Rruga Berat - Këlcyrë dhe premtimet për investime

15 Shtator 2022, 19:48Ekonomia Feti ZENELI

 

Rruga Berat - Këlcyrë dhe premtimet për investime

Rruga Berat – Këlcyrë është një segment i njohur i infrastrukturës rrugore në Shqipërinë Jugore, me jetëgjatësi gati shekullore, që shfrytëzohet për transport qysh nga koha e Luftës Italo-Greke. Siç dihet, Berati e Këlcyra, si dy nga qytetet më të vjetra në vendin tonë, plotë tradita e histori, kanë dhënë e marrë midis tyre, qysh nga koha e Muzakajve në shekullin e 13-të. Por rruga e mësipërme nisi të ideohej plotë 6 shekuj më vonë, menjëherë pas fillimit të ndërtimit në vitin 1882 të rrugës Manstir – Korçë – Janinë, për lëvizjen e qerreve. Po në këtë kohë; pra në fundin e shekullit XIX, u projektua dhe nisi të zbatohej dhe një projekt tjetër i njëjtë, i një rruge për karro në segmentin Berat – Këlcyrë – Përmet – Janinë. Por, fatkeqësisht, nga ky projekt, vetëm një pjesë e kësaj rruge u arrit të përfundohej në një kohë të shkurtër, pikërisht ajo e quajtur “Ura e Prelatit – Përmet”, ndërsa pjesa tjetër e këtij segmenti rrugor, që shtrihet nga lagjia Goricë e Beratit deri në Këlcyrë u ndërtua nga ushtria italiane në vigjilje të luftës, që Duçe zhvilloi kundër Greqisë. Kjo ndodhi pasi bejlerët e Këlcyrës, të cilëve iu besua nga Turqia ndërtimi i kësaj rruge, përvetësuan dhe shpërdoruan fondet e akorduara për këtë qëllim.

Në vijë ajrore Këlcyra ndodhet vetëm 50 km larg Beratit, por gjatësia e rrugës, që lidh këto dy qytete, duke gjarpëruar mbi kurrize kodrash e qafa malesh shkon gati në dyfishin e kësaj distance, me kthesa të shumta e të rrezikshme. Mbase po të ishte ndërtuar për qëllime civile, dhe po të ishte parë me syrin e zhvillimit e jo të pushtimit, mund të kishte gjurmë tjetër, ku harku i cili krijohet midis Tërpanit të Beratit dhe Qafës së Kiçokut tek fillon mali i Trebeshinës, mund të ishte shmangur, duke u shkuar, jo nga pas malit të Panaritit, Selckës dhe Buzit, por rrëzë tyre, për ta shkurtuar kështu këtë distance, të paktën me 20 km. Por kjo është temë tjetër…

Sidoqoftë, deri në fund të viteve ’60, kur ende nuk ishte ndërtuar rruga Ballsh – Memaliaj, i gjithë shërbimi i transportit që vinte nga jugu kryehej nëpërmjet këtij aksi rrugor, të ndërtuar për qëllime militare. Simotra e kësaj rruge ka qënë vetëm segmenti “Tepelenë – Vlorë”, i ndërtuar po nga ushtria italiane për të mbrojtur frontin kundër austro-hungarezëve përgjatë lumit Vjosë; një rrugë kjo që kalon nëpër male e pjerrësi malore, me kthesa të shumta e tepër të rrezikshme, si ajo e Salarisë, Matohasanajt, etj.

Pas viteve ’60 e në vazhdim Rruga Berat – Këlcyrë u shfrytëzua për t’u ardhur në ndihmë banorëve të fshtrave të krahinës së Buzit, që të lidheshin me qendrën e rrethit të tyre – Tepelenën dhe banorëve të zonës së Tërpanit për komunikim me Beratin. Mjafton të përmendim, për shembull, se shumica e fshtarave rreth e qark zonës së Buzit, deri në fund të viteve ‘80, për të shkuar në Tepelenë me makinat e kohës, shfrytëzonin këtë aks rrugor, ku udhëtimi zgjaste mbi 5 orë. Ndërkohë që kjo torturë mund të kursehej me ndërtimin e 4-5 km rrugë të shtruar me çakull (si shumë rrugë të tjera sekondare të asaj kohe) nga sektori i Katërt i Minierës deri në Buz, një investim që u realizua i cunguar diku pas viteve ’90, sikur dhe ky segment rrugor të përdorej për luftë.

