Rritja e çmimeve, ligj që privatët të rrisin pagat! Vetëm ‘Balfin Group” i ka rritur vullnetarisht, Shabani: Të tjerët të detyrohen

3 Nëntor 2022, 15:51Ekonomia TEMA

Rritja e çmimeve, ligj që privatët të rrisin pagat!

Inflacioni dhe rritja e çmimeve, kanë krijuar një situatë të vështirë për të gjithë e gjithashtu kanë krijuar nevojën e rritjes së pagave për punonjësit, si në sektorin privat, ashtu edhe në sektorin publik. Po jo të gjithë i janë përgjigjur njësoj nevojës që sjell situata aktuale ekonomike.

Veç sektorit shtetëror që e ka detyrim ligjor indeksimin e pagave, vetëm “Balfin Group”, një nga grupet më të rëndësishme në rajon dhe më gjerë, ka aprovuar rritjen e rrogave për punonjësit me 7% dhe 5%.  Vendimi është marrë si reagim për situatën e krijuar nga rritjet e çmimeve dhe për t’iu gjendur pranë punonjësve të shoqërive të Grupit.

Në kushtet kur në sektorin privat vetëm grupi Balfin e ka kryer vullnetarisht këtë hap, sipas kreut të nismës ‘Thurje’ Endri Shabani, për të tjerët duhet të bëhet e detyrueshme me ligj indeksimi apo rritja e pagave në nivelin e inflacionit.

“Pagat duhen indeksuar automatikisht. Kjo duhet bërë me ligj. Asgjë nuk i pengon bizneset që t’ua rrisin pagat njerëzve. A duhet të detyrohen? Një pjesë nuk munden se janë të vogla. Politika fiskale për ta është e padrejtë dhe zgjedhja është e vështirë. Për të tjerët, unë mendoj që PO. Duhet të jetë e detyrueshme me ligj që pagat të indeksohen automatikisht” tha Shabani në emisionin SCAN Update me gazetarët Lidion Kulla e Dafina Hysa.

Rritja e pagave të punonjësve është një nga politikat kryesore ekonomike që ndërmerret në periudha inflacioni të lartë. Autoritetet shtetërore e kanë të detyruar me ligj që të bëjnë në mënyrë periodike indeksimin e pagave të punonjësve të sektorit publik, gjë që e kanë bërë këtë vit në kushtet e një situate ekstreme të rritjes së çmimeve. Ndryshe ndodh me kompanitë e sektorit privat që ende nuk i janë përgjigjur me një vendim të qartë nevojës së rishikimit të pagave për punonjësit e tyre.

SCAN

Lini një Përgjigje

Blog Tema