Ndërhyri në sistem për të hequr nga “Alerti” një automjet, AMP ndalon oficeren e policisë në Rinas

26 Shtator 2023, 16:06Kronika TEMA

Ndërhyri në sistem për të hequr nga “Alerti”

AMP ka arrestuar një oficere policie në Rinas. Ajo dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.

29-vjeçarja është ndaluar pasi ka pasur një informacion për një parregullsi në procedurën e mbylljes së praktikës për heqjen nga statusi ‘Alert’ të mjetit në pronësi të shtetasit L. K.


Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndalon një oficere policie me detyrë Trup Shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Rinas

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka kryer ndalimin e oficeres së policisë Inspektore S. K., 29 vjeçe, me detyrë Trup Shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Rinas, DVP Tiranë, pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.

Ndalimi i oficeres së policisë u krye pas marrjes në dijeni të një parregullsie në procedurën e mbylljes së praktikës për heqjen nga statusi ‘Alert’ të mjetit në pronësi të shtetasit L. K.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 08009090.

Lini një Përgjigje