Protesta e flamingove hyri në çadrën e Lulzim Bashës

23 Korrik 2026, 13:05Blog Nga Ardit Rada

Katër javë më parë, protesta e opozitës gjeti një simbol të pazakontë ndërkombëtar. Eurodeputetja italiane Ilaria Salis zbriti në Tiranë e mahnitur nga kauza e flamingove, duke lënë të kuptohej se në Shqipëri po zhvillohej një betejë me përmasa europiane. Pamjet bënë xhiron e rrjeteve sociale, organizatorët u ndjenë të legjitimuar dhe propaganda e ditës shpalli se Evropa kishte zgjedhur anën e protestës.

Por në politikë ka një zakon: lajmet e djeshme plaken shpejt. Sot, e njëjta Ilaria Salis është dënuar nga Gjykata e Milanos për pushimin e padrejtë nga puna të dy ish-bashkëpunëtorëve të saj në Parlamentin Europian. Vendimi e detyron të paguajë mbi 300 mijë euro dëmshpërblim. Një lajm që nuk e bën automatikisht të pavlefshme çdo kauzë që ajo ka mbështetur, por që shton një tjetër emër në listën e “miqve ndërkombëtarë” të opozitës shqiptare, të cilët më shumë se për transparencën e tyre, bëhen të njohur për problemet që mbartin.

Më parë kemi parë emra si Elmar Brok, Thomas Zdechovsky e figura të tjera që kanë hyrë e dalë në mbështetje të PD-së me deklarata të forta, akuza bombastike dhe një angazhim që shpesh ka ngritur më shumë pikëpyetje sesa besim. Sa herë opozita premton se “Evropa është me ne”, zakonisht del se Evropa është thjesht një eurodeputet në kërkim nga drejtësia e vendit të tij.

Por edhe më interesante se historia e këtyre eurodeputetëve është fati i vetë protestës. Çdo ditë e më shumë, ajo po i ngjan çadrës së famshme të Lulzim Bashës në vitin 2017. Edhe atëherë gjithçka nisi me entuziazëm. U fol për revolucion demokratik, për mosbindje civile, për përmbysje politike. Çadra u shpall zemra e rezistencës. Çdo ditë pritej “dita vendimtare”. Çdo javë premtohej se pushteti ishte në orët e fundit.

Pastaj ndodhi ajo që ndodh zakonisht kur pritshmëritë ndërtohen mbi slogane. Njerëzit nisën të largoheshin. Turmat u pakësuan. Entuziazmi u zëvendësua nga rutina. Derisa revolucionarët që besonin te marrja e pushtetit në tavolinë u pakësuan aq sa përfundunan në një çadër. Kjo e fundit, që duhej të ishte simboli i një lëvizjeje popullore, u kthye në një dekor ku më shumë kishte karrige bosh sesa mbështetës. Apo hollë-hollë, më tepër po ngjallte bezdi për kalimtarët sesa shpresë.

Edhe shumica e VIP-ave që u afruan për një fotografi apo një fjalim solidariteti nuk u bënë kurrë pjesë e betejës. Nuk hynë në politikën e Partisë Demokratike, nuk kandiduan si deputetë, nuk mbajtën mbi supe asnjë barrë të asaj kauze. U larguan po aq shpejt sa erdhën, duke e lënë çadrën me të njëjtët njerëz që e kishin thurur në fillim.

Sot, protesta aktuale po ndjek të njëjtin itinerar. Fillimisht u shit si një lëvizje qytetare që do të trondiste themelet e qeverisë. Më pas u mbush me personazhe ndërkombëtarë të rastit, të cilët hynë në skenë për disa pastime në Instagram. Ndërsa dita-ditës, pjesëmarrja bie, kauzat ndryshojnë sipas nevojës së ditës dhe energjia e fillimit po zëvendësohet nga lodhja e zakonshme që reflektohet në pjesëmarrje dhe deklaratat me fjalor banal. Dhe i gjithë nervozizmi shfaqet dukshëm si pasojë e pjesëmarrjes, që kanë mbetur po aq saç mbante dikur çadra e Bashës.

