Shqipëria sërish stabël sipas Moody’s, merr notën B1

17 Qershor 2022, 09:34Ekonomia TEMA

Shqipëria sërish stabël sipas Moody’s, merr notën B1

Ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe vijon të performojë pozitivisht, pavarësisht luhatjeve të mëdha të tregjeve dhe ndikimeve negative nga këto të fundit.

Është ky raporti i përmbledhur i agjencisë ndërkombëtare për vlerësimin e besueshmërisë (Moody’s), e cila e ka vlerësuar sërish me notën B1 (perspektivë e qëndrueshme) Shqipërinë.

Megjithatë, ashtu si edhe parashikimet e Bankës Botërore, projeksioni që Moody’s i bën rritjes ekonomike në Shqipëri, është në shifrat e 3.4% për vitin 2022 dhe në 3.6% për vitin 2023.

Në perspektivat e mëparshme, Moody’s e jepte rritjen ekonomike në Shqipëri në vlerat e 4.5% dhe 4% për vitet 2022 dhe 2023. Pra, ulja është me mbi 1 pikë përqindjeje.

Agjencia ndërkombëtare është e opinionit se perspektiva ekonomike e Shqipërisë shfaqet e rrethuar nga një shkallë e lartë pasigurie për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, por ekspozimi i drejtpërdrejtë i Shqipërisë ndaj të dy vendeve është i ulët.

Më së shumti, ekspozimi i ulët përshkruhet me pavarësinë energjetike që vendi ka karshi Rusisë apo Ukrainës, pasi nuk furnizohet drejtpërdrejt me gaz apo naftë nga këto vende.

Edhe sa i përket turizmit, nuk pritet një ndikim i madh në Shqipëri sipas Moody’s.

Një vlerësim ka shkuar ndërkaq për politikat fiskale që Qeveria ka ndërmarrë, më së shumti pas tërmetit dhe pandemisë.

Sipas raportit të detajuar, ato kanë ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe klima fiskale është përmirësuar gradualisht.

Një element, i cili pritet të pësojë ulje, është edhe borxhi publik karshi Prodhimit të Brendshëm Bruto. Treguesit e përballueshmërisë së borxhit do të mbeten në nivele të qëndrueshme.

Në afatgjatë, agjencia është e opinionit se aftësia e vendit për të vijuar në mënyrë të qëndrueshme procesin e konvergimit të nivelit të të ardhurave për banorë drejt niveleve që kanë vendet e Bashkimit Evropian, do të varet nga suksesi i qeverisë në vijueshmërinë e implementimit të reformave strukturore.

Lini një Përgjigje