Kush po e fiton garën elektorale në rrjetet sociale?

16 Prill 2021, 19:16Politika TEMA

Një analizë e BIRN e të dhënave nga llogaritë e faqeve të Facebook-ut dhe Instagram-it të qindra kandidatëve që garojnë për një post në parlament në zgjedhjet e 25 prillit, tregon se Partia Socialiste në pushtet ka një ndërveprim më të lartë me votuesit se opozita.

Nga Besar Likmeta

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, pandemia e COVID-19 dhe masat e distancimit social i kanë detyruar partitë që të kufizojnë mitingjet dhe grumbullimet masive politike. E megjithatë, një garë e ethshme për të bindur votuesit po zhvillohet në botën virtuale të rrjeteve sociale.

Shpërndarja më e gjerë e internetit, në krahasim me katër vite më parë, si dhe rritja e numrit të përdoruesve të mediave sociale i ka shtyrë partitë politike dhe kandidatët për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit që t’i përdorin ato si platformat kryesore politike të komunikimit.

“Në kushte pandemie që jemi ne media sociale është e një rëndësie të jashtëzakonshme, e një rëndësie më të mëdhe se sa në një situatë normale,” thotë Gjergji Vurmo, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM.

Afrim Krasniqi, drejtues Institutit për Studime Politike, thekson se fushata aktuale zgjedhore ka krijuar një situatë paradoksale.

“Politika përdor teknologjitë e reja të komunikimit por një pjesë e madhe e shoqërisë nuk ka akses në internet ose nuk ka njohuritë e duhura për përdorimin e mediave të reja,” tha ai.

“Nga ana tjetër, listat e partive janë dominuar nga kandidatë të ardhur jo për shkak te meritokracisë së brendshme, por nga “jashtë” bazës, me imponim nga lart, ndaj këta të fundit e kanë më të lehtë të komunikojnë përmes mediave sociale ku auditori është më i gjerë sesa të bazohen tek strukturat e tyre të partive ku duhet të investohen për tu pranuar si kandidatë dhe më pas për të bërë fushatë,” shtoi ai.

Një analizë e BIRN e të dhënave nga llogaritë e faqeve në Facebook dhe Instagram të qindra kandidatëve që garojnë në zgjedhje, faqeve zyrtare të partive politike dhe degëve të tyre vendore, tregon se Partia Socialiste dominon me numrin total të ndërveprimeve në rang kombëtar në këto dy platforma komunikimi, duke lënë pas Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste në Integrim.

Avantazhi i Partisë Socialiste maksimizohet nga investimi afatgjatë në llogaritë virtuale të liderit të saj si dhe numri i lartë i postimeve dhe videove të ngarkuara me propagandë elektorale;  një pjesë e së cilave trumbeton arritjet gjatë qeverisjes 8-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër godet me sulme karakteriale ndaj krerëve të opozitës.

Dominanca e PS-së në rang kombëtar udhëhiqet nga niveli i lartë i ndërveprimeve në faqet sociale të kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, gara virtuale mes kandidatëve në rajone të ndryshme të vendit, nuk është gjithmonë në favor të partisë në pushtet.

Të dhënat janë mbledhur nga 85 mijë postime në Facebook dhe Instragram të bëra në dy javët e para të fushatës zgjedhore – nga 26 marsi deri më 9 prill – nga 756 llogari të partive, degëve të tyre lokale, kandidatëve dhe zyrtarëve të ndryshëm partiakë ose të zgjedhur vendorë.

Për mbledhjen e të dhënave, BIRN përdori ‘Crowdtangle’, një aplikacion në pronësi të Facebook. Aplikacioni mbledh të dhëna sa herë një përdorues i Facebook komenton, ndan ose reagon ndaj një postimi, duke matur popullaritetin e tij nëpërmjet një metrike të quajtur ‘shuma totale e ndërveprimeve.’

“Se si funksionon algoritmi i Facebook nuk e di askush, por ideja është që sa më shumë të shpërndahet dhe bisedohet rreth një postimi, aq më shumë do dali në ‘newssfeed’-et e personave,” tha Anxhelo Lushka, nga ‘Open Labs Hackerspcace’, një komunitet aktivistësh në Tiranë që promovojnë teknologjitë e hapura dhe privatësinë në rrjetet kompjuterike.

“Sa më shumë persona ta ndajnë, aq më shumë do shfaqet si postim,” theksoi ai.

Të dhënat e mbledhura përfshijnë postimet e bëra nga kandidatët dhe partitë në faqet e tyre publike në Facebook dhe Instagram. Këto të dhëna nuk përfshijnë postime në llogari private ose në grupe të mbyllura në Facebook ose Instagram.

