Në 5 vite u larguan 347 prokurorë e gjyqtarë
Në 5 vite punë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra 240 magjistratë dhe konfirmoi 308 prej tyre, si të përshtatshëm për detyrën dhe pa probleme me pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale.
Por edhe pse numri total i vendimeve përfundimtare është pozitiv, procesi i vettingut në drejtësi largoi nga sistemi numrin më të madh të aktorëve të vet. 106 gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmësa ligjor, dhanë dorëheqjen para dhe gjatë nisjes së kontrollit të pasurisë, figurës dhe profesionalizimit të tyre.
Por sipas ligjit, edhe pse me dorëheqje, ata nuk mund të emërohen gjyqtar ose prokuror, anëtar në Këshillin e Lartë Gjyqësor ose atë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare, duke çuar kështu numrin total të të larguarve dhe vakancave në 347 magjistratë.
Më problematikët duket se kanë qenë gjyqtarët, të cilët janë gjetur me probleme që kryesisht lidhen me pasurinë dhe janë shkarkuar në 138 raste. Gjithashtu edhe më të dorëhequrit rezultojnë po ashtu gjyqtarët.
Gjatë 5 viteve punë, KPK pezulloi nga detyra 2 magjistratë dhe i dërgoi ata edhe njëherë në Shkollën e Magjistraturës pasi u gjetën me mangësi profesionale. Ndërkohë në 47 raste të tjera për shkak të daljes në pension KPK, mbylli vettingun pa vendim përfundimtar.
Aktualisht, KPK ka në duar dosjet e 95 magjistratëve të fundit dhe referuar mesatares vjetore të vendimeve të dhëna gjatë këtyre viteve nga Komisioni që është 100, vettingu i tyre mund të mbyllet brenda 1 viti.
Lini një Përgjigje