Indeksimi i çmimeve të konsumit, prej muajsh, kanë parë vetëm rritje dhe gjatë gushtit 2022, ato kanë kapur shifra rekord në vitet e fundit, mbi të gjitha sa i përket ushqimeve dhe transportit.
Sipas publikimit të fundit nga Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT), rritja krahasimisht me një vit më parë, në tërësi, është me 8%. Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar me atë 2020, indeksimi kapi vlera deri në 2.4%.
Por, lufta në Ukrainë si edhe kriza energjetike që ka kapluar gjithë Evropën, kanë dhënë pasojat e tyre të menjëhershme në indeksimin e çmimeve.
Ndikimin më të madh në termat e ndryshimit vjetor, e kanë kapur ushqimet, me 4.88 pikë.
Në terma të rritjes në përqindje me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ushqimet janë rritur me 14%.
Transporti, pavarësisht se në terma vjetorë luan me +1.12 pikë në indeksim, në kushtet e krahasimit me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ka shënuar rritje me 19.3% – më e madhja ndër të gjithë sektorët.
Një rritje të ndjeshme e kanë parë edhe qiratë, uji, lënda djegëse dhe energjia, pavarësisht se këtë të fundit, prej kohësh, Qeveria e mbajtur në të njëjtin çmim për konsumatorët familjarë, duke kompensuar vetë rritjen e çmimit të tregut.
Shëndeti dhe shërbimi arsimor janë ndër sektorët me luhatjen më të ulët.
Teksa, tek ushqimoret, rritjen më të ndjeshme e kanë shënuar produktet e vajrave dhe yndyrnave, me 28.8%.
Më pas, ndjekin nënproduktet e bulmetit, me 22.3% si edhe buka e drithërat, me rritje 20.4%.
Në shifra, ushqimet kanë qenë në kuotën e indeksit prej 103.5 pikësh në gusht 2021. Në muajin gusht të këtij viti, ato kanë shënuar kuotën e indeksit prej 118 pikësh.
Transporti është e vetmja kategori, e cila e tejkalon këtë kuotë prej disa muajsh, duke kapur shifrën e 125.3 pikëve. Kjo, për shkak të rritjes eksponenciale të çmimit të hidrokarbureve.
Lini një Përgjigje