Zbulime të reja arkeologjike në Bushat të Shkodrës

9 Qershor 2026, 09:26Kulturë TEMA
Zbulime të reja arkeologjike në Bushat të Shkodrës

Zbulohen gjurmët e një tempulli të madh, pjesë të murit rrethues të qytetit si dhe një ndërtesë e antikitetit të vonë në zonën e Bushatit.

Ky zbulim i rëndësishëm u bë gjatë gërmimeve arkeologjike të Universitetit të Tiranës (Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore) dhe Universitetit të Varshavës (Qendra e Kërkimeve për Evropën Juglindore në Antikitet) në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

Gërmimet u përqendruan në akropolin e qytetit antik (IV-I para Krishtit).

DRTK Shkodër tha se, këto zbulime sjellin gjithnjë më shumë informacion të rëndësishëm për shtrirjen e hapësirës urbane, arkitekturën e ndërtesave publike si dhe për periudhat më të vona të përdorimit të këtij qyteti ilir.

Vendbanimi i Bushatit, i shpallur së fundmi zonë e mbrojtur arkeologjike, do të pajiset së shpejti nga DRTK Shkodër edhe me sinjalistikë për vizitorët.

Muajin e fundit DRTK Shkodër ka shtuar edhe përkujdesjen në sitet arkeologjike, për të përmirësuar aksesin por dhe ruajtjen e këtyre pasurive. Kujdes i shtuar është treguar ndaj siteve me vizitueshmëri të lartë siç janë: Vendbanimi i Komanit, Qyteti antik në Bushat, Kalaja Rozafa, Kalaja e Lezhës. A.K./TemA

Lini një Përgjigje