Rruga Berat – Këlcyrë ose më sakt Berat – Ballban vazhdon të jetë në atë gjëndje, me kalldrëmin italian të kohës së luftës, edhe sot e kësaj dite, duke u bërër shkak i shpopullimit dhe mjerimit të tejskajshëm, jo vetëm të krahinës së Buzit, por edhe asaj të Tërpanit në Berat e kështu me radhë. Madje ka degraduar në atë farë feje sa që vende – vende është e vështirë të përshkohet më edhe me “Zisa” e “Skoda”. Me mjete të ushtrisë edhe mundet. 

Për të kuptuar gjëndjen e vërtetë në të cilën është katandisur kjo rrugë e vjetër, po citoj pak rreshta nga një reportazh i kohëve të fundit të një publicisti të njohur për mënyrën e veçant të të shkruarit:  “...Rrugë jo për njerëz, por për luftë, që kapërcen çdo përfytyrim. Janë të njohura pamjet e vjetra filmike që tregojnë rropatjet e ushtrisë italiane nëpër dimër, dëborë, baltë dhe suferinë; me mushka dhe topa gjatë luftës italo-greke... O Duçe, ta djegësha varrin! Ç'deshe nëpër këto gërxhe?! Pse, o i paudhë me plotë rrugë në vendin tënd, erdhe ndërtove këtë udhë – lubi, në të paudhën Shqipëri?!... Dhe ja ç’na bëre, dhe ja ku jemi tani. Shqiptarët përpëliten mes rrugësh – litarë, që diktatorët lanë sipër varreve. Dhe prandaj shqiptarët nuk para kanë qejf të udhëtojnë nëpër vendin e tyre, ta shohin sa i bukur është, se tmerrohen si kjo 94-kilometra çmenduri mbuluar me kalldrëm të zi”.

Sidoqoftë rruga “Berat-Këlcyrë” ka qënë dhe mbetet e vetmja mundësi komunikimi për banorët e fshtrave në të dy anët e saj nga Ballbani i Përmetit deri në Berat, dhe sidomos për banorët e krahinës Buzit, që gjeografikisht ndodhen m’u në mes të kësaj mynxyre infrastrukturore, dhe që me ndarjen më të fundit administrative përfshihet në Bashkinë Memaliaj. Është pikërisht kjo zonë, dikur pjesë përbërëse e rrethit Tepelenë, që e vuan më shumë këtë situatë mesjetare në infrastukturën rrugore. Kjo është jo vetëm një ndër aryset e varfërisë ekstreme të banorëve të zonës, por edhe e shpopullimit me shpejtësi të saj, ku nga më shumë se 11 000 banorë në fund të viteve ’90, sot numërohen gati 11 herë më pak. Fakti që Bashkia Memaliaj ka numrin më të madh të familjeve me ndihmë ekonomike në Qarkun e Gjirokastrës është një argument tjetër në favor të rolit që ka mungesa e infrastukturës rrugore në prodhimin e treguesve të ulët të mirëqënies ekonomike të banorëve të kësaj zone. Mund të jetë e vetmja bashki në vend, ku të 52 fshtarat e saj nuk kanë rrugë rurale të asfaltuara. Situata ka filluar të ndryshoj disi këto 3 vitet e fundit, ku me përpjekjet dhe përkushtimin e kryetarit të Bashkisë, z. Gjolek Guci, me ato pak fonde dhe mundësi në dispozicion, të realizohet për herë të parë gjatë viteve të tranzicionit, asfaltimi i rrugës së dikurshme të Minierës deri në Izvor, asfaltimi i rrugës së fshatrave rrëzë Trebeshine deri në Arrëz, si dhe ndërhyrje e përmirësime në rrugë të tjera rurale të fshtarave të Njësisë Administrative Krahës e Qesarat, në Memaliaj Fshat, etj.

