Turizmi ndërkombëtar tenton të ringjallet. Fjala kyçe? Ishujt e “vaksinuar”

9 Prill 2021, 21:40Turizëm TEMA

Si do të jetë stina e verës, ose më mirë, si do t’i kalojmë pushimet? Ndoshta asnjëri mund t’i përgjigjet kësaj pyetje, me pandeminë që, edhe me fushatën e vaksinimit masiv, duket ende larg nga përfundimi.

Por padyshim disa shtete kanë bërë plane largpamëse për të mirëpritur turistë nga e gjithë bota, duke riaktivizuar një nga sektorët më të goditur nga masat kufizuese.

Fjala kyçe është ishull. Ishulli është një territor që lehtësisht mund të kontrollohet nga ana shëndetësore, duke monitoruar ikjet dhe ardhjet, dhe nga izolimi gjeografik.

Shteti ynë fqinj, Greqia, po mendon të bazohet pikërisht tek ishujt e saj të shumtë për t’u rikthyer si destinacion i turizmit ndërkombëtar, një sektor që përbën rreth 20% të produktit bruto të vendit.

Qeveria e drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis ka vendosur të vaksinojë brenda muajit qershor banorët e pjesës më të madhe të ishujve turistikë.

Ishulli i parë i vaksinuar tërësisht është Kastellorizo, më pas Lipsi dhe Elafonissos, ndërkohë që fushata vijon në ishujt e tjerë.

Edhe për këtë arsye, Greqia renditet si destinacioni parë turistik për turistët e Europës Veriore dhe për amerikanët.

Egjipti nuk mbetet pas. Autoritetet e Kairos kanë deklaruar se kanë vaksinuar tërësisht dy nga destinacionet më të njohura, Sharm El Sheik dhe Marsa Alam.

Më larg nga ne, të njëjtën strategji po e ndjekin edhe parajsat tropikale si Sejshellet, që kanë vaksinuar më shumë se 65% të popullsisë prej 100 mijë banorësh, ose ishujt Cayman dhe Maldivet, që kanë mbetur tek 47%, ndërkohë që Bermuda ndjek me 38% dhe Antigua me 35%.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje