Intervista/ Rexhep Qosja në Zerin e Amerikës: Ata që jetojnë në Kosovë duhet të vendosin për fatin politik dhe kushtetutor-juridik të Kosovës

23 Prill 2026, 19:56Politika TEMA


Intervista/ Rexhep Qosja në Zerin e Amerikës: Ata që jetojnë

Zeri i Amerikës, 2 maj 1990.


Siç ju kemi njoftuar, javën e kaluar një delegacion kosovar prej 15 anëtarësh u ndodh në Uashington për të paraqitur dëshmi në Kongresin amerikan lidhur me të drejtat e njeriut në Kosovë. Përveç paraqitjes në kongres dhe takimeve private me shumë senatorë dhe deputetë, delegacioni kosovar zhvilloi takime edhe me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme amerikane. Anëtari i këtij delegacioni ishte edhe akademiku i njohur prof. dr. Rexhep Qosja. Para se të kthehej në Kosovë prof. Qosja i dha një intervistë bashkëpunëtores sonë, Isabela Islami.

Prof. Qosja, çfarë përshtypjesh keni nga qëndrimi juaj në Shtetet e Bashkuara?
Vij për herë të parë në Amerikë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtet i madh, me fuqi kolosale materiale dhe morale në botë, me jetë shumë komplekse. Qëndrimi im këtu ishte tepër i shkurtër që të mund të sistemoj dhe të artikuloj kaq shpejt përshtypjet. Këtu çdo gjë ka përpjesëtime të mëdha. Kam parë mbledhjen në Senat dhe një mbledhje në Dhomën e Përfaqësuesve. Dhe përshtypjen më të madhe ma ka bërë pikërisht madhështia e demokracisë që shprehej në ato mbledhje.

Në dëshmitë që u paraqitën në kongres u pasqyruan pikëpamje të ndryshme midis palës shqiptare dhe asaj serbe. Si mund të pajtohen këto qëndrime?
Në fillim, në Kongresin amerikan, ne intelektualët shqiptarë paraqitëm të dhëna për dhunën shtetërore që ushtron Serbia mbi popullin tonë prej 10 vjetësh. Ne u prezantuam kongresmenëve amerikanë dhe dëgjuesve që ishin aty një sërë dëshmish, të cilat tregojnë se politika e sotme e Serbisë është një politikë e bazuar në dhunën e shtetit që synon rraskapitjet kombëtare, ekonomike, kulturore dhe politike të popullit shqiptar. Është politikë që cenon rëndë një sërë marrëveshjesh, faktesh e konventash ndërkombëtare, të cilat garantojnë të drejtat e liritë e njeriut në fusha të ndryshme të jetës, dhe që i ka nënshkruar edhe vetë Jugosllavia. Të dhënat mbi pasojat e shtypjes dhe të raprezaljeve të shtetit mbi shqiptarët në Kosovë janë aq tragjike, aq të shumta dhe aq të ndjeshme, saqë nuk mund të lënë pa tronditur asnjë ndërgjegje njerëzore. Dhe kjo u pa edhe gjatë paraqitjeve të saj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si intelektual mund të shpreh keqardhje të thellë pse intelektualët serbë, që këtu ishin në rolin e oponentëve tanë, janë vënë në shërbim të politikës së sotme serbe, e cila si politikë dhune i ka sjellë viktima, plagë e vuajtje të mëdha popullit shqiptar, por edhe dëm të madh historik, moral e politik Serbisë në Ballkan, Evropë e në botë. Të jesh në anën e një regjimi që vret të rinj edhe fëmijë me fjalët liri e demokraci në gojë, siç ishin këta radhë intelektualët serbë, në të vërtetë, është një rast tragjik intelektualësh. Nuk ka dyshim se pikëpamje të tilla, të kundërta, siç ishin pikëpamjet tona dhe ato të tyre, është e pamundur të pajtohen, por kjo nuk do të thotë se ne s’duhet të vazhdojmë dialogun. Ne duhet të vazhdojmë dialogun me kolegët tanë serbë, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë që po e kupton gjithë bota, të kuptojnë të vërtetën se Serbia bën një politikë hegjemoniste dhe shtypëse mbi shqiptarët në Kosovë.