Kësisoj, të krijohet përshtypja, se banorët e fshatrave “përkëtej Vjosës” po provojnë dhe në Demokraci, të njëjtin fat, që u rezervoi diktatura e zyrtarëve “përtej Vjosës”. Në atë kohë, Vjosa, nga një kufi gjeografik, u shndërrua në një kufi krahinaristo – politik, midis pjesës “përtej lumit”, që kryesisht do të drejtonin dhe pjesës “këtej lumit”, të cilët do punonin nën drejtimin e tyre për 45 vite me radhë. Për rrjedhoj, gjuha që do mbizotëronte në zyrat e partisë dhe pushtetit lokal të Tepelenës për një kohë të gjatë do të ishte labërishtja. Epërsia numerike dhe përkrahja politike e bëri këtë gjuhë urdhëruese, denigruese, përfituese dhe cinike në artikulimin e komunikimit zyrtar me banorët e zonave përtej Vjosës. Tashmë në vitet e Demokracisë, sistemi nuk e pranon teknikisht instalimin e këtij “programi diskriminues”, por kur shikohet, që në aspektin e infrastrukturës të gjithë rrugët e fshatrave të “Tepelenës Labe” janë asfaltuar, mendja gjykimcekët mund të shkoj vetvetiu tek kjo “plagë e vjetër” shoqërore. Sidoqoftë ky mbetet një perceptim sipërfaqësor, pasi kontrasti infrastrukturor midis dy “gjysmë – Tepelenave”, i cili nuk ka më shumë se 4-5 vite, që ka filluar të evidentohet dukshëm, është krijuar si rezultat i një programi intensiv investimesh në zona, territore e qendra urbane me impakt më të lartë në ekonominë turistike të vendit, kuptohet i bazuar në teorinë dhe praktikën qeverisëse të prioriteteve. Për hir të së vërtetës, kjo gjysëmpjesë e tepelentë e territorit tonë jugor ka më shumë resurse turistike, se sa ajo matanë Vjosës, që tashmë përfshihet në territorin administrativ të Bashkisë Memaliaj. Ndërkohë, serioziteti me të cilin janë mbajtur premtimet e dhëna nga institucionet e larta ekzekutive të vendit për investimet historike, do të thosha, të kryera në “Tepelenën Labe”, jep shpresë se kështu, ndoshta, do të procedohet edhe për premtimet e kësaj natyre në pjesën “përtej Vjosës”, duke mos i mbajtur banorët e saj pas qerres elektorale të premtim – votimeve, siç ka ndodhur në të shkuarën tonë të afërt. Ndoshta për një farë kohe në vitet e Demokracisë, shkak mund të jetë bërë lançimi elektoral i “Boshtit të Jugut”, që mendohej të kalonte shumë larg gjurmës së rrugës Berat – Këlcyrë, gati 5-6 km në perëndim të saj, pikërisht në atë itinerar që qeveria komuniste e Enver Hoxhës kishte parashikuar gjatë viteve ’70, që të ndërtonte një hekurudhë për transportin e qymyrgurit nga Miniera e Memaliajt në Lushnjë. Por dhe nëse do të ndërtohej ky segment i “Boshtit të Jugut”, krahina e Buzit, Tërpanit, Ballbanit dhe gjithë fshatrat e tjerë të zonave përreth nuk përfitonin aspak prej tij.

Këto 2 vitet e fundit, përfaqësues të ndryshëm, të zgjedhur dhe të emëruar, midis të cilëve dhe deputeti Laert Duraj, mjaft i përgjegjshëm për detyrën dhe tepër i përkushtuar ndaj komunitetit, kanë bërë të ditur për publikun në përgjithësi dhe banorët e kësaj zonë në veçanti, se Qeveria Shqiptare, përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar, synon rivitalizmin e aksit rrugor Berat – Ballaban (Këlcyrë), duke planifikuar një ndërhyrje të thellë në gjurmën ekzistuese për t’a rikthyer këtë aks në funksion të plotë. Ndërtimi i kësaj rruge është një mundësi më tepër, jo vetëm për të shkurtuar distancën dhe kohën e udhëtimit, Berat – Përmet e më tej në Gjirokastër, por edhe për të nxitur zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Aksi rrugor Berat-Ballaban do të transformohet rrënjësisht.

