Përgjimet me korrierin/ “Tempulli” zbuloi drogën e fortë në Shqipëri

24 Shtator 2023, 22:20Kronika TEMA

Përgjimet me korrierin/ “Tempulli” zbuloi drogën e

Dikur droga konsumohej fshehurazi dhe shihej si tabu. Disa lloje vijojnë të përdoren ende në fshehtësi. Por ca të tjera jo. Madje janë kthyer në trend. Hapësirat poshtë pallateve të shfaqin dy panorama të ndryshme.

Në sheshe janë fëmijë që luajnë me top, ndërsa nëpër cepa janë ca fëmijë të tjerë, pak më të rritur që rrinë në këmbë e shkëmbejnë cigare me njëri-tjetrin. Të paktën kjo duket nga larg. Por nëse kalon aty rrotull era e hashashit të çan hundën. Kupton që në fakt nuk po pinë thjesht një cigare.

Të gjithë e thonë nën zë: “Era hashash”… Por askush se merr mundimin t’i telefonojë Policisë. “Ç’më duhet mua?”, thotë një nga gratë që çuditërisht e njeh erën e hashashit e mbase ka fëmijët në të njëjtën moshë me ata që po e konsumojnë. Por jo. Ajo zgjedh të bëjë një koment të tillë dhe asgjë më shumë. E si ajo ka dhe të tjerë. Flasin gjithë ditën për grupime të rinjsh e adoleshentësh që qëndrojnë deri në orët e vona të natës poshtë dritareve të tyre duke konsumuar drogë, por heshtin. Ata shpërndahen kur kalon një patrullë policie, për t’u mbledhur prapë aty. E në fakt këta janë përdorues, ama dikush ua shet, diku e marrin.

Të porosisësh sot lëndë narkotike, është pothuajse njëlloj si të porosisësh një picë. Madje porosia të vjen më shpejt. Këtë e dëshmoi operacioni kombëtar “Tempulli” që arrestoi afro 300 persona në të gjithë vendin. Policia goditi 23 grupe, në 5 qarqe të ndryshme të vendit, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Në qytetin e Elbasanit, mes personave që u arrestua ishte edhe një efektiv policie. Ka qenë agjenti i infiltruar, që nëpërmjet blerjes së simuluar zbuloi shpërndarësit e drogës. Në dosjen e Prokurorisë, shpjegohet një nga këto episode, se si agjenti hyri në makinën e shpërndarësve dhe kërkoi që të blinte lëndë narkotike. I infiltruari, që në dosje ka emrin “Koli” ka kontaktuar me Stiven Faqollin, tashmë i arrestuar. Ata janë takuar në Qukës të Librazhdit, më 7 shtator.

Fillimisht “Koli” ka marrë Stiven Faqollin në lokalin e tij me makinë dhe më pas janë nisur në drejtim të Librazhdit ku janë takuar me dy persona të tjerë që do të shisnin drogën. Në vendin e quajtur “Ura e Bushtricës” në Librazhd, agjenti bashkë Stiven Faqollin kanë takuar dy persona në makinë, njëri prej tyre Glidi Ballolli që është në burg dhe Mikel Poçi.

Agjenti ka blerë një sasi kanabisi tek Ballolli dhe më pas është larguar. Në përgjimet që ndodhen në fashikujt e dosjes së Prokurorisë, zbulohen detaje nga shpërndarja e lëndëve narkotike. Agjenti i pyet sa a është i mirë ‘malli’ dhe shpërndarësit e sigurojnë që është super dhe e kanë pëlqyer të gjithë.

Glidi Ballolli: Sa të duhen ty?

Glidi Ballolli: Dy të plota, ke dhe një zero dyshe…

Agjenti: Ok vetëm të jenë të mira

Glidi Ballolli: Mallin e kë super, ma kanë pëlqyer të gjithë

Agjenti: O S është naj çik e mirë kjo ?

Stiven Faqolli: Për zotin po, për kokën time.

