Starton Serie A, Pioli: Pres kampionat me rivalitet, Milani është i kompletuar

12 Gusht 2022, 18:19Sport TEMA

Starton Serie A, Pioli: Pres kampionat me rivalitet, Milani është i

Serie A ngre siparin për sezonin 2022-2023 këtë të shtunë. Milani do të luajë ndeshjen e parë për këtë sezon, teksa përballet me Udinesen në shtëpi, duke filluar nga ora 18:30. Kuqezinjtë vijnë si kampionët në fuqi dhe do të kërkojnë ta nisin kampionatin me këmbën e mbarë.

Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folur trajneri i Milanit, Stefano Pioli, i cili u shpreh se skuadra është e kompletuar për të qenë konkurruese.

Në lidhje me ndeshjen e nesërme, Pioli tha se e kanë studiuar mirë kundërshtarin, për ta nisur me fitore.

Ka një entuziazëm që duhet ta kultivojmë, kam parë të njëjtat shikime dhe të njëjtin shpirt si vitin e kaluar tek lojtarët. Kemi punuar mirë dhe jemi gati. Kam përshtypje shumë të mira nga ardhjet e reja, jemi të kompletuar për të qenë konkurrues. Merkato? Drejtuesit e klubit punojnë gjithmonë për të përmirësuar organikën.

Në ndeshjet parapërgatitore Messias, Bennacer dhe Rebic kanë qenë lojtarët që kanë bërë paraqitje shumë të mira. Por tek të gjithë kam parë dëshirë dhe entuziazëm edhe në stërvitje. Udinese është një kundërshtar i vështirë. Ka ndryshuar trajner, por jo mënyrën si luan. Është skuadër fizike dhe e rrezikshme në goditjet standarde. Jemi përgatitur mirë, por duhet të tregojmë në fushë se duam ta nisim mirë.

Milani favorit? Nuk na shqetësojnë ato që fliten jashtë Milanellos. Ne duam që të jemi konkurrues dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje në të gjitha kompeticionet që do të marrim pjesë këtë sezon.

Pioli vlerësoi edhe rivalët e kampionatit, për të cilët tha se janë përforcuar shgumë, ndërsa shtoi se drejtuesit janë gati për të çdo situatë, për të përforcuar skuadrën.

Do të jetë një sezon i veçantë për shkak të Kupës së Botës, që do të luhet në dimër. Kemi nevojë për të gjithë lojtarët në dispozicion. Në tre muajt e parë luhet shumë si në kampionat edhe në Champions. Duhet ta nisim mirë. Do të jetë një kampionat i ekuilibruar dhe do të jetë e vështirë të marrim më shumë pikë se sezonin e kaluar. 7 skuadrat e para janë të gjitha të forta dhe kanë rritur cilësinë e tyre. Janë rritur edhe skuadrat e mesit të renditjes. Do të jetë një kampionat me rivalitet dhe do të jetë një garë e bukur.

I kemi idetë e qarta për organikën tonë. Skuadra është e kompletuar. Por është e qartë që merkatoja mund të na japë zgjidhje që deri tani nuk i kemi vlerësuar. Drejtuesit janë të gatshëm që të përfitojnë nga situata për të përmirësuar skuadrën.

Lini një Përgjigje