Procesi i integrimit në BE, Marta Kos për Shqipërinë: Në vijim do të shohim përparim vendimtar

20 Prill 2026, 21:00Politika TEMA
Procesi i integrimit në BE, Marta Kos për Shqipërinë:

Gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos, foli për përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave. Ajo vlerësoi hapjen e grupkapitujve dhe shprehu bindjen se përparimet e mëtejshme do të jenë vendimtare.

“Shqipëria ka hapur gjashtë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit. Shtetet anëtare tani po vijojnë tashmë me diskutimet mbi përmbushjen e standardeve të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit. Jam e bindur se në javët dhe muajt në vijim do të shohim përparim vendimtar në Këshill”, tha ajo.

Kos njoftoi se së shpejti do të udhëtojë drejt Kosovës duke theksuar se pritet që të vijojnë reformat për të përfituar fondet evropiane.

“Kemi hequr masat dhe presim që Qeveria të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e BE-së. Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për ta çuar përpara këtë çështje”, tha ajo.
E pyetur nga raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, se çfarë po bën Komisioni Evropian sa u përket pesë shteteve që nuk e njohin vendin, komisionerja i cilësoi si “inkurajuese” zhvillimet.

“Sa u përket pesë shteteve që nuk e njohin, unë ndjek çfarë po ndodh dhe zhvillimi është inkurajues”, tha shkurt Kos, duke mos dhënë detaje të tjera.
Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin pavarësinë që Kosova shpalli më 2008.

Komisionerja Kos shprehu shqetësime për presionin ndaj gjyqësorit, kufizimet mbi lirinë e medias dhe goditjen ndaj protestave në Serbi, krahas tensioneve më të gjera politike të lidhura me afrimin e saj me Rusinë.

Komisioni Evropian aktualisht po vlerëson nëse do të pezullojë 1.5 miliardë euro fonde të BE-së për Serbinë.

Kos tha se ishte veçanërisht e shqetësuar për ndryshimet ligjore që sjellin ndryshime të mëdha, duke krijuar një formë të mangët autonomie për prokurorinë kundër korrupsionit në Serbi dhe duke dobësuar pavarësinë e gjyqësorit.

“Jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi. Nga ligjet që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit deri te goditjet ndaj protestuesve dhe ndërhyrjet e përsëritura në mediat e pavarura”, u tha ajo eurodeputetëve.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së. Por presim që autoritetet të harmonizojnë plotësisht ligjet e saj për gjyqësorin me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të rikthejnë pavarësinë e mediave”, tha Kos.

Lini një Përgjigje