Flukset e turistëve të huaj, Organizata Botërore e Turizmit e rendit Shqipërinë të parën në botë

29 Nëntor 2022, 13:03Turizëm TEMA

Flukset e turistëve të huaj, Organizata Botërore e Turizmit e

Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur Shqipërinë në vend të parë në botë përsa i përket rimëkëmbjes krahasuar me periudhën para pandemisë, me një rritje me 18% krahasuar me vitin 2019.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka dhënë lajmin, duke përmendur se ky është sezoni më i mirë ndonjëherë, duke tejkaluar edhe shifrat e vitit 2019. “Kur një sezoni të suksesshëm turistik i “vihet vula” edhe nga Organizata Botërore e Turizmit si destinacioni me performancën më të mirë në rritje të flukseve turistike krahasuar me vitin 2019. 6,79 milionë vizitorë të huaj mikpritëm nga janari në tetor, në tejkalim të të gjithë vitit 2019 dhe duke e bërë vitin 2022 më të mirin ndonjëherë sa i përket flukseve turistike”, është shprehur Kumbaro.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit janë publikuar në barometrin e turizmit për periudhën janar-shtator 2022. Sipas të dhënave të fundit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri deri më tani Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Anglia me 97,6 %.

Ndërkohë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit kanë vijuar punën për përgatitjen e sezonit tjetër. Deri më 30 nëntor janë të hapura aplikimet për menaxhimin e parcelave të plazheve nga subjektet private, ndërsa këtë vit janë hapur aplikimet edhe për menaxhimin e stacioneve të bregëzim/ankorimit në çdo bashki bregdetare.

Lini një Përgjigje