“Kosova nuk më ka kontaktuar zyrtarisht”, Ilir Daja: Shqipëria? Sylvinho ka marrë maksimumin

28 Nëntor 2023, 11:03Sport TEMA
“Kosova nuk më ka kontaktuar zyrtarisht”, Ilir Daja:

Pankina e Kosovës është pa trajner që pas shkarkimit të Primoz Gliha dhe Federata e Kosovës është vënë në kërkim të timonierit të ri të Dardanëve. Ilir Daja është emri më i pëlqyer nga tifozët, falë edhe rezultateve fantastike në karrierën e tij. I pyetur për këtë çështje, Daja zbulon se ende nuk ka patur një kontakt zyrtar nga drejtues të FFK.

“Kam qenë trajner i ekipit Kombëtar të moshave në fillim. Tani nuk kam pse aludoj kur nuk kam një ofertë apo takim zyrtar me drejtuesit e Federatës. Më shumë janë lajme të dala nga portalet, por e vërteta është që nuk kam kontakt zyrtar. Në momentin që do të kem një gjë të tillë do ta mendoj. Mua më pëlqen të jem trajner ekipi dhe të lëviz në përditshmëri, të luaj javë për javë”, u shpreh Daja.

Ilir Daja ka edhe një koment për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, të cilit i thu elozhe për punën e mirë që ka bërë.

“Futbolli është lojë subjektive dhe Sylvinho ka marrë maksimumin duke qenë faktor në kualifikimin e Euro 2024. Do të thotë që ka bërë një punë të shkëlqyer në përzgjedhje, në menaxhimin e grupit dhe një lojë të kujdesshme në drejtimin tekniko-taktik duke marë maksimumin me ekipin Kombëtar”, tha Daja.

Lini një Përgjigje