Analizimi i të dhënave të ‘ndërveprimeve totale’ në rrjete sociale nuk është një matës i përsosur i mundësisë së një kandidati apo partie politike për të fituar zgjedhjet parlamentare.

Për shembull, një koment i lënë në faqen e kryeministrit në Facebook përllogaritet si një ndërveprim, përtej faktit që ai mund të jetë me ton pozitiv apo negativ nga një mbështetes apo kundërshtar politik.

Megjithatë, këto të dhëna janë tregues të rëndësishëm mbi mënyrën se si po tejçohet mesazhi propagandues gjatë fushatës zgjedhore nga partitë dhe kandidatët e tyre për deputetë.

PS dominon në rang kombëtar

Në rang kombëtar, Partia Socialiste ka një ndërveprim më të lartë në rrjetet sociale, në krahasim me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

BIRN analizoi të dhënat nga 320 llogari sociale në Facebook të kandidatëve për deputetë në zgjedhje. Në analizë u përfshinë të gjithë kandidatët që kishin një faqe publike gjatë periudhës së monitoruar – mes së cilëve 120 kandidatë nga Partia Socialiste, 110 kandidatë nga Partia Demokratike, 74 kandidatë nga Lëvizja Socialistë për Integrim dhe pjesa tjetër nga Bindja Demokratike, Nisma Thurje dhe kandidatë të pavarur.

Gjatë dy javëve të para të fushatës, të gjithë kandidatët në zgjedhje postuan 11,830 postime në Facebook dhe realizuan 7.88 milionë ndërveprime. Gati gjysma e postimeve ose 48.78% e tyre u bënë nga kandidatë të Partisë Socialiste, 37.02% nga kandidatë të PD dhe 11.27% nga lista e kandidatëve të LSI.

Partia Socialiste udhëheq me numrin e ndërveprimeve totale në Facebook gjatë dy javëve të para të fushatës, me 4.11 milionë ndërveprime, e ndjekur nga PD me 3.45 milionë ndërveprime dhe LSI me 243.7 mijë ndërveprime.

 

Vurmo nga IDM vë në dukje se kandidatët e Partisë Socialiste kanë më shumë faqe në rrjetet sociale dhe kjo është produkt i vëmendjes së veçantë që kjo parti dhe lideri i saj Edi Rama i jep komunikimit publik.

“Realisht PS-ja dhe Rama e kanë imazhin publik dhe komunikimin publik pikë të dobët, kontrollin e mjeteve të komunikimit po ashtu e kanë pikë të dobët,” theksoi Vurmo.

Megjithatë, për Vurmon ndërveprimi i lartë i PS-së mund të jetë dhe rrejdhojë e përdorimit të administratës publike për shpënrdajen e postimeve të kandidatëve në zgjedhje, atë që Facebook e quan ‘sjellje joautentike e koordinuar’, e cila nuk lejohet sipas rregullave të përdorimit të rrjeteve Facebook ose Instagram.

“Une druaj se PS-ja ka në dispozicion një armatë njerëzish, jo thjesht qasje në komunikimin publik, por edhe një armatë njerëzish apo ‘account’-esh, njerëzish virtualë, shumë më të madhe se partitë e tjera,” tha ai.

Në të njëjtën periudhë, kadidatët për deputetë në parlamentin shqiptar postuan 3,035 video në Facebook – shumica e të cilave video propagandistike ose transmetime live të takimeve me zgjedhësit, të cilat regjistruan 61.32 milionë shikime në Facebook.

Pak më shumë se gjysma e këtyre shikimeve kanë shkuar për video të postuara nga kandidatët e Partisë Socialiste – me 32.22 milionë shikime në total, e ndjekur nga Partia Demokratike me 26.81 milionë shikime dhe LSI me 1.68 milionë shikime.

Ndryshimet e mëdha në shikimet dhe ndërveprimet e regjistruara nga faqet e kandidatëve lidhen me numrin e ndjekësve të tyre, por dhe me numrin e videove të publikuara prej tyre. Kështu, gjatë gjysmës së parë të fushatës elektorale, PD ka hedhur 1,421 video në Facebook, PS ka postuar 1,283 video dhe LSI 266 video.

Në rrjetin social Instagram u morën në analizë postimet në 240 llogari publike të kandidatëve gjatë dy javëve të para të fushatës elektorale, nga të cilat 85 llogari i përkasin Partisë Socialiste, 69 Partisë Demokratike, 69 Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 15 llogari i përkasin partive të tjera garuese në zgjedhje. Në total, llogaritë në Instagram gjeneruan 2.11 milionë ndërveprime nëpërmjet 4,740 postimesh.