Është hera e parë që bëhet një premtim konkret për ndërtimin e këtij segmenti rrugor, një pjesë e mirë e të cilit kalon mes për mes Krahinës së Buzit, i njohur si një vendbanimi të hershëm, ku hulumtimet dhe gjetjet arkeologjike në qytetin antik të Gradishtës (Rabie), shkojnë në disa vite para erës sonë. Kohët që kanë pasuar, ashtu si në të gjitha krahinat e tjera të vendit tonë, kanë lënë gjurmët e veta në të gjithë periudhat historike deri në ditët e sotme. Natyra i ka falur asaj një pozitë gjeografike mjaft interesante për syrin dhe shpirtin njerëzor, që banorët e këtyre anëve e kanë shfrytëzuar në interes të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të zonës, duke ngritur në këtë territor, diku tek 180 kilometra katrorë, fshatra të shumtë nga lartësitë e Trebeshinës në jug deri matan “Tri Avgave” në veri dhe nga kodrinat e Shalësit dhe Selckës së Vogël në Lindje tek kodrat sipër fshatrave Rabie, Izvor, Luftinjë e Zhapokikë në Perëndim. Po aq të mira sa bukuritë natyrore, banorët e këtyre anëve kanë ndërtuar banesa dhe kanë krijuar e ruajtur tradita e zakone të veçanta, duke u renditur në një nga trevat më të rëndësishme të Jugut shqiptar. Peizazhi i rrallë me monumente të shumtë natyrore në malin e Trebeshinës, kodrat, grykat, honet, pyjet, pllajat e fushat përgjatë lumenjëve të Shalësit dhe Luftinjës, si dhe biodiversiteti i pasur, e rendisin këtë krahinë në vendet e sipërme të listimit të zonave me potenciale të pashfrytëzuara turistike. Mjafton të përmendim, se në këto kushte të vështira infrastukture, një investim privat në fshatin Gëllavë (Vila Sofia) me jetëgjatësi 2-3 vjeçare, nga biri i kësaj treve dhe biznesmeni Hetem Bajrami, ka filluar të tërheq jo vetëm vëmendjen investuese të banorëve të zonës, por edhe mjaft turistë të huaj nga vendet të ndryshme europiane. Në fund të fundit, qëllimi i çdo investimi infrastukturor është impakti ekonomiko-social për përmirësimin e mirëqënies dhe jetesës së njerëzve, siç do ndodh në një të ardhme të afërt shpresoj, dhe me investimet për rivitalizimin e Rrugës Berat – Tërpan – Buz - Ballban – Këlcyrë.

 

8 Komente

  1. L
    Luani

    Lajm i mire Ky shkrim : Me mire vone se kurre, Nje shprehje cmu kujtua per dreq: Te gjithe vene e vine por Celua harroi shtepine" Harrove te shkruaje per Selcken e Madhe me jo pak resurce turistike :pyjet e bukura lisa dhe pisha , cezma me uje te ftohte , ajeri i shendetshem , qafa e murrizit , hija e Komarit kodrat e bukura, reservuaret , buronja e gigoves pejsazhi Selckes se Madhe me thyerje dhe rrrenjet nga kemi dale por qe i mungon dhe vuan nga mungesa e asaj infrastrukture si dhe zonat e tjera perrreth zones se Buzit te fala Luani

    1. O
      Orhan Pamuk: birazere tourkalvani,mos luani shqipt

      "Vila Sofia" nga nje turkoshqipfoles.... bayrom hetem!!? Pafytyresi sunitesh...... allah uakbar.

