Familja e Elisës hap dyert e mortit, 20-vjeçarja që vdiq në Greqi varroset nesër në atdhe

2 Prill 2024, 18:00Kronika TEMA

Familja e Elisës hap dyert e mortit, 20-vjeçarja që vdiq

Nesër e mërkurë 3 prill, do të përcillet për në banesën e fundit Elisa Doka, 20-vjeçarja shqiptare që humbi jetën në aksidentin tragjik që ndodhi dje në Veria të Greqisë.

Elisa do të varroset në atdhe. 20-vjeçarja fatkeqe humbi jetën teksa po priste autobusin në stacion. Bashkë me të vdiq edhe një 68-vjeçare greke. Elisa jetonte në Janicë të Greqisë. Ajo kishte shkuar në Veria për të vizituar të afërmit e saj në fshat, pasi tezja e saj do të kryente një ndërhyrje kirurgjikale.

Dje ajo po priste në stacion autobusin, pasi do të shkonte në spital për të vizituar tezen. Mediat lokale shkruajnë se daja i kishte thënë Elisës të shkonin bashkë me makinë në spital, por e reja i kishte thënë se kishte disa punë dhe se do të shkonte më vonë në spital me autobus.

20-vjeçarja shqiptare dhe 68-vjeçarja greke, humbën jetën pasi një makinë i përplasi në stacionin e autobusit në Veria. Si pasojë e përplasjes gjeti vdekjen e menjëhershme 68-vjeçarja, e cila u hodh rreth 25 metra larg, ndërsa 20-vjeçarja Elisa

Doka, u dërgua e plagosur rëndë në spitalin e Verias, ku humbi jetën. Dëshmitë e banorëve të zonës për ngjarjen tragjike janë tronditëse.

“Ne zbritëm dhe pamë se çfarë ndodhi. Kishte një zhurmë të madhe. Ishte si tërmet! Nuk ka fjalë, çfarë të them. Humbëm një nga fqinjët tanë më të mirë. Pashë makinën në oborrin tim dhe gruaja u hodh 25 metra. Nuk e pashë fare vajzën. Të dyja prisnin të shkonin në Veria. Shoferi tha se kishte marramendje”, tha një banor, duke përshkruar pamjet tronditëse që ka parë.

“Vajza po priste këtu në stacionin e autobusit për të shkuar në spital për të parë tezen e saj. Ajo ishte duke studiuar për infermieri”.

Shoferi 64-vjeçar, i cili dyshohet se nuk ishte mirë dhe për këtë ka humbur kontrollin e makinës, për pasojë ka shkuar në drejtim të kundërt dhe ka shkaktuar aksidentin. Ai është arrestuar, por me urdhër verbal të prokurorit është lënë i lirë, ndërsa po trajtohet me plagë të lehta në spitalin e Verias./vizionplus.tv/

Lini një Përgjigje