Gjithçka nis në Dortmund ndaj Italisë, aty ku "Azzurët" bënë të qajnë me lot gjermanët me golat e Grossos dhe Del Pieros

3 Dhjetor 2023, 11:21Sport TEMA
Gjithçka nis në Dortmund ndaj Italisë, aty ku

Zbulohet itinerari i kuqezinjve në Euro 2024. Shorti për kombëtaren shqiptare në Evropian ishte me “dorë të rëndë”. Përballë në grupin B do të kemi as më shumë e as më pak por Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Dy kampion bote dhe evrope dhe një nënkampion bote si Kroacia. E gjithçka komplikohet kur përballë do të kemi lojtarë si Modric, Chiesa apo Pedri.

Megjithatë asgjë nuk e tremb trajnerin tonë Sylvinho, i cili në kohët kur luante me Barcelonën fitoi gjithçka duke u ndeshur me lojtarët më të mirë të kohës. Braziliani është mësuar me sfida të tilla dhe do të ketë kohë të mendojë skemat e tij përballë këtyre kundërshtarëve.

Kuqezinjtë do ta nisin rrugëtimin më datë 15 qershor nga Dortmundi, aty ku do të luajnë përballë skuadrës së Luciano Spalletit, i cili nuk ka as 1 muaj që është emëruar në stolin e Italisë. Në “Signal Iduna Park”, azzurët kanë kujtime të bukura nga Botërori 2006 ku me golat e Grossos dhe Del Pieros mundën Gjermaninë në gjysmëfinale për të luajtur finalen e Berlinit me Francën e Zidane.

Vetëm 4 ditë më vonë skuadra e Sylvinhos do të rikthehet aty ku u hodh sot shorti, në Hamburg, ku na pret Kroacia e Luka Modric. Derbi i Ballkanit premton spektakël, me teknikun kroat Zlatko Daliç që i druhet Shqipërisë. Trajneri nënkampion bote në të shkuarën ka drejtuar dhe Dinamon dhe e njeh mjaft mirë ambjentin shqiptar.

E për të mbyllur fazën e grupeve është ndeshja e datës 24 qershor me Spanjën në Dusseldorf. Shpresojmë që kjo të mos jetë e fundit në këtë Evropian, pasi shpresat për këtë grup futbollistësh janë shumë të larta. Të gjithë nuk duan më thjesht e vetëm një shëtitje si në Euro 2016. Pavarësisht kundërshtarëve zemra e një kombi do të jetë në fushë, si në Dortmund, Hamburg ashtu edhe në Dusseldorf.

T’i urojmë më të mirën kombëtares sonë!

Lini një Përgjigje