Policia e Kosovës i del në ndihmë Policisë Shqiptare për finalen e Conference League

25 Maj 2022, 14:28Sport TEMA

Policia e Kosovës i del në ndihmë Policisë Shqiptare

Policia e Kosovës ka informuar se disa policë kosovarë do të shkojnë në Tiranë, për të ndihmuar policinë e Shqipërisë të mbajnë situatën nën kontroll, për finalen e Conference League.


“Referuar bashkëpunimit të ndërsjellët në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, si dhe referuar ndeshjes sportive e cila pritet të mbahet sot, Policia e Kosovës do të dërgoj disa zyrtar policorë në Tiranë”, tha Policia e Kosovës për AP.

Është hera e parë që një finale e një turneu evropian, zhvillohet në Shqipëri, dhe me rast të këtij organizimi, tifozët e dy skuadrave finaliste kanë shkaktuar probleme të mëdha në orët e vona të  së martës.


Finalja e Conference League ka shpërfaqur probleme për policinë e Shqipërisë, pasi janë arrestuar 48 tifozë italianë dhe 12 holandezë.

Gjithashtu, sot, në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët, përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.

Policia e Shqipërisë ka kufizuar lëvizjen e qytetarëve shqiptarë afër zonave të tifozëve, për të shmangur çdo problem tjetër që mund të ndodhë para finales së sotme.

“Policia e Shtetit vlerëson maksimalisht edhe qasjen e ditës së sotme, ku qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar maksimalisht dhe seriozisht thirrjen e autoriteteve shqiptare për të kufizuar lëvizjet në zonën ku janë të akomoduar tifozët, pranë stadiumit dhe për të mos përdorur automjetet në Tiranë”.

Me mijëra tifozë pritet të jenë prezentë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ku edhe sipas kryetarit të bashkisë, supozohet të arrin rreth 100 mijë tifozë në kryeqytet.

Lini një Përgjigje