Agjenti: Epo se ku e kam parë këtë cunin që mi dha mua…

Stiven Faqolli: Ktu rri ky në Librazhd

Agjenti: Ishte dhe me një tjetër ky

Stiven Faqolli: Ai është Mikel Poçi

Agjenti i infiltruar “Koli” ka blerë lëndë narkotike edhe tek disa prej shpërndarësve të therë në qytetin e Elbasanit. Në një tjetër episod që ndodhet në dosjen e Prokurorisë, agjenti i infiltruar blen një sasi kokaine tek një prej shpërndarësve, Ervis Duzha.

Rreth orës 15:15 agjenti ka shkuar në afërsi të kryqëzimit të Cërrik-Elbasan, në rrugën “Çajupi” ku ka ndaluar në parkimin e një pallati. Pas 5 minutash pranë tij është afruar Ervis Duzha dhe pasi kanë biseduar për pak sekonda, ky i fundit i ka dhënë diçka në dorë e më pas është larguar në drejtim të pallatit. Policia ka sekuestruar qesen që kishte blerë agjenti, e cila rezultoi të ishte kokainë. Ndërsa biseda e bërë në vendin publik mes agjentit dhe shpërndarësit është përgjuar për llogari të hetimeve.

Agjenti: Bjer i gjysmë mu, e po shiko të jet për bidon. E mirë është?

Më datë  9 shtator, rreth orës 12.45 agjenti në mbulim ka shkuar në rrugën që të dërgon në “Llixha” dhe ka ndaluar në afërsi të një lavazhi. Pranë tij është afruar i dyshuari Endrit Kovaçi. Ky i fundit pasi ka biseduar për pak sekonda me agjentin “Koli” i ka dhënë diçka në dorë dhe është larguar në drejtim të lavazhit. Sapo janë takuar, Kovaçi i ka thënë agjentit që i ka sjellë 4-5 cigare të mira.

Endrit Kovaçi: Ktu ke 10-çen?

Agjenti: Ti mos e mçif, ti lene me i ven që të duket.

Endrit Kovaçi: Ke 4-5 cigare të mira lale.

Agjenti: E po m’pëlqeu mua ime?

Endrit Kovaçi: Është i mir ai lal, maj içik er maj.

Episode të ngjashme, të kryera me agjent të infiltruar përmes blerjes së simuluar ka shumë. Por vetë blerja e simuluar është një nga ato metodat speciale për të cilën ka pasur shumë diskutime dhe pikëpyetje. Kjo në lidhje me dyshimet se një veprim i tillë konsiderohet si provokim i një akti kriminal. Në Nenin 294 që sanksionon veprimet simuluese, shpjegohet se si dhe në cilat raste mund të zhvlerësohet si provë kjo metodë speciale.

Veprime të tilla herë pas here kanë lënë hapësira për interpretime, që në ndonjë rast kanë rezultuar në favor të personit të arrestuar apo të pandehurve. Megjithatë duket se në këtë rast, për veprimet që janë kryer gjatë operacionit “Tempulli”, akti kriminal nuk është provokuar, të paktën deri në këtë fazë hetimesh.

“Tempulli” sekuestroi lëndë narkotike pothuajse të të gjitha llojeve. Por zbuloi edhe një lloj droge që nuk ishte ndeshur më parë në vendin tonë. Bëhet fjalë për një lloj kanabisi në forme xhelatine, në dukje si karamele me shije të ndryshme, por me efekt shumë të fortë. që dyshohet se është prodhur e trafikuar nga Kanadaja nëpërmjet postës.

Kjo lloj droge konsiderohet si “bari” më i frikshëm që ekziston”.

Të paktën kështu e përshkruan korrieri Elgert Gjoni, në përgjimet e dosjes së Prokurorisë. Gjoni është një nga dhjetëra të arrestuarit në kuadër të operacionit “Tempulli” në Tiranë. Ai ishte vënë në përgjim për një kohë të gjatë nga grupi hetimor. Aktiviteti i tij shtrihej kryesisht në zonën e “Unazës së Re”.

Në një prej bisedave që ai ka bërë me një përdorues me emrin Enea në rrjetin social Instagram, diskutohet për cilësi, efekte kënaqësie, por edhe për çmimin që është 300 euro. Fillimisht blerësi i kanabisit trembet, por pas një shpjegimi më të detajuar të Elgert Gjonit, bindet për ta blerë.

Elgert Gjoni: Nga ato konservat?