Çfarë perspektivash shihni për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës?
Ajo që ju e quani “konflikt i Kosovës” dhe disa të tjerë e quajnë “problem të Kosovës”, objektivisht, ekziston si çështje e Kosovës. Kjo çështje, kjo pyetje e madhe, ndaj së cilës nuk janë më indiferente as forcat demokratike në botë, objektivisht, e përmban në vetvete edhe përgjigjen. Për një politikë demokratike, civilizuese, d.m.th. për një politikë që s’do të ishte në konflikt me realitetet etnike në Kosovë, që s’do të ishte në konflikt me prirjet politike në Evropë, që s’do të ishte në konflikt me arsyen historike, zgjidhja e çështjes së Kosovës është e përbërë dhe njëkohësisht aq e thjeshtë. Ata që jetojnë në Kosovë duhet të vendosin për fatin politik dhe kushtetutor-juridik të Kosovës. Me një fjalë, vullneti i tyre politik duhet të vendosë për pozitën kushtetuore të Kosovës në Federatën e Jugosllavisë. Mënyrat e tjera jodemokratike, të imponuara me fuqinë e tankeve, siç ishte ajo e marsit 1989, vetëm sa e shtyjnë drejtësinë duke bërë padrejtësi, se, duhet besuar, por duhet besuar jo përgjithmonë, se si thonë një fjalë: vullneti i popullit më në fund është vullneti i Zotit.

Si e shikoni shpalljen e pafajshmërisë së Azem Vllasit dhe të 14 shqiptarëve të tjerë?
Procesi kundër Azem Vllasit dhe 14 udhëheqësve e punëtorëve të tjerë shqiptarë në të vërtetë ishte proces i montuar politik kundër demokracisë, në njërën anë, dhe kundër të drejtave të njeriut dhe të drejtave politike të shqiptarëve, në anën tjetër. Ky proces ishte një turp i madh për drejtësinë, ishte një turp i madh në vargun e turpeve të drejtësisë në Kosovë. Lënia e tyre si të pafajshëm, e arritur kjo para së gjithash nën presionin e opinionit demokratik botëror, e sidomos të opinionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Evropës Perëndimore, është fitorja e parë, por e vogël, e drejtësisë në Kosovë. Them e vogël, sepse në Kosovë deri sot janë shqyrtuar mijëra e mijëra dënime në procese të montuara politike përkundër rinisë sonë. Po përgatiten tani procese të reja të montuara politike kundër përfaqësuesve tanë, siç është procesi i montuar politik kundër Fadil Hoxhës në Prizren dhe procesi politik kundër Iljaz Kurteshit dhe të tjerëve në Pejë. Azem Vllasi me shokët e tij të burgosur janë liruar vërtet, por Kosova ende është larg-larg drejtësisë. Sundimi i drejtësisë në Kosovë mund të vendoset vetëm atëherë kur të vendoset sundimi i kushtetutës që ka legjitimitetin e vullnetit politik të popullit të Kosovës. Azem Vllasit me shokë i janë kthyer liria e të drejtat e marra pa të drejtë, por liria dhe të drejtat që i takojnë si shumicë e Kosovës, nuk i janë pranuar njëkohësisht edhe popullit shqiptar.
 
 

3 Komente

  1. F
    Fshatari

    "Ata që jetojnë në Kosovë duhet të vendosin për fatin politik dhe kushtetutor-juridik të Kosovës" Eh more i larte, e largpames, Shqiptar me gjak, tru e zemer. Por te vetquajtur intelektuale, ata qe moren karigen e intelktualit me force e me mashtrim, keta bashkfshateret e mi qe ju duket vetja elite, vendosem tja lene fatet e Kosoves te huajve, dhe ja ku jemi sot.

    Përgjigjjuni
    1. b
      bashkimi

      Prof Dr Qosja ka lene Vepra kombetare ,historike,letrare ,fjalime shkrime intervista perkthime .... duke i sherbyer pa nderprere e me perkushtim te larte kombit shqiptare Faleminderit I Nderuar Profesor Dr Qosja

      Përgjigjjuni
      1. l
        lisi

        NDERI I KOMBIT SHQIPTAR, i qete, shume i kthjellt ne gjykime, artikuluesi nr 1i gjuhes shqipe,fat i madh per kombin tone qe e pati.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje