“Epidemia e shtëpive të barit”, si e zaptuan shqiptarët tregun e drogës në Britani

5 Dhjetor 2023, 11:35Kronika TEMA
“Epidemia e shtëpive të barit”, si e zaptuan

DailyMail ka shkruar sërish për bandat shqiptare dhe narkotrafikantët që morën kontrollin e tregut të drogës në Britani.

Në artikull shkruhet se si burgjet po mbushen aq shpejt sa një pjesë të këtyre trafikantëve qeveria britanike i kthen në Shqipëri.


“Bandat nga shteti ballkanik tani ‘ushtrojnë kontroll të konsiderueshëm’ mbi furnizimin me kokainë, zbulon një raport i Kombeve të Bashkuara, me kriminelë të dhunshëm që importojnë drogën nga homologët e tyre në kontinentin e Evropës përmes porteve në Anglinë juglindore,” – shkruan DailyMail.

Një gjykatës deklaroi se fermat e kanabisit që drejtoheshin nga rrjetet kriminale shqiptare kishin arritur ‘nivele epidemike’ dhe, sipas gjykimit të tij, ‘po ktheheshin në industri’.

Të ndihmuar nga aleancat me kartelet e drogës të Amerikës së Jugut, shqiptarët po e përforcojnë kontrollin e tyre duke përdorur një kombinim të frikës dhe dhunës vdekjeprurëse, ndërkohë që ekspozojnë në mediat sociale llojin e jetës që bëjnë.

Siç shkruan media britanike, rezulton se 80 emigrantë shqiptarë janë dënuar me gjithsej 130 vite burg gjatë katër muajve të parë të vitit. Krimet e tyre përfshinin vrasje, përdhunim, përdorim të armëve të zjarrit dhe rrëmbim.

Shkalla e valës së krimit po ushtron presion mbi burgjet, tashmë të tejmbushura, me qeverinë e detyruar të bëjë marrëveshje me Tiranën për të lejuar deportimin e kriminelëve përpara përfundimit të dënimit.

Megjithatë, disa të rinj shqiptarë po futen fshehurazi në Britaninë e Madhe dhe po bashkohen me bandat e drogës me qëllim  që të dërgohen në burg, në mënyrë që të mund të pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne dhe të fitojnë azil, shkruhet në artikull.

Tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar thuhet se vlen 2 miliardë paund me rreth 976,000 përdorues, ndërsa numri vjetor i vdekjeve të lidhura me kokainën është rritur shtatëfish në një dekadë dhe tani është 840.

Lini një Përgjigje