Elgert Gjoni: Po të folim me atë bosin tjetër o xhi. Enea: Jo më të paktën naj 30 tshe ca me the ti mu?

Elgert Gjoni: Si 30 tshe konserva? Ato jan do pako të zeze

Enea: Ato që më tregove në foto o burr ca kishte apo se m

Elgert Gjoni: Po e di o xhi, që kush është 30 tshja.

Enea: Po dhe kjo e mirë ishte.

Elgert Gjoni: Është 3.5 (tre pikë pesë) gramë 30 tshja qic vlla se nuk I kam hy kot këtij muhabeti për 300 euro.

Elgert Gjoni: Rabi më i frikshëm që ekszisto

Enea: Jo mor shok se sdu me vdek unë.

Elgert Gjoni: Jo nuk vdes se ta jep do lloj efektesh që nu 30 tshe o xhi, është 3.5 gramshe dhe ajo … e pëlqe

Enea: Atë do mor unë me kismet nga e premtja..

Elgert Gjoni është mbajtur për muaj me radhë në vëzhgim nga agjentët e antidrogës dhe në fund është bërë blerje e simuluar nga ana e agjentit në mbulim për të provuar shpërndarjen e kësaj droge të re që zbulohet për herë të parë në Shqipëri. Gjoni arrinte të kamuflonte më së miri lëndën narkotike, të fshehur në kuti konservash apo plastike, me ambalazhim si lodra për fëmijë.

Episode të tilla shitjesh të lëndëve narkotike, të llojeve të ndryshme, ka me dhjetëra në dosjet e Prokurorive. Ato janë të ndara sipas qarqeve ku u kryen arrestimet dhe pritet që të bashkohen në një dosje të vetme. Megjithatë duket se “Tempulli” do të vazhdojë gjatë. Gjatë javës që përkoi edhe me ditët e para të sezonit të ri shkollor, operacioni u koordinua në të gjithë Shqipërinë. Në ambiente pranë shkollave, në bare e lokale nate. Në parqe e rrugica lagjesh. Në parkingje e objekte të braktisura. Madje Policia vëzhgoi edhe nga ajri me helikopter. U monitorua gjithçka nga afro 3 mijë efektivë Policie që morën pjesë në operacion.

Por duket se Policia është e vendosur dhe “Tempulli i drogës” nuk do ta mposhtë “Tempullin e dijes”. Ky ishte edhe kuptimi i emrit që u kodua operacioni.

Ata u arrestuan e mbase do harrohen aty në burg për pak kohë. “Shefat” e tyre, që vijojnë të shijojnë lirinë dhe paratë e përfituara nga tregtia e drogës, do i zëvendësojnë me të tjerë. Madje brenda ditës. Aksioni i Policisë dha një mesazh për eksponentët e krimit. Kjo është pjesa që i takon Policisë në luftën kundër shpërndarjes së drogës, pranë shkollave apo në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjt. Do ishte naive po të mendohet se nuk do shpërndahet më drogë. Apo të rinjt e adoleshentët nuk do e përdorin më. Por edhe të sfidosh Policinë duke kthyer në normalitet blerjen dhe konsumin e lëndës narkotike është e papranueshme. Operacioni “Tempulli”, dje dëshmoi se ata mund të kapen. Edhe nesër do të kapen të tjerë. E kështu me radhë çdo ditë. Në atë grupim institucional që duhet të bashkëveprojë për të goditur këtë fenomen, Policia nisi tashmë të lëvizë. Por secili duhet të bëjë mirë punën që i takon. Arsimi, Shëndetësia, vetë familja apo edhe organizata të tjera. I gjithë problemi sillet rreth atyre të miturve që nuk i dinë pasojat e përdorimit të drogës. Ky është edhe problemi kryesor, siç e tha edhe ministri i Brendshëm. Ulja e moshës së përdoruesve. Kësaj i duhet dhënë një zgjidhje urgjente. Adultët, ata që e shesin apo edhe ata që e konsumojnë drogën, duket se e kanë marrë parasysh fundin e tyre. Gjithçka e ka një fund, por droga duket se do jetë gjithmonë një sfidë për Policinë por edhe për vetë shoqërinë./ abcnew.al

Lini një Përgjigje