Tregtia me rajonin, në “ngërç” – Bien eksportet me të gjitha vendet, përveç Bosnje-Hercegovinës

20 Shkurt 2024, 21:20Ekonomia TEMA
Tregtia me rajonin, në “ngërç” – Bien

Të dhënat më të fundit mbi tregtinë e jashtme nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se eksportet e kanë nisur vitin 2024 me rënie. Në janar të vitit 2024 eksportet e mallrave ranë me 29.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa importet kanë shënuar rritje me 3.4%.

Ndërkohë, referuar analizës së të dhënave në volum, pra në peshë, shihet i njëjti ndryshim si në vlerë ku eksportet në peshë ranë me 1,2%, ndërsa importet u rritën me 34.3%.

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesi ka ndryshuar marrëdhënia e tregtisë mes vendeve të rajonit. Sipas shifrave, Shqipëria ka rritur eksportet në vlerë vetëm me Bosnje-Hercegovinën me të cilën shkëmbeu 1.1 mld lekë mallra në muajin Janar ose 9.4% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në të gjitha vendet e tjera të rajonit vlera e eksporteve ka rënë. Kjo rënie konstatohet në 20.1% në Kosovë, 29.7% në Malin e Zi, 40.2% në Serbi dhe 83.2% në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket importeve në vlerë Shqipëria ka forcuar marrëdhëniet vetëm me Malin e Zi, nga i cili morëm 65.9% më shumë mallra, ndërsa me vendet e tjera vlera e importeve ka shënuar rënie nga 20.4% me Bosnje Hercegovinën deri në 31.4% me Kosovën.

Por si ka ndryshuar tregtia e jashtme në peshë, pra në volum mes Shqipërisë dhe partnerëve rajonalë? Të dhënat tregojnë se në muajin Janar të vitit 2024, importet në peshë janë rritur me vendet partnere si Serbia me 75.3%, Maqedonia e Veriut me 3.6% dhe Bosnje Hercegovina me 17.2%, ndërsa me Kosovën dhe Malin e Zi eksportet në volum ishin me rënie gjatë kësaj periudhe.

Krahas peshës së importeve edhe pesha e eksporteve me vendet e rajonit ka ndryshuar. Konkretisht vendi ynë rriti volumin e mallrave të eksportuara në Malin i Zi me 114.8%, Bosnje Hercegovinë me 47.2%, Maqedoninë e Veriut me 25.1% dhe Kosovë me 3.3%. Ndërkohë, eksportoi 12.4% më pak mallra në Serbi.

Lini një Përgjigje