Ngjashëm me Facebook-un, numri më i lartë i postimeve është bërë nga kandidatët e Partisë Socialiste me 2,542 postime, e ndjekur nga kandidatët e PD-së me 1,453 postime dhe LSI me 606 postime. Lista e PS ka gjeneruar 1.12 milionë ndërveprime në Instagram, e ndjekur nga PD me 833 mijë dhe LSI me 132 mijë.

 

Gati 72% e postime në Instagram ose 3,402 postime kanë qenë video, të cilat kanë gjeneruar në total 4.46 milionë shikime. Sërish Partia Socialiste udhëheq me 2.43 milionë shikime në videot e postuara në Instagram, e ndjekur nga PD me 1.66 milionë dhe LSI me 351 mijë shikime.

Rama udhëheq ndaj Bashës dhe Kryemadhit  

Në numrin e lartë të ndërveprimeve të listës së kandidatëve të Partisë Socialiste, një rol të rëndësishëm luajnë faqet publike në Facebook dhe Instagram të kryeministrit Edi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste ka 1.5 milionë ndjekës në faqen e tij në Facebook, ndërsa kreu demokrat, Lulzim Basha ka 629 mijë ndjekës. Ndërkohë, Monika Kryemadhi e LSI ka 87 mijë ndjekës.

Rama jo vetëm që ka dyfish më shumë ndjekës së rivali i tij demokrat, por gjithashu bën më shumë postime. Gjatë dy javëve të para fushatës, kryeministri ka bërë 210 postime në Facebook, kundrejt 110 postimeve të Bashës dhe 52 postimeve të Monika Kryemadhit.

Postimet e Ramës kanë gjeneruar në total 1.89 milionë ndërveprime, postimet e Bashës 743 mijë ndërveprime dhe ato të Kryemadhi 60 mijë ndërveprime. Në të njëjtën periudhë të marrë në analizë, videot e postuara nga Edi Rama kanë marrë 22.24 milionë shikime, i ndjekur nga Basha me 7.5 milionë shikime dhe Kryemadhi me 596 mijë shikime.

Pavarësisht ndryshimeve të mësipërme mes njëri tjetrit, të tre liderët e partive kryesojnë dhe listat e faqeve zyrtare me më shumë ndërveprime për secilën parti gjatë kësaj periudhe kohore. Teksa kryesimi i Edi Ramës dhe Monika Kryemadhit brenda listës së kandidatëve të secilës parti në Facebook është i qartë, në listën e demokratëve, ish-kryemistri Sali Berisha zë një vend po aq të rëndësishëm me influencën e tij.

Në tabelat e mëposhtme renditën listat e 15 kandidatëve më influencues në Facebook për secilën nga tre partitë kryesore garuese në zgjedhjet e 25 prillit.

 

Ndryshe nga faqet në Facebook, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë bërë më shumë postime në Instagram sesa Edi Rama. Basha, gjatë periudhës të marrë në analizë ka bërë 205 postime, Kryemadhi 156 dhe Rama 143.

Megjithë numrin më të ulët të postimeve, kryeministri udhëheq edhe ndërveprimet e siguruara në Instagram me 1.79 milionë pëlqime, i ndjekur nga Lulzim Basha me 483 mijë pëlqime dhe Kryemadhi me 127 mijë. Videot e postuara nga Rama në Instagram kanë marrë 7.48 milionë shikime të regjistruara, ato të Bashës 2.43 milionë dhe të Kryemadhit 602 mijë.

Beteja virtuale në rajone

Përveç të dhënave në rang kombëtar, BIRN analizoi edhe ndërveprimet sipas partive në rang qarku, duke qenë se sistemi zgjedhor në Shqipëri e ndan vendin në 12 rajone zgjedhore. Kryetarët e partive nuk u përfshinë në analizën e kandidatëve brenda rajonit, pasi një pjesë kandidojnë në disa qarqe dhe në të gjitha rastet udhëheqin fushatën zgjedhore kombëtare.

Falë faqes popullore të ish-kryeministrit, Sali Berisha në Facebook, PD ka trefishin e ndërveprimeve ndaj PS-së në qarkun kryesor të Tiranës. PD ka në total 1.72 milionë ndërveprime me ndjekësit, kundrejt 584,243 ndërveprimeve të PS dhe 84,638 ndërveprimeve të LSI.

Llogaria e Berishës në Facebook gjeneron më shumë ndërveprime se e gjithë lista e PS-së e marrë së bashku në Tiranë, me 699,339 ndërveprime në dy javët e para të fushatës. Berisha ndiqet nga pas nga Grida Duma, Agron Shehaj dhe Elisa Spiropali.

