FOTO: Të thurura me bar 6 000 vite më parë, këto janë këpucët më të vjetra në Europë

29 Shtator 2023, 10:32Lifestyle TEMA

FOTO: Të thurura me bar 6 000 vite më parë, këto janë

Këpucët më të vjetra në Europë janë gjendur në një shpellë në Spanjë. Bëhet fjalë për një palë sandale bari, të endura, që mendohet të jenë rreth 6000 vjet të vjetra.
Ato u gjendën mes një grumbulli objektesh antike të zbuluara në një shpellë lakuriqësh nate në Spanjë që u plaçkit nga minatorët në shekullin e 19-të. Objektet u analizuan së fundmi në kuadër të një studimi të ri.
Lagështia e ulët dhe erërat e ftohta në shpellë i mbajtën ato të ruajtura jashtëzakonisht mirë. Studiuesit analizuan gjithashtu shporta dhe një grup mjetesh të tjera.

“Objektet në fjalë janë seti më i vjetër dhe më i ruajtur mirë i materialeve të fibrave bimore në Evropën Jugore,” tregon bashkëautorja e studimit, María Herrero Otal.
“Diversiteti teknologjik dhe trajtimi i lëndëve të para të dokumentuara nxjerrin në pah aftësitë e komuniteteve parahistorike,” shton ajo.
Teknikat e reja të datimit të përdorura treguan se koleksioni i 76 objekteve të gjetura në shpellë ishin rreth 2000 vjet më të vjetër se sa mendohej më parë. Disa objekte datojnë edhe 9000 vjet më parë.

Për sandalet që u analizuan ishin përdorur lloje të ndryshme bari në strukturë, thanë studiuesit, të cilët shtojnë se në to përfshihen edhe materiale të tjera si lëkura dhe gëlqerja.

Ato datojnë në periudhën neolitike, duke u marrë kështu stafetën një palë këpucëve prej lëkure 5500-vjeçare, të zbuluara në një shpellë në Armeni në vitin 2008.

Shpella ku u gjetën sandalet 6000-vjeçare ishte Cueva de los Murciélagos, ose Shpella e Lakuriqëve, në Andaluzi, në jug-perëndim të Spanjës.

Lini një Përgjigje