Bashkëshorti i gjyqtares Viola Canaj jep shpjegime për burimet e një apartamenti

21 Nëntor 2022, 18:25Kronika TEMA

Bashkëshorti i gjyqtares Viola Canaj jep shpjegime për burimet e

Nga Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja Viola Canaj e Gjykatës së Vlorës nuk u paraqit në seancën dëgjimore të hënën më 21 nëntor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Ajo u përfaqësua nga bashkëshorti i saj, avokati Kreshnik Ziaj, i cili sqaroi se gjyqtarja Canaj nuk ishte paraqitur për arsye shëndetësore. Ziaj dha shpjegime dhe kundërshtoi barrën e provës për pasurinë si dhe dha shpjegime të përmbledhura për gjetjet për profesionalizmin. Gjyqtarja Canaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Trupa e KPK që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Canaj kryesohet nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Viola Canaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.

Për blerjen e një apartamenti  me sipërfaqe 78 m2 në Vlorë kundrejt vlerës 32 mijë euro, Canaj ka deklaruar si burime krijimi kursimet e të fejuarit (bashkëshorti aktual) në vlerën 10 mijë euro, kursimet e saj në shumën 2500 euro dhe kredi 20 mijë euro.

Nga hetimi Komisionit ka rezultuar se vlera 10 mijë euro është shlyer nga bashkëshorti i subjektit në vitin 2007, para lidhjes ligjore të martesës. Canaj ka shpjeguar se burim i shumës 10 mijë euro janë të ardhurat e bashkëshortit dhe familjes së tij të origjinës.

Relatorja Bekteshi sqaroi se KPK nuk ka konsideruar në analizën e burimeve të shumës 10 mijë euro të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga një shoqatë e minifutbollit, pasi nuk kanë rezultuar kreditime për pagën apo honoraret. Po ashtu, nuk janë përfshirë të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga shitja e një automjeti prej bashkëshortit, pasi nuk është depozituar kontrata e blerjes së asaj makine.

KPK i ka kaluar Canajt barrë prove për pamundësi të bashkëshortit për të kursyer vlerën 10 mijë euro para lidhjes së martesës mes tyre dhe për pasojë pagesën e këstit të parë të apartamentit në vitin 2007. Si pasojë e mospërfshirjes së vlerës 10 mijë euro, ka rezultuar balancë negative në shumën rreth 700 mijë lekë.

Po ashtu, ka rezultuar pamundësi financiare për kursimin e shumës 2500 euro nga ana e gjyqtares Canaj. Ndërkohë, Komisioni nuk ka gjetur probleme në shlyerjen e pjesës tjetër të çmimit të apartamentit me anë të kredisë në vlerën 20 mijë euro.

Komisioni ka gjetur mospërputhje lidhur me vlerën dhe sipërfaqen e apartamentit të shënuar në kontratën e porosisë me atë në kontratën e shitjes. Bekteshi deklaroi se në vitin 2017 kur është lidhur kontrata e shitjes, është nënshkruar me palën shitëse një deklaratë noteriale ku përcaktohet se çmimi është ndryshuar për shkak të ndryshimit të sipërfaqes së apartamentit.

Komisioni ka konstatuar pamundësi në shumën 166 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2012 për çmimin 3000 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar të ardhurat nga pagat e saj e të bashkëshortit.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake, Komisioni ka konstatuar balancë negative totale në vlerën 1.6 milionë lekë.

Avokati Kreshnik Ziaj e kundërshtoi analizën financiare të Komisionit. Ai u shpreh se në analizat e viteve 2007, 2009 dhe 2013 kur ishin konstatuar balanca negative, kishte disa pasaktësi. Sipas Ziajt, shpenzimet jetike të bashkëshortes në vitin 2007 duhet të konsiderohen në masë më të vogël, pasi ajo ka filluar bashkëjetesën kur ka lidhur martesën, në vitin 2008. Po ashtu, kërkoi të mos përllogariten shpenzimet e tij për studimet deri në vitin 2007, pasi ishte bërë subjekt deklarues në 2008-ën, kur kishte filluar bashkësia ligjore.

Në vijim, Ziaj kërkoi që të mos i kalohej bashkëshortes barrë prove për pagesën 10 mijë euro të kryer prej tij përpara martesës dhe si argument për këtë pretendim solli në vëmendje praktikën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. “Kështu që analiza financiare del pozitive 705 mijë lekë”, deklaroi Ziaj.

Ai kërkoi që të uleshin shpenzimet e vitit 2008, pasi në atë periudhë së bashku me bashkëshorten dhe djalin kishin jetuar tek prindërit e tij, të cilët kishin mbuluar shpenzimet jetike. Përfaqësuesi i subjektit tha se, duhej që Komisioni të shpërndante në vite në mënyrë proporcionale shpenzimet për mobilimin e apartamentit.

Sipas avokatit, Komisioni duhet të rishikojë edhe shpenzimet e përllogaritura në periudhën kur kanë udhëtuar dhe qëndruar jashtë vendit. Ai theksoi se nuk mund të përllogariten dy shpenzime, edhe ato jetike në Shqipëri, edhe ato të TIMS-it.

“Diferencat negative janë si pasojë e mosllogaritjes së vlerës 10 mijë euro për të cilën nuk duhet ngarkuar subjekti me barrë prove, pasi nuk kishte lindur bashkësia ligjore. Shpenzimet jashtë shtetit, ato jetike dhe për mobilimin duhet të rishikohen. Nuk ka shkaqe objektive për të ngarkuar me masë disiplinore subjektin për pasuritë e krijuara nga bashkëshorti para martese”, deklaroi Ziaj duke theksuar se rezultonte me balancë pozitive.

I pyetur nga Bekteshi lidhur me mospërputhjet e konstatuara për çmimin dhe sipërfaqen e apartamentit, Ziaj shpjegoi se kur e kishin marrë banesën në dorëzim kishin konstatuar se sipërfaqja ishte 78 m2 dhe jo 84 m2, sa ishte përcaktuar fillimisht. Sipas tij, konflikti kishte zgjatur për 7 vjet.

Canaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka depozituar raport pozitiv për aspektin profesional të gjyqtares Viola Canaj. KPK nuk ka gjetur probleme edhe në tre çështjet e përzgjedhura nga subjekti dhe në pesë të shortuarat.

Në Komision janë depozituar pesë denoncime nga publiku, nga të cilat tre raste kanë rezultuar pa probleme, ndërsa subjekti është pyetur për pretendimet e dy prej denoncimeve.

Bekteshi evidentoi se bazuar në informacionet e bëra publike në emisionin “Stop”, është administruar një çështje me një të pandehur për “ngacmim seksual”, për të cilin subjekti ka zëvendësuar masën e sigurisë, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Lidhur me denoncimet publiku, Ziaj kërkoi që të mbahet parasysh numri i ulët i tyre, krahasuar me kohën e gjatë të punës së subjektit. “Nuk mund të ndikojnë në rivlerësimin profesional”, pohoi ai.

Në përfundim, avokati Ziaj kërkoi konfirmimin në detyrë të bashkëshortes së tij, gjyqtares Viola Canaj. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 23 nëntor, në orën 09:45.

Lini një Përgjigje