Vijon “drama” e eksporteve shqiptare edhe në shkurt!

18 Mars 2024, 21:30Ekonomia TEMA
Vijon “drama” e eksporteve shqiptare edhe në shkurt!

Në muajin shkurt të këtij viti duket se eksportet në vlerë u ulën më pak se në muajin janar ku rënia u regjistrua në 29.2%. Kështu, shifrat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se në shkurt të vitit 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 32 mld lekë, duke u ulur me 16.1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 7.9%, në krahasim me janarin e po të njejtit vit.

Nga ana tjetër, importet kanë shënuar rritje me 6.4% duke arritur në 74 mld lekë dhe po ashtu u rritën me 22.8%, krahasuar me janarin e vitit 2024. Sipas të dhënave, në harkun kohor të dy muajve eksportet e mallrave arritën vlerën 62 mld lekë, duke u ulur me 23.0%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 134 mld lekë, duke u rritur me 5.0%, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë muajit janar të këtij viti, në rënien e eksporteve prej 16.1%, kanë ndikuar kryesisht grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 7.7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 4.5 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.3 pikë përqindje. Ndërkohë, pozitivisht kanë ndikuar grupet “Produkte kimike dhe plastike” me 0.4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 0.1 pikë përqindje.

Po të flasim për grupet që kanë kontribuar në rritjen e importeve të dhënat tregojnë se pozitivisht kanë ndikuar kryesisht grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 7.4 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me 1.6 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 0.8 pikë. Nga ana tjetër, negativisht në drejtim të importeve kanë ndikuar kryesisht grupet “Tekstile dhe këpucë” me 1.9 pikë përqindje dhe karburantet me 1.2 pikë përqindje.

Në muajin shkurt të vitit aktual vendi me të cilin Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurtin e vitit 2023 është Kosova me 21.2%. Ndërkohë, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Italia me 16.2%, Greqia me 41.6% dhe Gjermania me 5.1%.

1 Komente

  1. G
    Guvernatori BSH, kulishi i Zamirit

    Dihej qe do ndodhte. Guvernatori i Bankes se Shqipërise, nje marionete e Zamir Manes dhe Çet Kastratit, vonoi pafundësisht ndërhyrjen për të bllokuar zhvlerësimin e Lekut, duke i dhënë mundësi pikerisht dy shefave te tij qe te dy-fishonin fitimet. Dëmi që ju bë në 2023 kompanive të eksportit nuk riparohet as për 10 vjet.

    Lini një Përgjigje