Zbërthimi i grupit të Laert Haxhiut – I penduari i drejtësisë zbuloi gjithçka, zbardhen vrasje në Shqipëri e Greqi

28 Shtator 2023, 09:12Kronika TEMA
Zbërthimi i grupit të Laert Haxhiut – I penduari i

Nga Vitjon Nina

Një megaoperacion policor është zhvilluar të mërkurën e 27 shtatorit, kur Policia e Shtetit ka ndaluar me dhjetëra persona, në qytetin e Elbasanit dhe Lusnjës, si pjesë e grupit të të shumëkërkuarit të drejtësisë, Laert Haxhiu.

Me nisje nga urdhrat e Prokurorisë së Elbasanit, për shkak edhe të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe shkallës së vështirësisë, dosja pritet t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Në tërësi janë lëshuar 15 urdhër arreste, por ajo çfarë është më shumë me rëndësi, është fakti se janë zbuluar gjashtë vrasje në Shqipëri dhe Greqi.

E gjitha, falë një personi të vetëm: të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani.

Të ndaluarit bëjnë pjesë në një grup vrasësish me pagesë dhe që drejtohej nga Laert Haxhiu, i cili njihet për një sërë krimesh të kryera në qytetin e Lushnjës dhe mbi të rëndojnë akuzat për vrasjen e tre personave.

Dy prej vrasjeve të zbardhura mësohet se kanë ndodhur në shtetin fqinj të Greqisë, ndërsa një tjetër në Tepelenë dhe një në Korçë. Mes tyre janë zbardhur edhe pesë atentate me eksploziv.

Gjithçka u bë e mundur nga bashkëpunimi i një të arrestuari me drejtësinë, duke zbuluar të dhëna që kanë ndihmuar në ndalimin grupit kriminal.

I penduari i drejtësisë është Artan Tafani, i akuzuar për grabitje në kryeqytet. I riu ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një pike këmbimi valutor në zonën e Astirit në Tiranë.

Sipas autoriteteve, Laert Haxhiu 31 vjeç nga Lushnja dhe Juxhin Barjami 35 vjeç nga Delvina, po udhëtonin së bashku me një shqiptar 22 vjeç, i cili rezulton i kërkuar në Shqipëri për “plagosje të rëndë me dashje” në bashkëpunim.

Haxhiut policia greke i ka gjetur një kartë false identiteti greke dhe pas verifikimeve ka rezultuar i kërkuar nga INTERPOL Tirana.

Ndaj tre të arrestuarve janë ngritur akuzat “shkelje të ligjit mbi emigrantët”, “falsifikim”, “mosbindje” dhe “deklarim i rremë”.

Atyre u janë sekuestruar 1 mijë e 400 euro dhe 4 celularë si dhe mjeti BMW X6 i Juxhin Barjamit.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar Haxhiun me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në mars 2023, lidhur me të njëjtën ngjarje, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së duke dënuar me burgim të përjetshëm autorët e masakrës së Lushnjës, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.

Dy autorët, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, janë akuzuar për vrasjen e tyre të kryer në vitin 2017.

Në atentatin për vrasjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares u plagosën Bujar Turku e Marjus Xhepexhiu.

Ndërsa Laert Haxhiu vijonte asokohe të ishte në kërkim, teksa hetimi ndaj tij ishte pezulluar dhe në bazë të Kodit të ri pas një viti riniste procesi në mungesë.

Por, me kapjen rishtazi, ai vihet në dispozicion të drejtësisë shqiptare për gjykim tashmë.

Bilbili dhe Kaloshi u dënuan si autorë të masakrës së Lushnjës, ku vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën më 11 tetor 2017 në Lushnjë, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës.

Në këtë atentat u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.

Anterio Kaloshi u arrestua më 13 gusht, pasi bashkë me të tjerë qëlluan me kallashnikov drejt Hotel Volorekës në Pogradec më datë 8 gusht, ku Kaloshi kishte rolin e ekzekutorit.

Ndërkaq, Orges Bilbili u kap më datë 10 prill në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici pasi tentoi të largohej.

Lini një Përgjigje