Çmimet ‘kërcënimi’ kryesor, BERZH parashikon ulje të konsumit dhe të investimeve

28 Shtator 2022, 18:18Ekonomia TEMA

Çmimet ‘kërcënimi’ kryesor, BERZH parashikon ulje

Rritja e çmimeve mund ta fusë në një efekt zinxhir ekonominë shqiptare, me rënie konsumi, rënie investimesh nga bizneset dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar raportin për perspektivën ekonomike rajonale. Në pjesën për Shqipërinë thotë se inflacioni, megjithëse në nivelet më të ulëta në rajon, mbetet i lartë.

“Rreziqet kryesore në periudhën afatshkurtër janë inflacioni dhe ngushtimi i mundësive të financimit, që do të ndikojnë te konsumi dhe investimet. Ana pozitive është sezoni turistik i fortë, që do të udhëheqë rritjen ekonomike në tremujorin e tretë të këtij viti”, thotë BERZH.

Me gjithë ndikimin pozitiv të turizmit, BERZh vlerëson se ai nuk do të jetë i mjaftueshëm që të prapësojë ndikimet negative të inflacionit dhe për këtë vit dhe vitin e ardhshëm rishikon me ulje rritjen ekonomike të vendit në 3 për qind.

Për të ndalur inflacionin, Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit nga 0.5 në 1.75 për qind. Rritja e normave të interesit është vlerësuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar si një prej faktorëve që mund të çojë në recesion ekonominë globale.

Lini një Përgjigje