Në dy javët e para të fushatës, kandidatët e PS-së në Berat ka regjistruar 54,387 ndërveprime në Facebook, kundrejt 28,747 të kandidatëve të PD-së dhe 7,807 të LSI-së. Kandidati me numrin më të lartë të ndërveprime në Facebook në Berat është ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i ndjekur nga kandidati i PD-së për deputet, Tomorr Alizoti.

Ndryshe nga Berati, në rajonin e Dibrës udhëheq PD me 92,600 ndëveprime në Facebook, e ndjekur nga PS me 21,609 ndërveprime dhe LSI me 6,146.

Kandidati me ndërveprimet më të larta të ndjekësve në Facebook është ish-kryetari i bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, me 81,101 ndërveprime. Megjithatë, surpriza më e madhe e këtij rajoni është kandidati i pavarur, Elton Debreshi, i cili ka regjistruar 20,561 ndërveprime në Facebook.

Në rajonin e Durrësit, PS udhëheq me 81,198 ndërveprime, e ndjekur ngushtazi nga PD me 79,334 dhe LSI me 12,123 ndërveprime. Ndërveprimet më të larta në këtë rajon i ka kreu vendor i PD dhe ish-ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri me 31,832, i ndjekur nga ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi me 30,493.

Garën në Facebook në Elbasan e dominon sërish Partia Socialiste me 541,710 ndëveprime, e ndjekur nga PD me 147,158 dhe LSI me 13,781 ndërveprime. Ndërveprimet e larta të socialistëve në Elbasan vijnë kryesisht nga faqja e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e cila ka regjistruar 379,517 ndërveprime në dy javët e para të fushatës.

Prania e zv.kryeministrit Erion Braçe nuk ka pasur të njëjtin efekt në Fier, ku PD udhëheq me 110,041 ndërveprime, kundrejt 57,848 të PS dhe 12,765 të LSI. Faqja më popullore e Facebookut mes kandidatëve në Fier i përket ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

 

Në Gjirokastër, falë faqeve të ministrit të Rendit, Bledi Çuçi dhe ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, Partia Socialiste dominon qartazi me 164,850 ndërveprime, kundrejt 16,275 të LSI dhe vetëm 9084 të PD.

Gjithashtu, PS udhëheq në Korçë me 212,241 ndërveprime, e ndjekur nga PD me 118,190 dhe LSI me 26,697 ndërveprime në Facebook.

Ndryshe nga Korça, falë llogarisë popullore të analistit politik që garon për deputet, Agron Gjekmarkaj, PD ka më shumë ndërveprime se PS në Lezhë. Faqja e Gjekmarkaj në këtë rajon ka regjistruar 27,961 ndërveprime, e ndjekur nga ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla me 25,367 ndërverpime në Facebook.

Në Shkodër, Partia Demokratike udhëheq me 114,153 ndërveprime kundrejt 74,267 ndërveprimeve totale të Partisë Socialitste. Ndërkohë në Vlorë, PD ka 138,810 ndërveprime, ndërsa PS ka regjistruar 166,903 ndërveprime. Edhe në Kukës udhëheq PD, pasi Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj kanë 90,705 ndërveprime në Facebook, kundrejt 80,480 të Petrit Malaj dhe Gerta Durakut.

 

Faqet e partive në garë

Përveç listave të kandidatëve, BIRN ka analizuar dhe faqet zyrtare në Facebook të subjekteve kryesore në garë, për të parë ndikimin që ato kanë në shpërndarjen e mesazhit politik gjatë fushatës.

Faqja partiake me më shumë ndjekës në Facebook në datën 9 Prill, 2021, është ajo e Partisë Demokratike me 328 mijë ndjekës, faqja e PS ka 191 mijë ndjekës, Nisma Thurje ka 187 mijë ndjekës dhe LSI me 181 mijë.

Gjatë gjysmës së parë të fushatës, faqjet e shtatë subjekteve të analizuara realizuan 721 postime, duke gjeneruar mbi 234 mijë ndërveprime, më shumë se gjysma e tyre në Facebook Live. Në të njëjtën kohë u postuan 429 video, të cilat sollën 4.02 milionë shikime.

Faqja me numrin më të lartë të ndërveprimeve është ajo e Partisë Socialiste me 96,044 ndërveprime dhe 2.83 milionë shikime të videove të postuara, kundrejt 821 mijë shikimeve të videove në faqen e PD-së dhe 77.8 mijë ndërveprimeve.

