Vendoset një Post Kufitare e Lëvizshme në brigjet shqiptare, Çuçi shpjegon lehtësitë për turistët që mbërrijnë me mjetet e tyre lundruese

6 Korrik 2022, 10:49Turizëm TEMA

Vendoset një Post Kufitare e Lëvizshme në brigjet shqiptare,

Në brigjet shqiptare do të vendoset një Post Kufitare e Lëvizshme për të lehtësuar hyrjen e shtetasve të huaj që mbërrijnë në territorin tonë me mjete lundruese apo të shtetasve shqiptarë që duan të dalin në Mesdhe pa qenë nevoja të paraqiten në portet e vendit tonë. Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa ishte në Durrës në ceremoninë e dorëzimit të 5 varkave të reja të patrullimit dhe 2 pajisjeve të survejimit me teknologji të lartë për ruajtjen e kufirit, të financuara nga Bashkimi Europian përmes programit IPA.

“Një lajm i mirë për të gjithë lundërtarët dhe përdoruesit e detit që duan të vijnë në Shqipëri dhe që duan të dalin nga Shqipëria për të shijuar brigjet e Mesdheut, ne do të vendosim në brigjet shqitpare një Post Kufitare Lëvizëse në mënyrë që çdo mjet lundrues që do të hyjë në Shqipëri nuk ka nevojë të shkojë në një nga 3 portet kufitare që ka Shqipëria, por mjafton të lajmërojë në pikën ku është dhe do të vijë vetë mjeti i kufirit për të kryer të gjithë procedurat e hyrjes në territorin e Shqipërisë”, u shpreh ministri Çuçi.

Për ta ilustruar konkretisht lehtësinë që krijohet për turistët, Ministri i Brendshëm solli në vëmendje rastin e atyre që nga ishulli grek Othonoi do duan të vizitojnë Dhërmiun qoftë duke qenë se distanca fizike është shumë e shkurtër, por deri më tani kishte vështirësi sepse do duhej të regjistroje hyrjen në Republikën e Shqipërisë në Sarandë.

“Imagjinoni përballë Drimadhes, një plazh në Dhërmi shumë i populluar, ndodhet ishulli i Othonit dhe një njeri që do të vijë nga Othonoi edhe për të shijuar një drekë në Drimadhes ku largësia me një mjet motorik normal nuk është më shumë se 30-40 minuta, detyrohet të shkojë në Sarandë, të merrte vulën e hyrjes në Shqipëri dhe pastaj të vinte në Drimadhes. Të hante drekën dhe pastaj të shkonte sërish në Sarandë që të kthehej në Othonoi”, deklaroi ministri Çuçi.

Lidhur me shtimin e 5 mjeteve të reja në flotën e Policisë Kufitare dhe riparimin e plotë të 7 të tjerave, si dhe instalimi i 2 radarëve për mbikëqyrjen e kufirit blu, ministri theksoi se ky është një hap më tej në sigurinë jo vetëm të kufijve të Shqipërisë, por në sigurinë e kufijve të Europës.
“Ne e ndryshuam totalisht strategjinë tonë për ruajtjen e kufijve duke i hapur kufijtë, por duke shtuar dhe duke siguruar sa më shumë ruajtjen e tyre. Kemi 7 mjete të cilat janë riparuar apo rinovuar me projektin e BE dhe 5 mjete të reja të sapoardhura të pajisuara me teknologjinë e fundit detare. Padyshim kjo do të krijojë një klimë që çdo qytetar i huaj që vjen në Shqipëri të ndihet i lirë, por i sigurt”, deklaroi Ministri i Brendshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, u shpreh se këto mjete të reja e të përbashkëta janë në shërbim të betejave të përbashkëta për sigurinë e kufijve tanë dhe të BE-së.

“Këto mjete që sot po i përfitoi Policia e Shtetit, unë do t’i cilësoja si “Mjete të përbashkëta, për beteja të përbashkëta”. Sot bashkëndajmë mjetet, nesër do të bashkëndajmë rezultatet që do të marrim prej përdorimit të tyre, sepse deti nuk është vetëm pasuri kombëtare, por është një terren i mirëfilltë jetësor, i cili ka nevojë për kontrolle të vazhdueshme e logjistikë bashkëkohore, që të mos shndërrohet në një terren kriminal”, tha Nano.

I ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin, tha se BE do të vijojë të qëndrojë në krah të Shqipërisë me vepra konkrete.

“Ndërkohë që po përjetojmë një javë vendimtare për integrimin e Shqipërinë në BE, e kuptojmë se herë-herë ky rrugëtim bëhet frustrues. Ndajmë të njëjtin frustrim me ju. Më lejoni t’ju them se e kemi treguar qartazi që i arrijmë synimet tona, e do të vazhdojmë t’ju mbështesim sërish. […] Një muaj më parë kishim aeroplanë grekë që erdhën në ndihmë në Sazan. Në ditët në vijim do të përurojmë së bashku bypass-in e Vlorës. Me fjalë të tjera, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në krahun tuaj me vepra konkrete”, u shpreh Hupin.

Projekti “EU for Safe for Albania” ka nisur në shkurt 2020 dhe synon të mbështesë dhe të promovojë më tej përpjekjet e autoriteteve tona kombëtare në fushën e menaxhimit të migracionit dhe të kufirit.

2 Komente

  1. V
    Vito mashtruesi, shoku i Nikos

    Drejtorin e policise e paskemi idiot ! Me 5 varka do sigurojme kufijte e Shqiperise dhe te Europes thote trangulli foragjer

    1. F
      Firmat e themeluesve të PD-së 1991

      Duam të dimë me shifra konkrete sa emigrant të paligjshëm janë dëbuar dje, sa sot, dhe sa nesër dhe në ditët në vazhdim, pasi Bangladesh, Sirian, Afghanistan, Afrika., është mbushur Shqipëria.

      Lini një Përgjigje