Projekti për restaurimin dhe rikualifikimin urban të qendrës historike në Pogradec nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkia Pogradec po ecën me ritme të mira, me 80% të punimeve tashmë të realizuara.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli inspektuan punimet që po kryhen në këtë qendër historike.
“Restaurimi i objekteve tradicionale, rivitalizimi i shesheve publike, krijimi i itinerareve tematike dhe përmirësimi i infrastrukturës urbane po i japin qytetit një dimension të ri zhvillimi”, tha Gonxhja.
Sipas tij, ky investim nuk është vetëm një ndërhyrje në hapësirë, por një investim në trashëgiminë kulturore, turizmin dhe ekonominë lokale.
“Me përfundimin e projektit në tetor 2026, Pogradeci do të ofrojë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe vizitorët që zgjedhin të përjetojnë historinë dhe bukuritë e këtij qyteti unik”, tha Gonxhja.
Gonxhja tha se “me Rilindjen urbane 2.0 që është programi i ri që pason rilindjen urbane të parë, do të kemi ndërhyrje të cilat tani do kenë më shumë lidhje me rijetësimin, me muzetë e vogla lokale autonome, me tregimin e historisë, me promovimin e qyteteve dhe të qendrave historike”.
“Për këtë po punojmë shumë edhe me portofolin e kulturës në ministri, në mënyrë që të kemi dhe ato pika që do jenë shumë të rëndësishme për ju edhe për turistët”, tha Gonxhja.
Kryebashkiaku Xhakolli u shpreh se “ky projekt përfshin dy lagjet e vjetra historike të Pogradecit “Naim Frashëri dhe “Lagjen e Burimeve”, e cila është edhe origjina e krijimit të qytetit sepse atje janë nga burimet e ujit të pijshëm. Jemi gati në fund të zbatimit të këtij projekti duhen edhe tre -katër muaj që të përfundojë”.
“Në përgjithësi në Pogradec nuk është se e dinë që ka qytet të vjetër, por me përfundimin e kësaj qendre turistike njerëzit do të njihen me origjinën e vjetër të tij”, tha Xhakolli.
Ai u shpreh se edhe banorët e kanë mirëpritur këtë projekt dhe shikojnë që lagjja doli në dritë.
Ky investim synon ta kthejë zonën në një pol të rëndësishëm turistik, duke ruajtur njëkohësisht arkitekturën karakteristike të ndërtesave dhe rrugicat me kalldrëm në Pogradec. A.K./TemA
Lini një Përgjigje