Një efektive e patrullës në Komisariatin nr. 1 në Tiranë së bashku me kolegun e saj, mbrëmjen e së mërkurës kanë gjetur një armë zjarri brenda automjetit të shërbimit.
Punonjësja ka humbur një send personal dhe ka kërkuar së bashku me kolegun mjetin, me synim për ta gjetur.
Në pjesën e poshtme të sediljes së pasagjerit kanë gjetur një çantë të zezë meshkujsh të mbuluar me pluhur, e cila mund të ketë qenë aty prej disa kohësh. Pasi e hapën, brenda saj kanë gjetur një pistoletë TT.
Arma është dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertizë dhe shenja gishtash. Dyshimet e para janë se arma mund të jetë lënë nga ndonjë person i shoqëruar që ka qenë i armatosur.
Ai dyshohet se ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së efektivëve dhe e ka fshehur, duke iu shmangur kështu edhe akuzës për "armëmbajtje pa leje".
Akoma nuk dihet sesa kohë ka patur arma e fshehur brenda makinës së policisë ndaj hetuesit nuk kanë akoma ndonjë emër të dyshuar. Hetimet po ndiqen edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për shkak se arma është gjetur nga policë.
Lini një Përgjigje