencionet e ndershme dhe cdo gje qe behet me shpirt e pasion per shendetin e qytetareve funksionon nese eshte deshira e mire. Nuk po i futem me argumentave se ti ke ngelur akoma ne minat e Detit te Zi e veshtire te dalesh..Mos ngaterro nostalgjine ndaj sistemit me mireqenien e nje populli te tere sepse me duket se dhe ate diplome gazetarie e ke te dyshimte..

      1. k
        katarakti

        Shkrim më idiot nuk kam lexuar. Braçe ka plotësisht të drejtë kur kërkon qê malli shqiptar të mbrohet nga konkurrenca e huaj që subvencionohet. Dhe njê vend pa borxhe dhe me një vetmjaftueshmëri prodhimesh bujqësore, blegtorale dhe industriale - është diçka shumë e dobishme. Ky shkrim përfaqëson këndvshtrimet globaliste dhe liberale të elitave të kësaj kohe. Që duan të shkatërrojnë vendet, popujt, familjen sovranitetin dhe kush lufton kundër tyre quhet populist!

        1. Q
          Qytetari i Thjeshte

          Analize brilante, sakte shkurt dhe qarte! Komunizmi ka deshtuar si ideologji, nese nuk e kuptojme kete aksiome do vazhdojme te perpelitemi ne zall si peshku pa uje! Te kuqte nuk e kuptojne dot nderveprimin e tregjeve dhe jane gati te hane bare mjafton te rroj partia dhe ideologjia.

          1. s
            skelari

            Kendveshtrim perfekt!

            1. 7
              77

              Shkrim medioker, toksik, irritues dhe me po aq parafabrikate e paragjykime sa sjellja e Braces. Akoma edhe me i neveritshem, monologu depresiv me lluc antikomuniste. Terma si sovranitet alimentar, sovranitet energjitik, sovranitet lendesh te para, sovranitet industrial-teknologjik-ushtarak, jane shinat mbi te cilat leviz cdo shteti serjoz. Te tille terma nuk nenkuptohen ne nivele absolute te nje sovraniteti 100%. Kjo nuk ka kuptim. Por si te shfrytezosh kontekstin historik dhe si te investosh energjite e vendit per te rritur pavarsine ne sektoret strategjike. Shembulli me i mire eshte Israeli me agrikolturen, industrine ushtarake, teknologjine, ujin etj, etj. Por edhe Kina apo India se fundmi, qe duke shfrytezuar kolapsin e raporteve Perendim-Rusi, po perditon gas dhe nafte nga Rusia me cmime te pergjysmuara. Situata e ka sjelle, qe te jete me e varur Rusia nga Kina dhe India per valuten e tyre, se te jene te varur keto dy vende nga nje kollos energjitik. Qe do te thote qe sovraniteti i sektoreve strategjike nuk luhet vetem brenda 4 mureve te shtepise. Ka shtete qe per hir te pozicjonit gjeografik, territorit te madh apo zhvillimit ekonomik, mund te kene superprodhim lendesh te para, lendesh energjitike, prodhimesh agrikolture apo prodhimesh industriale. Ne kete pike shfrytezojne te ardhurat e perfituara nga shitja e tyre per ti investuar ne sektore aspak fitimprures, por strategjike per nevojat dhe kontekstet e se cilit shtet, si p.sh. siguria, armatimi, shkenca, industria ushtarake apo investimet me perfitime te largeta. Ne fund gjeja me alarmante qe nuk kupton asnje gjithollog zhurmues eshte se nje vend krejtesisht i paafte ti sherbeje nevojave prioritare te vetvetes, nuk e meriton te egzistoje per askend.

