"Nuk paska gjë më të bukur"/ Fituesja e Festivalit të Pranverës Arsi Bako mëson çfarë ndodhi në prapaskenë me votat e kolegëve

9 Qershor 2026, 13:11Kulturë TEMA
"Nuk paska gjë më të bukur"/ Fituesja e Festivalit

Mbrëmja finale e Festivalit të Pranverës ka kurorëzuar fituese kantautoren Arsi Bako, e cila rrëmbeu çmimin e parë me këngën “Humb”. Kjo këngë mban autorësinë e vetë Arsit në tekst dhe muzikë, me orkestrim të Geri Hasanit.

​Në një intervistë ekskluzive dhe mjaft të sinqertë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, fituesja ka ndarë të gjitha emocionet e këtij rrugëtimi. ​Për Arsin, ky triumf ende duket i pabesueshëm. ​“Më duket sikur jam ende në një ëndërr shumë të bukur, e cila vazhdon. Jam shumë e lumtur edhe për faktin që është një këngë të cilën e kam shkruar vetë. Më ndodhi edhe kur fitova në Festivalin e Kosovës, kur u përmend emri im mendova “Po tani çfarë do bëj?”. Më rrihte zemra fort. Jam lumturuar pafund”.

​Këtë arritje të madhe, artistja ua dedikon njerëzve më të shtrenjtë që e mbështesin në çdo hap. “Ia dedikoj mamit dhe babit që më rrinë mbrapa për çdo gjë.” Ajo zbuloi se mbështetjen e tyre e ka ndjerë fort edhe gjatë performancës në sale. “Mami dhe vëllai i vogël kanë ulëritur më shumë nga të gjithë në sallë”.

Kënga fitues “Humb” nuk lindi brenda natës. Ajo ka një histori të bukur zanafille që lidhet me skenën e madhe evropiane. Kënga u shkrua plot tre vite më parë, në një moment kur Arsi sapo kishte ndjekur një edicion të Eurovision-it dhe ishte e mbushur plot me frymëzim artistik. ​Në jetësimin e kësaj kënge, një rol kyç ka luajtur orkestruesi i saj, të cilin Arsi e falenderon me mirënjohje të thellë. ​“Dua të falenderoj Geri Hasanin që e solli këtë krijim në jetë. Unë kisha një demo të thjeshtë me kitarë dhe zërin tim. Geri ishte i pari që besoi te kjo këngë që para tre vitesh. E kam patur për zemër për kaq kohë. Kam shtuar ndjesinë brenda meje dhe më në fund erdhi momenti për ta shpalosur dhe ku më bukur se te Festivali i Pranverës dhe ku më bukur të merrte çmimin e pare”.

​Duke zbërthyer fabulën e këngës, Arsi shpjegoi se titulli nuk ka të bëjë me humbjen në kuptimin negativ, por me një proces shpirtëror që i bën mirë kujtdo. ​“Ka më shumë kuptimin e përhumbjes nëpër ëndrra. Dua të përcjell një mesazh për njerëzit që të shkëputen nga përditshmëria ose kur nuk ndihen mirë, të qëndrojnë vetëm dhe të gjejnë veten. Ose të largohen nga vetja dhe të gjejnë dikë tjetër. Është mirë që njerëzit të provojnë emocione të ndryshme që ta gjejnë veten në më të plotën dhe në më të mirën e tyre”.

​​Përveç votimit zyrtar të jurisë që i dha trofeun, Arsi përjetoi edhe një surprizë gjatë intervistës. Kur u vu në dijeni për herë të parë se votimi i bërë në prapaskenë nga vetë artistët në emisionin “Backstage-i i Festivalit”, konkurrentët e shpallën atë fituese edhe mes kolegësh, reagimi i Arsit ishte i mbushur me emocione të sinqerta. ​“O Zot i madh, më bëhet shumë qejfi! Kjo është fitore më vete. Ajo çfarë më ka shijuar gjithashtu ka qenë mbështetja që kam ndjerë edhe nga konkurrentët e tjerë. Nuk ka pasur hatërmbetje dhe kanë qenë shumë mbështetës. Ka pasur nga ata të cilët më kanë thënë që në fillim që e meriton kënga ime. Nuk paska gjë më të bukur sesa kolegët e tu ta vlerësojnë këngën”.

Sipas rregullores, Arsi Bako do të kualifikohet menjëherë për në Festivalin e Këngës në dhjetor. ​​Me dy çmime të rëndësishme tashmë në duart e saj, ajo e sheh të ardhmen me shumë përgjegjësi profesionale. ​“Kam dy këngë në mendje për në Festival. Dua që t’i jap vëmendje të plotë dhe daljet e mia të jenë në rritje. Është përgjegjësi shumë e madhe për këto dy çmime të para që kam marrë. Duhet ruajtur ose rritur standardi”.

​Në mbyllje, fituesja e Festivalit të Pranverës dha edhe një mesazh për të gjithë artistët e rinj që synojnë të prekin skenat muzikore, duke vlerësuar platformat që u japin atyre hapësirë. ​“Uroj që fitorja ime të jetë një ogur i mbarë për vitet e ardhshme dhe një ftesë për artistët e rinj që të prodhojnë sa më shumë muzikë dhe të aplikojnë në çdo mundësi që u ofrohet, e sidomos te Festivali i Pranverës. Shpresoj që të vazhdojë kjo traditë”. A.K./TemA

Lini një Përgjigje