      1. L
        Liljana

        Ore perse nuk zhdukesh njehere e mire nga Shqiperia zoteria jote qe edhe kur nuk ka shkrimi lidhje me Greqine fallco tenden fut hunden tende kot se koti. Se cfare emrash kane shqiptaret, ty nuk te duhet gje. Sa per Turqit, ata jane vellezerit tuaj, nje gjak keni si Greket si Turqit. Vetem Greket dalin me ADN Azie e Afrike ore debil, shqiptaret kane ADN krejt Europiane. Prandaj, ne vend qe te vish ketu e te besh gam-gam, keput qafen prej komenteve, e prej Shqiperise komplet. NUK NA DUHESH FARE! Ju mbyti zilia e smira kur shikoni se shqiptaret po investojne per vendin e tyre. Ishalla ju plas zemra nga inati e mllefi! ( nuk e kam zakon te shkruaj, por me erdhen ne maje te hundes komente te tilla idiote)

      2. S
        Shefi 55

        Te falenderoj per shkrimin ! Ai nuk eshte vetem nje alarm per kushtet ne te cilen ndodhet kjo krahine , por dhe nje analize mirefilli per zonen nga e cila kemi rrenjet te dy dhe kjo me kenaq ,por nuk me habit sepse ti njof aftesite.Ajo cka nuk me vjen mire eshte qe nje problem te tille mund takishe ngriur me heret atehere ,kur sic thote populli" te zinte lopata uje" , megjithate edhe si front opozitar te shkon.

        1. P
          Petrit Sheshalliu , Berat.

          Të falënderojmë për mirëtrajtimin e problemit jetik për rrugën BERAT- Kelcyrë. Është realitet i pamohueshëm . Qeveritaret t'a çojnë në fund premtimin ,ku duhet të fillojnë sa më parë ketë rrugë per të rilindur jetën e Kësaj Treve të lënë në harresë ! Respekte pafund për Ju !

          1. R
            Ron

            Faleminderit per kete artikull interestant. Kjo rruge do ti japi zhvillim zonave pereth qe e ben Beratin me akses dhe pse jo shkurton daljen ne Janine.

            1. X
              Xhemal Zekaj

              Kot je munduar te argumentosh nevojn per ruge ,per nje krahine ,asnje nuk lexon (perjashtuar disa vendasve ose te tjereve qe kan nostalgji per origjinen)dhe aq me teper keto artikuj te ndikojne ne vendim marje per kete ruge .KY eshte nje TURP historik i qeverisjes shqiptare per ate popullsi qe jeton ende apo ka jetuar gjate 100 vjeteve te fundit ne ato krahina dhe te siguroj qe do te vijoj ende,Keto krahina dhe te tjera te boshtit qendror me ne veri jane dhe do te mbeten te fundit per zhvillimin ekonomik dhe jo vetem te krahasuara me cdo pjese te teritorit shqiptar .Kjo gjendje eshte pranuar nga cdo seg i pushtetit lokal ne cdo bashki qe kalon ky magjistral rrugor ndersa per ne qender ,kjo pjese njihet vetem si emertim gjeografik dhe administrativ dhe asgje me teper .Duhet te permbyset ky vleresim nga cdo bashki dhe me lart deri ne bojkotimin e e cdo lloj administrate te Bashkise apo dhe zgjedhje lokale dhe jo vetem .Vetm kjo eshte ruga qe duhet te ndiqet ,ose do te pranohet reliteti i sotem dhe te bejme ditirambe per cdo qeveri dhe te kendojme per to ,per "lumturine" qe kemi etj idotesi zyrtare qe ka cdo bashki ne kete pike .Per 20 vjet nuk kemi per te pare ruge te asfaltuar Berat- Ballaban edhe nqs ajo do te behet nje ruge pa asnje standart sic jane ber gjysma ruget per Arez,Maricaj,Bylysh,etj te cilat nuk do ti zej as dimri.

              1. m
                matan lumit

                Shume helm paske per nje rruge shprese Idhetar ne shpirt dhe ne mendime

              Lini një Përgjigje