Historia ka një mënyrë të çuditshme për të përsëritur vetveten. Herën e parë si dramë, herën e dytë si farsë.

Protesta e flamingove rrezikon të mbetet në kujtesë jo për flamingot, as për kauzat e saj, por si vazhdimi natyral i çadrës së vitit 2017.

Me një ndryshim të vogël: Nëse për Lulzim Bashën vinte ndonjë ndërkombëtar tek-tuk për të negociuar, këtyre të protestës po ua kapin ndërkombëtarët si Zhukovin… në ajër.

2 Komente

  1. E
    E hengrem

    Si mundet te jet protest qytetare , kur drejtohet nga Fatos Lubonja Armand Shkullaku vogelushi Andush Bushati dhe spiuni Preç Zogaj , idioti Shpend Gashi te gjithe te PD , dhe financohet nga kapteri New 24 , Top Qenefi, budallai i Aleksander Meksit, Behxhete Pacolli.. Kjo eshte protest e Bufit komunist.

    Përgjigjjuni
    1. a
      astrit

      Protesta është një lëvizje politike, kundër “Ferri” të ashtuquajtur “shtet demokratik”,që ka sot Shqipëria, është një realitet tërësisht produkt i mendjes njerzore e traumatizua, e cila nuk mbështetet në ideologji është një lëvizje populiste pragmatiste, “Lëvizja” është kundër skepticizmin dhe cinizmin e brutal të atyre që nuk kanë asgjë për të mbrojtur, as në familjen e tyre, as në atdheun e tyre, as në botën ku çdo personalitet njerëzor i vetëdijshëm për vlerën dhe dinjitetin e vet personal investon veten. Shumë persona nuk mund të dallojnë në këtë risi politike asgjë tjetër përveç aspekteve lokal e personal dhe që e shohin këtë lëvizje si mënyrë e veçantë e sjelljes së këtij ose atij personi të njohur të këtyre grupeve, pra e pëlqejnë e nuk e pëlqejnë në bazë të pëlqimeve dhe mospëlqimeve të tyre për individ të veçantë që e përfaqësojnë këtë lëvizje.Këtu fus dhe ata persona të cilët për shkak të besnikërisë drejtpërdrejt ose tërthoras ndaj partisë së tyre që rrezikohen të shpronësohen nga kjo lëvizje kanë një shkak natyror të pakënaqësisë kundër kësaj lëvizje, e për këtë arsye nuk janë në gjendje të shohin në verbërinë e urrejtjes, asgjë të mirë në të. Këta e shohin këtë lëvizje si veprim e ndjenjë, por ende jo si mendim, të cilët pra, kanë një intuitë, por jo kuptimin e dobishmërinë e saj. Po atëhere pse ne nuk mund të kemi një përkufizim të qartë dhe të gjithëpranuar për të? Për fat të keq ne nuk do ta kemi një përkufizim ë tillë – së paku jo tani. Se pse ndodh kjo nuk është e lehtë të shpjegohet shkurt por në thelb, kjo vështirësi vjen nga fakti se është e pamundur të përkufizosh “lëvizjen” në mënyrë të kënaqshme pa bërë pohime që as vetë kundërshtarët e kësaj lëvizje nuk pranojnë e guxojnë ti bëjnë. Tani për tani kundërshtarët e “lëvizjes” po mundohen ta degradojnë atë në nivelin e një fjalori që përdoret vetëm për sharje e denigrime. E akuzojnë këtë “lëvizje” për keqdashje të trashë barbarie? Epo po: sapo ta kuptoni rëndësinë e vërtetë të kësaj “barbarie”, ne do të mburremi me të, si shprehje e energjive të shëndetshme që shkatërrojnë idhujt e rremë dhe të ligë, dhe rivendosin shëndetin e kombit brenda fuqisë së një Shteti të vetëdijshëm se është produkt i kombit e në shërbim të tij e jo të kryeministrit e shpurës së tij. Në Shqipërinë e sotme, vetëm kombi mund të sigurojë mjedisin material, intelektual, politik dhe moral në të cilin individi mund të gjejë përmbushje. Motoja e kësaj lëvizje është: “Individi për shoqërinë e shoqëria për individin!”

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje