KPK u nda në vlerësimin e pasurisë së prokurores Merita Selimi

17 Nëntor 2023, 20:50Kronika TEMA
KPK u nda në vlerësimin e pasurisë së prokurores Merita

Shumica e Komisionit vlerëson se prokuorja Merita Selimi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënimit të besimit të publikut për shkak shmangies së zbatimit të normave ligjore në përfitimin e një kredie të butë, si dhe të probleme mbi vërtetësinë e mjaftueshmërinë e deklarimeve të burimeve të pasurisë – konkluzione që çmohen të pabazuara nga pakica që arsyeton se subjekti duhej të ishte konfirmuar, duke zbatuar edhe parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit për mungesën financiare të konstatuar.

Nga Edmond Hoxhaj

Prokuorja e Lushnjës, Merita Selimi u shkarkua nga detyra më 27 korrik, pasi shumica e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e përbërë nga kryesjesja Brunilda Bekteshi dhe anëtarja Etleda Çiftja, gjeti probleme penalizuese në kriterin e pasurisë. Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj e çmon të gabuar arsyetimin e shumicës dhe vlerëson se bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, bilancet negative që rezultojnë sipas tij, nuk mund të sjellin shkarkim. Ai kundërshton edhe një konkluzion të shumicës se subjekti gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publik me sjelljet e saj në pëfitimin e përdorimin e një kredie të butë, si dhe për problemet që lidhen me vërtetësinë e mjaftuehsmërinë e deklarimeve për burimet e pasurisë.

Merita Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe prej atëherë ka punuar në Prokurorinë e Lushnjës. Së fundmi, pas konfigurimit të hartës së re gjyqësore dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Fierit.

Subjekti ka deklaruar për herë të parë në vitin 2010 se ka lidhur një kontratë paraprake shitje për një apartament banimi në Tiranë kundrejt çmimit 73 mijë e 687 euro, ku nga kjo shumë ka deklaruar pagesën e këstit prej 20 mijë euro.

Për këtë pagesë ajo ka deklaruar burimin e krijimit nga kursimet e 22 viteve punë, si dhe një kredi bankare me kushte lehtësuese në shumën 5 milionë lekë e palëvruar ende, si burim të ardhshëm të likujdimi total të vlerës. Në vitin 2011 ka deklaruar marrjen e kredisë bankare 5 milionë lekë dhe vlerën e paguar prej 53 mijë e 687 euro. Ndërkohë, në daklaratën “veting” ka shënuar se apartamentin e ka blerë me kursimet 30-vjeçare dhe një pjesë të kredisë prej 5 milionë lekësh të marrë në BKT.

KPK ka analizuar burimet financiare të deklaruara për krijimin e kësaj pasurie, të ardhurat nga paga në 30 vite dhe kredi në shumën 5 milionë lekë. Selimi ka deklaruar në vitin 2003 kursime në masën 4 milionë lekë, gjendje cash pjesërisht në BKT dhe pjesërisht në përdorim të vëllezërve për kambizëm, me burim nga puna 20-vjeçare.

Komisioni e ka kryer analizën financiare, duke konsideruar të ardhurat dhe shpenzimet e të gjithë familjes së origjinës së subjektit, për sa kohë deri në momentin e depozitimit të fondeve në një depozitë në BKT në shumën 35 mijë USD, kanë jetuar së bashku. Nga të dhënat e disponuara ka rezultuar se Selimi dhe prindërit e saj kanë realizuar të ardhura nga paga dhe pensionet, në masën 4 milion e 675 mijë lekë, si dhe 48 mijë lekë nga qiradhënia e një lokali nga vëllai i subjektit, me anë të një kontrate qiraje të 1994-ës.

Gjatë hetimit administrativ, nuk ka rezultuar që anëtarët e tjerë të familjes së subjektit të kishin kryer ndonjë investim në pasuri të tjera përgjatë periudhës 1993 – 2003. Pas përllogaritjes së shpenzimeve të jetesës për të njëjtën periudhë, ka rezultuar një mungesë e burimeve të ligjshme financiare prej 1.1 milionë lekësh për investimin në depozitë të vlerës 35 mijë USD. Në këtë analizë nuk janë përfshirë të ardhura të mundshme të vëllezërve të subjektit, pasi nuk është paraqitur ndonjë dokumentacion provues për këto të ardhura me arsyetimin se ato janë djegur përgjatë trazirave të vitit 1997.

Nga verifikimi dokumenteve, KPK ka konstatuar se dukej se kësti kësti i parë për blerjen e apartamentit prej 22 mijë euro është paguar prej bashkëshortit të subjektit në dhjetor të vitit 2010. Por, nuk rezulton të jetë deklaruar pakësimi kësaj vlere në vitin përkatës. Megjithëse janë pohuar përpara ILDKPKI-së në një procesverbal të vitit 2016, KPK shumica nuk ka konsideruar përdorimin e kursimeve si burim për pagesën e këstit të parë e për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare.

Lidhur me pagesën e këstit të dytë në vlerën prej 53 mijë e 687 euro, subjekti ka deklaruar në vitin 2011 se ka përdorur si burim shumën 5 milionë lekë nga kredia m ekushte lehtësuese, por pa dhënë detaje mbi burimin e diferencës së paguar prej rreth 2.1 milionë lekësh.

KPK ka vlerësuar se duke mos konsideruar përdorimin e kursimeve, të padeklaruara si të pakësuara në masën përkatëse, duket se ato kanë qenë të pamjaftueshme për të përballuar kryerjen e pagesës 2.1 milionë lekë.

Pas analizimit të pretendimeve të subjektit, shumica e KPK, duke iu referuan edhe jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vlerëson se fakti që subjekti nuk ka qenë e qartë në deklarimin e gjendjes cash lidhur me shtesat, pakësimet apo saktësimin e përdorimit të kësaj gjendjeje dhe se për cilën pasuri është përdorur ky cash i krijuar, nuk krijon bindjen se ajo është e sinqertë në deklarimin e kësaj gjendjeje.

“Lidhur me pretendimin e subjektit se […] mosdeklarimi i pakësimit të gjendjes cash, e deklaruar pranë ILDKPKI-së në datën 21.3.2016, ka qenë një pakujdesi dhe nuk ka pasur si qëllim fshehjen e pasurisë apo të burimit të saj […], nuk qëndron, pasi nga analizimi i burimit të të ardhurave të ligjshme për krijimin e depozitës së vitit 2003 në shumën 35.000 USD, ajo rezultoi me mungesë të burimeve të ligjshme të krijimit të saj”, vëren shumica e KPK dhe arrin në përfundimin se Selimi ka kryer deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin lidhur me deklarimin e gjendjes cash ndër vite.

Komisioni ka analizuar edhe përdorimin e kredisë së përfituar me kushte lehtësuese nga shteti për blerjen e apartamentit në Tiranë, ndërkohë që e ushtronte detyrën në Lushnjë. E pyetur nga Komisioni, subjekti është shprehur se në atë periudhë bashkëshortit iu ofrua një punë pranë një shkolle të mesme private në Tiranë, ndërkohë që ajo vetë ka qenë në pritje të transferimit po në kryeqytet. KPK vëren se nga dokumentacioni i administruar gjatë hetimit, por edhe nga ai i paraqitur nga subjekti nuk ka rezultuar ndonjë kërkesë e saj për transferim me detyrë në Tiranë.

Për rrjedhojë, pretendimet e Selimit për arsyen e blerjes së apartamentit në Tiranë, vlerësohen se nuk qëndrojnë. KPK vëren se përfitimi i kredisë me kushte lehtësuese realizohej nga subjekti, për shkak të funksionit të saj dhe vetëm brenda territorit të rrethit ku ushtrohej funksioni i prokurorit prej saj, e për rrjedhojë kjo situatë bie ndesh me etikën e magjistratit.

Në përfundim, shumica vlerëson se sjelljet e Selimit në drejtim të shmangies nga zbatimi i normave ligjore që rregullojnë përfitimin e kredive bankare në kundërshtim me etikën e magjistratit; problemeve mbi vërtetësinë e mjaftueshmërinë e deklarimeve të burimeve të pasurive të krijuara, si dhe destinacionin e tyre – çojnë në pamundësi për të verifikuar se cilat nga deklarimet e subjektit pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike lidhur me burimin e krijimit të pasurive të saj. Këto rrethana, çmohen nga shumica se duhen vlerësuar dhe trajtuar si situata, të cilat ndikojnë në cenimin e besimit të publikut.

Komisioneri Lulzim Hamitaj në pakicë nuk pajtohet me vendimin e marrë nga kolegët e shumicës për shkarkimin nga detyra të prokurores Merita Selimi, duke vlerësuar se ajo arriti një nivel të besueshëm edhe në rivlerësimin e pasurisë.

Ai vëren se nga analiza financiare e kryer nga Komisioni ka rezultuar pamundësi në shumën reth 1.1 milion lekë për krijimin e kursimeve të disponuara cash në banesë në vitin 2003, të cilat janë përdorur në vijim për pagesat e kësteve të blerjes së apartamentit në Tiranë. Por, sipas Hamitajt, nëse kryhet përllogaritja sipas deklarimeve të subjektit mbi kursimet e disponuara cash në banesë në fund të vitit 2010, gjendja do të rezultonte në vlerën 4 milionë lekë dhe më se e mjaftueshme për të përballuar kryerjen e pagesës së këstit prej rreth 2.1 milionë lekësh, edhe nëse do të zbritej bilanci negativ i pambuluar në masën 1.1 milionë lekë.

Mosdeklarimin e pakësimit të shumave cash për pagesat e apartamentit, Hamitaj e çmon në nivelin e një pasaktësie që nuk mund të përbëjë shkak të mjaftueshëm penalizimi. “[…]Kjo duke mbajtur në konsideratë faktin se (as nga shumica) nuk janë ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e burimit të krijimit të gjendjeve cash të përdorura për këtë pasuri, si dhe faktin se subjekti i ka vetëkorrigjuar deklarimet e saj në ILDKPKI, përpara sesa të niste procesi i rivlerësimit”, argumenton pakica.

Sipas Hamitajt, nisur nga fakti se balanca negative më e madhe në vlerën 2 milion lekë rezulton të jetë krijuar si pasojë e pasaktësisë në mënyrën e deklarimit të subjektit të shtesave dhe pakësimeve të gjendjes së disponuar cash prej saj, si dhe duke u bazuar te jurisprudenca e e Kolegjit, rrethanat e konstatuara nuk mund të përbëjë shkak shkarkimi.

Sipas tij, bilanci negativ i përgjithshëm mund të rezultojë në masën 1.5 milionë lekë që bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, nuk do të mjaftonte për masën e shkarkimit të Selimit.

Në vijim Hamitaj vlerëson se pasaktësitë lidhur me procedurat e marrjes së kredisë së butë apo të deklarimeve vjetore nuk mund të përbëjnë në vetvete shkak të mjaftueshëm për aplikimin e masës së shkarkimit. “[…]Për më tepër kur këto të fundit janë korrigjuar/saktësuar në kohë nga subjekti, pranë organit kompetent (ILDKPKI) dhe përpara paraqitjes së deklaratës për efekt të rivlerësimit kalimtar”, thekson ai.

Pakica nuk bie dakord as me aplikimin e pikës 5 të nenit 61 të Ligjit nr. 84/2016, lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia. “[…]Pasi nga njëra anë e vlerësoj si një ndëshkim jo proporcional me faktet e përshkruara nga shumica si elemente mbështetëse dhe nga ana tjetër, sipas meje, ky qëndrim bie ndesh me jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke passjellë një penalizim të dyfishtë të subjektit – nëpërmjet aplikimit njëkohësisht të pikës 3 dhe 5 të kësaj dispozite, mbi këto fakte”, arsyeton Hamitaj.

Sipas tij, edhe nëse do të merreshin si të mirëqena pamundësitë financiare dhe problemet që lidhen me deklarimet apo me shpjegimet jo të mjaftueshme me peshën që u ka veshur shumica – për sa kohë ato lidhen ngushtësisht me deklarimin e pasurive dhe të burimeve financiare përkatëse që e kanë ezauruar efektin e tyre “ndëshkues” për subjektin me aplikimin e pikës 3 të nenit në fjalë për deklarim të pamjaftueshëm, nuk mund të aplikohet edhe pika tjetër e cënimit të besimit.

Ai çmon se mungojnë shkaqet e cenimit të besimit të publikut dhe vlerëson se prokurorja Merita Selimi, do të duhej të ishte konfirmuar në detyrë.

Lini një Përgjigje