Veliaj takim me përfaqësuesit e bordit të prindërve të shkollave

29 Shtator 2015, 20:15Sociale TEMA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e bordit të prindërve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit, ku solli në vëmendje punën e bashkisë për përmirësimin e objekteve arsimore, por edhe dëgjoi shqetësimet e tyre lidhur me to. Duke e vlerësuar si diçka tepër të rëndësishme fillimin e një tradite takimesh mes kryetarit të Bashkisë dhe prindërve të nxënësve të qytetit, kryebashkiaku Veliaj tha se kjo i shërben përmirësimit të kushteve dhe plotësimit të nevojave për shkollat.

“Nëse i kushtojmë kohë një takimi të tillë, të paktën një herë në 3 muaj, mund të ruajmë ndjesinë e komunitetit, ku së pari njihemi me njeri-tjetrin, e më pas me nevojat e çdo shkolle”, deklaroi Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës ftoi të gjithë prindërit që të bëhen pjesë e bashkëbisedimeve me bashkinë për t’u siguruar që të kemi shkolla më të mira për fëmijët e qytetit. “Për herë të parë nuk kemi një histori ku një institucion ia vë fajin një institucioni tjetër, por kemi institucione që bashkëpunojnë, sepse është e pafalshme që edhe me fëmijët të bëhet politikë”, theksoi Veliaj. Ai vlerësoi bordin e prindërve si shumë të dobishëm për të patur një situatë më dinjitoze me institucionet tona arsimore.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës solli në vëmendjen e prindërve gjendjen e vështirë financiare në të cilën ishte bashkia në fillim të këtij mandati. “Vetëm borxhi që kemi sot është 31 milionë dollarë. Në një vit, bashkia shpenzon 5 milionë dollarë për të investuar në një qytet me një milionë banorë. Në momentin kur janë shpenzuar dhe faturuar 31 milionë dollarë, praktikisht kemi harxhuar gjithë fondin e investimeve të bashkisë në 6 vitet e ardhshme”, tha Veliaj.

 

Aktualisht në qytetin e Tiranës ka 31 çerdhe, 65 kopshte, 142 shkolla 9-vjeçare dhe 28 të mesme. Sipas kryebashkiakut Veliaj, nëse Bashkia nuk do të kishte kaq shumë borxhe, me këto para do të ishin ndërtuar bërë gjimnaze të reja, e megjithatë ai tha se në fund të 4 viteve do të kemi një situatë shumë herë më dinjitoze për brezin tjetër të gjimnazistëve. Ndërkaq, Veliaj solli në vëmendje edhe nismën “Adopto 1 çerdhe”, e cila solli rikonstruktimin e 31 godinave që mikpritën të vegjlit këtë vit arsimor.

 

Përballë gjendjes së krijuar me godinat arsimore, kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se nga viti tjetër do të fillojë të zbatohet masivisht koncepti i shkollave si qendra komunitare. Veliaj tha se po hartohet një projekt me Qendrën e Zhvillimit Ekonomik të bashkisë që të bashkëpunohet me mësues që mund të kenë dalë në pension, ose mësues të rinj që janë duke bërë stazhin, për të ndihmuar nxënësit me kurse edhe pas orëve zyrtare të mësimit.

 

“Shkollat mund të mos jetë shkollë muzike, por fare mirë gjatë pasditeve mund të organizojmë aktivitete sportive”, tha Veliaj. Sipas tij, sot ka shumë mësues, edhe të rinj profesionistë që janë të gatshëm për kurset postkurikulare  dhe ekstrakurikulare. Nga ana tjetër, Veliaj shpjegoi se pjesë e projektit për shkollat qendër komunitare, është edhe koncepti për shërbime ose për kurse komunitare. Më tej, kryebashkiaku njoftoi se brenda një kohe të shkurtër Bashkia e Tiranës do të rikthejë pagesën prej 50 mijë lekësh të vjetra për nxënësit më të mirë të shkollave.

 

Në fund të takimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës dëgjoi disa prej shqetësimeve të bordit të prindërve, ndërsa garantoi se të paktën 1 herë në 3 muaj do të ketë një takim të strukturuar me ta, për t’u njohur me nevojat e shkollave.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje