Kaloi gjysmën e jetës në burg, shpallet i pafajshëm nga akuzat për përdhunim

28 Shtator 2023, 11:17Lifestyle TEMA
Kaloi gjysmën e jetës në burg, shpallet i pafajshëm nga

Një burrë amerikan që kaloi gjysmën e jetës së tij, gati 30 vjet, në burg pasi u dënua për rrëmbim, përdhunim dhe grabitje, është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga qelia.

Gerardo Cabanillas u dënua në vitin 1996 me burg pas një sulmi të ndodhur në vitin 1995 ndaj një çifti të ulur në një makinë të parkuar në qytetin e South Gate në Kaliforni dhe kaloi 28 vite pas hekurave.

Ai kishte rrëfyer se ishte një nga dy burrat e armatosur që iu afruan çiftit, e detyruan burrin të dilte dhe e çuan gruan në një shtëpi të braktisur ku të dy e përdhunuan.

Një çift tjetër në makinë në të njëjtën zonë u grabitën dy ditë më vonë. Viktimat e sulmeve pasi u njohën me rrëfimin e tij dhe fotot e Cabanillas, e identifikuan atë si një prej autorëve, por më vonë shprehën dyshime në gjykatë dhe thanë se iu ishte bërë presion për ta identifikuar atë si të tillë.

Çështja e Cabanillas u rishqyrtua më pas nga Njësia e Integritetit të Dënimeve dhe javën e kaluar një gjyqtar e ndryshoi dënimin e tij, pasi e gjeti atë faktikisht të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm.

“I kërkoj ndjesë të thellë zotit Cabanillas për dështimin e drejtësisë dhe dështimin e sistemit tonë ligjor penal”, tha në një deklaratë prokurori i qarkut George Gascon pas lirimit të tij.

Cabanillas u shfajësua me ndihmën e testit të ADN-së që tregoi se përdhunimi është kryer nga dy persona të tjerë.

Asnjë i dyshuar tjetër nuk u arrestua kurrë, megjithëse një burrë më vonë pranoi se kishte kryer një nga krimet.

Lini një Përgjigje