              1. M
                Mali

                SHKRIM NGA NJE NJERI PA TRU

                1. S
                  SBS

                  Një shkrim i pasur me informacion të bollshëm dhe ide ,i cili merr vlera të një studimi përgjithësies ,ku një vendim marres i rendesishem duhet ta përtypë mirë dhe ka plot për të zgjedhur e për të bërë më pas por me këmbët në tokë pasi përveç se shumë teorik edhe shumë tendecioz me Braçen . Po qe se do isha k/minister këtë artikullshkruesin (mos ki frikë ti autori i shkrimit se nuk ka asnjë shans të ndodhe ) së bashku do të doja ta nisnim punën nga vitet tetedhjet ,e para do të mbushnim burgjet me ish pushtetare e gjyqtare e politikanë ,edhe sikur të mos mjaftonin ambjente do ti linim të rrinin në këmbë ca kohë burgosurit Se dyti të kishte halla k..e do i thoshnim dajo gjë që nuk ndodh por të kishim atë industri dhe are bujqësi e gjithçka tjetër si ishte ,pa lejuar këmbë njeriu të largohej nga vëndi për një 10 ose 15 vjeçar deri sa të futej vëndi në rrugën e duhur me ato asete dhe njerëz të cilat do të sherbenin si ure lidhese për modifikimet ligjore ,administrative dhe financiare e teknike duke bërë nul ligjin 7501 ,privatizimet abuzive ,kontratat konçensionare për burimet dhe rezervat minerare e plot e plot te tjera ,por një gjë kurrë nuk do t'a toleroja ate punën e vartesise totale të borxheve dhe shpresën e zhvillimit nga të tjeret kurre nuk do ta pranoja . Lekun nuk e ha as qëni more mik leku duhet te dalë nga puna ,produkti dhe malli në treg ,jo nga borxhi që të mbyt sa të jesh gjallë dhe brez pas brezi Ka dhe plot e plot te tjera por mos u mërzit se nuk mjafton koha për të bërë gjith ato që më thua e të them ,as unë e ti dhe as Erioni ,sa për populizmin evtij mos e merr me të përpjekur se të dy të rinj jeni keni kohë të bëni sherr kur të plakeni si ne ,deri atehere ndihmoni konkretisht për vëndin dhe popullin .

                  1. A
                    Argjon

                    Mirë mo mirë, por nuk na shpjeguat përse është më e leverdishme për tregtarët të blejnë më shtrenjtë grurë me cilësi të ulët nga Serbia dhe të lënë prodhimin vendas me vlera të larta ushqyese?! Ky është Ballkani i Hapur? Rilindësit dikur shkruanin vepra me titull "Bagëti e bujqësi", nënkupto begati. Ndërsa këta të sotmit nëse arrijnë të shkruajnë një dyfletësh, mundet ta titullojnë vetëm "Bujqër dhe Ujqër". Çfarë të presim nga ata që me fjalën miell nënkuptojnë lëndë çudibërëse dhe jo fjalën e lashtë "BUKË"?!

                    1. F
                      Futja kot

                      Bravo për shkrimin. Analizë perfekte. Brace ka mbetur student i kohës së komunizmit pasi ka marrë një diplomë por nuk ka punuar asnjë ditë. Ka nostalgji puçiruku Braçe dhe për çudi sa qe Zv/kryeministër mbeti si miza në qyp dhe nuk ja dëgjuam zërin. Nëse do ti dëgjohet zëri me trapllëqet e tij le të bashkohet me komunistin Sali dhe të ndërtojë socializmin ne forcat e veta.

                      1. N
                        Një mik që të do të mirën.

                        Broçkulla. Brace ka të drejt në ato që thotë. Një fermer italian që prodhon në zonën e Vlorës e shet grurin në Itali, sigurisht më shtrenjtë se ce marrin grosistet shqiptar, dhe këta të fundit e blejnë këtë grurë nga Italia po më shtrenjtë për të prodhuar makarona speciale në Shqipëri. Tani ku e ka gabim Bracja këtu? Pastaj se partia e Braces ka pjesën e saj në katrahurën shqiptare, kjo nuk do të thotë që Bracja të mbylli gojën. Mundësia e Shqipërisë për zhvillimin ekonomik është resorset natyrore dhe bujqësia. Kjo e fundit është kontribusja më e madhe në buxhetin e shtetit dhe merr investimet më të vogla. Paradoks apo? Pastaj se të shëndoshë apo të dobëson gruri kjo është qesharake. Shqiptarët hanë bukë se u ka munguar gjella dhe një pjesë të mirë të popullsisë u mungon edhe buka edhe gjella. Shqipëria është kthyer në lavatrice të pastrimit të parave të qelbura, kjo falë mungesë së të ardhurave nga puna. Parat nuk bien nga qielli. Prandaj lum miku shkruaj kur të jesh esëll.

                        1. T
                          Transparent

                          Se sa funksiononte ekonomia globale, e vertetoi kriza e COVID-it. Te gjithe mbyllen kufijte, i harruan marrveshjet dhe angazhimet midis shteteve dhe shikonin bythen e tyre. Lufta per te siguruar vaksina, duke menduar vetem per vehte ,tregoi qe ne fund te fundit gjithkush sheh interesin e vet. Ne se ky qendim i qeveribve te Europes e me tej, perseritet me krizen ushqimore qe po troket, pasojat do jene akoma me te mesha. Njerzit mund t'u detyrosh te mos dalin rrugeve, apo te vendosin maskat ne fytyre...por nuk mund t'i detyrosh te mos hane.

                          1. f
                            faruk

                            Kete te shkretin e ze dhe birra pa alkol... Mbete gjithmon duke bere si gore, kur ishe zv. kryeminister fjete gjume sepse nuk di te besh nje pune vetem leh ham, ham, ham...

                            Lini një Përgjigje