 

Përveç ndërveprimit të faqeve kryesore të partive politike, BIRN ka analizuar dhe ndërveprimet totale në Facebook të 127 faqeve vendore të partive politike kryesore, përfshirë 56 nga PS, 56 nga PD dhe 15 të LSI.

Gjatë dy javëve të para të fushatës, faqet në Facebook të degëve vendore të partive politike kanë regjistruar 394 mijë ndërveprime dhe 355 mijë vidoe shikime. Degët vendore të PD-së kanë qenë më aktive në postime, me 5,365 postime nga një total prej 8,335 postime nga të gjithë partitë.

Faqet e degëve vendore të PD-së kanë regjistruar 79,330 ndërveprime dhe 175 mijë shikime video, të ndjekura nga afër nga faqet e Facebook-ut të degëve lokale të PS me 162 mijë shikime video dhe 76,951 ndërveprime.

Në një vëzhgim të përgjithëm, PS udhëheq në 6 rajone zgjedhore dhe PD në 6 rajone të tjera.

Ndikimi i zyrtarëve që nuk kandidojnë

Përveç kandidatëve dhe faqeve të partive në nivel vendor dhe qendror, BIRN ka marrë në analizë edhe faqet e 45 zyrtarëve politikë ose partiake, të cilët janë përfshirë në fushatë për një parti ose një tjetër, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ose ish-presidenti Bujar Nishani.

Për shkak të bojkotit të zgjedhjeve vendore të vitit 2019 nga opozita, kjo listë përbëhet kryesisht nga kryetarë bashkish të Partisë Socialiste.

Ndërveprimet në këtë listë udhëhiqën nga faqja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me 308 mijë ndërveprime dhe 2.73 milionë shikime në video. Pas Veliajt renditet Presidenti Ilir Meta, i cili ka regjistruar 75 mijë ndërveprime dhe 197 mijë shikime në video në dy javët e para të fushatës.

Me gjithë rolin që kanë marrë mediat sociale në komunikimin e partive politike gjatë fushatës, për vëzhguesit e procesit demokratik në Shqipëri, ndikimi i ‘pëlqimeve’, ‘ndarjeve’ dhe ‘komenteve’ në Facebook në shanset e kandidatëve për t’u zgjedhur mbetet debat i hapur.

Gjergji Vurmo thekson se gjatë vitit të fundit është bindur për ndikimin në rritje që kanë partitë duke përdorur mediat sociale. “Për një kohë të gjatë kam mendur se [rrjetet sociale] kanë pak ndikim, se fryma është frymë dhe nuk cënohet… [Por] Ia kanë dalë të krijojnë frymën ose anti-frymën me media sociale,” shtoi ai.

Edhe Krasniqi shprehet se nuk është e qartë nëse kontaktet dhe fushata virtuale do të sigurojnë vota personale në kutinë e votimit.

“Kjo pamundëson kontaktin direkt me qytetarin dhe debatin rreth programeve duke i dhënë prioritet akteve e gjesteve simbolike,” tha ai.  “Organizimi i brendshëm partiak del jashtë funksionit primar duke dobësuar fuqinë e anëtarëve dhe bazës dhe duke forcuar rolin dhe imazhin e liderit politik/lidershipi,” pëfundoi Krasniqi.

4 komente në “Kush po e fiton garën elektorale në rrjetet sociale?”

  1. kosta says:

    Lloharisni dhe nderveprimet e gones me armaten e te rinjve qe keqperdor. Gone mjeshtri haaaaa

  2. Shoku Sal says:

    Numri i ndjekesve ne facebook nuk do te thote gje fare.
    Oligarket e PS kane telefona e teknologji te perparuar.
    Por vota e oligarkut eshte e barabarte me voten e fshatarit te varfer qe ka telefon NOKIA , te viti 2005.
    Dhe shpesh ne fshatra ku jane simpatizantet e PD nuk ka fare internet.

  3. Kosovarja says:

    Ja hangsho koqet katerqysheli Albin Kurtit.

  4. ERTV ose Edi Rama Turpi Vendit says:

    Lulzim Basha – Fushata me e qyteteruar e deri sotme ne 30 vite llapaqitjesh e jargavitjesh te ndersjellta!
    Asnjehere te vetme nuk eshte marre me Spiropalizimet dhe Ballerine e kundershtarit, as i ka zene emrat e tyre fare goje.
    Edi Rama – Si grua e ve, vertitet duke marre neper goje emrat e listes opozites, duke u tregu perralla
    “Me te mire se une nuk ka” ose “Vetem une ju sjell vaksina” por jo te verteten “ne 8 vjet kete Varferi e keni vec prej meje”!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje